Kulturë

Ferizaj me panairin “më të mirë lokal”

Eleonit Smajli, student i shkencave bujqësore në Institutin Federal Zviceran të Cyrihut, ka blerë të dielën dy ekzemplarët e fundit të botimit të ri të librit të Ukshin Hotit, “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, në stendën e shtëpisë botuese “Buzuku” në panairin e parë të librit të organizuar nga klubi letrar “De Rada” në sheshin e Ferizajt.

“Më është dukur mirë. Po më pëlqen që ka botime edhe të autorëve shqiptarëve, e jo vetëm të autorëve të huaj, përkthime, sepse përkthimi gjithmonë është interpretim. Kemi nevojë që librat tonë me i promovu e jo vetëm të të tjerëve, se tonat po na mungojnë”, është shprehur Smajli, i cili ka shpenzuar mbi 100 euro për tituj të autorëve të ndryshëm. Thotë se librat e Hotit, publicistika e përmbledhur e Faik Konicës dhe titujt e autorëve të tjerë shqiptarë e të huaj do t’i lexojë në Zvicër. Me vete ka marrë edhe histori të letrarizuara për Çamërinë nga shkrimtari Arben Kondo, i pranishëm në panair, shkruan sot Koha Ditore.

Edon Zeneli, përfaqësues i shtëpisë botuese “Buzuku”, ka thënë se është habitur për të mirë me edicionin e parë të panairit treditor në Ferizaj. Zeneli, i cili është edhe kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka bërë një krahasim me interesimin e lexuesve nëpër panairet e qyteteve të Kosovës – përjashto panairin e përvitshëm të Prishtinës.

“Praktikisht pjesëmarrjen nëpër panaire lokale, ne më shumë e bëjmë për prezantim sesa për shitje. Në Ferizaj është hera e parë që organizohet, dhe për habinë tonë, kërkesa ka qenë shumë e madhe, shitja ka qenë shumë e madhe. Në fakt secili botues është ndarë i kënaqur”, ka thënë Zeneli. “Ka qenë panairi më i mirë lokal”... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)