Monumenti i viteve ’30 të shekullit të kaluar është rikthyer në vëmendje. Dikur ende pa nisur restaurimi, tash nëpërmjet imazheve të para gjatë restaurimit. Fasada në anën e prapme për dikë është “tjetërsim” dhe “skandaloze” e për ata që e kanë hartuar projektin ky është rikthim në gjendjen origjinale dhe po i kthehet fasada e cila ka rënë gjatë gati një shekulli
Në ditët e para të shkurtit të 2022-s, një debat edhe me përmasa ndërkombëtare bëri që të pezullohej projekti po ashtu ndërkombëtar për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Asokohe monumenti pësoi pasi u shty restaurimi shkaku i deklaratave se ish-pronari i shtëpisë ishte bashkëpunëtor i gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore.
Të enjten ky monument është rikthyer në diskursin publik, saktësisht te rrjeteve sociale. Tash për shkak të restaurimit.
Një fotografi e shkrepur nga prapa – ende pa përfunduar procesi i restaurimit – e krahasuar me gjendjen paraprake po bën bujë. Pamja e fasadës dhe ajo paraprake me tulla në imazhe duken diametralisht të kundërta.
Por është krahasim i paqëndrueshëm për dy arsye: krahasohet ballina e parestauruar me pjesën prapa në restaurim e sipër dhe krijohet përshtypja se një monumenti me tulla po i shtohet fasada.
Veç me sy të lirë, vizitori i zakonshëm mund të vërejë se pjesën e suvatuar e kanë shembur koha e moskujdesi. Te ana perëndimore fasada e gati para një shekulli është më e dukshme. Madje fasada vlerësohet si freskia urbanistike që Xhafer Deva kishte sjellë në qytet duke ndërtuar shtëpi me stil austriak e dekorime që nuk ishin parë në Mitrovicën e atëhershme. Dekorime që s’bëhen mbi tulla.
Me t’u zbuluar pjesa e prapme nëpërmjet një fotografie kanë nisur reagimet e publikut se objekti unik në qytetin e Mitrovicës është tjetërsuar.
“Shfytyrim”, e ka quajtur poeti Bujar Meholli që vjen nga qyteti verior i Kosovës.
“’Shtëpia e Xhafer Devës’ mbijetoi gjerë më sot kur, në vend të restaurimit, u katranos edhe më keq duke u shndërruar, arbitrarisht, në një objekt krejtësisht kiç e brutal që të dhemb ta shohësh; janë shfytyruar tiparet që e karakterizojnë, stili arkitektonik në frymën perëndimore, i pari i këtij soji në Kosovë e më gjerë, elementet karakteristike dekoruese, tullat e argjilës së pjekur... kjo epokë, mjerisht, ka perënduar, ngase ‘shtëpia’ sot i ngjason një karikature groteske”, ka shkruar ai.
Fondacioni për trashëgimi kulturore pa kufij “CHëB Kosova” e kishte hartuar projektin të bashkëfinancuar nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Nol Binakaj, zëvendësdrejtor në “CHwB Kosova” dhe arkitekt, ka thënë se sipas projektit është propozuar suvatimi, sepse ajo ishte pamja origjinale e objektit. Sipas tij, pamja e mjerueshme e ndërtesës ishte kthyer në kujtesë kolektive.

“Duke u bazuar në fotodokumentacion dhe në analogji të ndërtesave të periudhës së njëjtë, sepse kjo është diku e viteve rreth ’30, të gjitha këto ndërtesa kanë qenë të suvatuara. Edhe në fotografi të vjetra mund të vërehet se ka pasur suva. Fasada me tulla nuk ka qenë asnjëherë. Fatkeqësisht ka qenë ndërtesë në gjendje të mjerueshme për një kohë të gjatë, saqë ajo fasadë prej tullave është kthyer në memorie kolektive. Por në realitet, kur analizohen mirë shtresat në përdhese del se ka qenë e suvatuar dhe për këtë arsye e kemi propozuar suvatimin sikurse ka qenë në origjinal”, ka thënë Binakaj për KOHËN.
Ka thënë se Shtëpinë e Xhafer Devës nuk e identifikojnë muret e zhveshura prej kohës.
“Ideja ka qenë suvaja mbi tulla, pasi që struktura e murit asnjëherë nuk ka qenë që të shihet, të shfaqet. Tulla është veç material ndërtimor dhe si e tillë është dashur të mbrohet prej reshjeve atmosferike”, ka thënë Binakaj të enjten kur debati tashmë kishte marrë hov. Ka theksuar se sipas projektit ishte paraparë që objekti të fasadohej.
Lulzim Hoti, drejtor i organizatës “7Arte” në Mitrovicë, ka thënë se janë të hershme reagimet për restaurimin dhe krahasimi është joadekuat.
“Për mendimin tim janë reagime të parakohshme, ngase ajo çfarë po krahasojnë është ballina e objektit të dikurshëm (në foton bardhezi) me ballinën e prapme të objektit (kjo që është hapur këtyre ditëve) me një fjalë krahasimi nuk është adekuat dhe mund të cilësohet jo i drejtë. Për mendimin tim, pamja e bukur e objektit fatkeqësisht nuk do të shihet nga sheshi, vetëm nëse ftojmë dhe investojmë në kompani që dinë dhe mund t’ia ndërrojnë kahen pa e dëmtuar objektin në fjalë”, ka thënë Hoti.
Në shkurt të vitit 2022 gjithçka ishte gati që të niste restaurimi. Situata qe alarmuar kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”. Në ditën e 8-të të shkurtit Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me atë të UNDP-së kishin dalë me një deklaratë të përbashkët duke bërë të ditur pezullimin e projektit. E MKRS-ja kishte paralajmëruar se do të presë një kohë, por do të zbatojë projektin vetë nëse partnerët ndërkombëtarë heqin dorë. E ndante historinë e ish-pronarit që kurrë s’kishte jetuar në atë shtëpi, me veprat e ndërtesës si monumentet i arkitekturës ndërtuar më 1930. Madje, MKRS-ja vjet kur edhe e bëri monument nën mbrojtje të përhershme ia preku edhe emrin duke u bërë “ish-Ambulanca e vjetër - Shtëpia e Xhafer Devës”
Për sivjet sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore janë paraparë 200 mijë euro për këtë projekt. Për vitin 2025, 300 mijë, përderisa deri më 2023 qenë shpenzuar 142 mijë euro.
Synimet janë që kati përdhes të shndërrohet në ambient kulturor ku mund të ketë ekspozita, e dy katet e mësipërme të jenë seli të Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Mitrovicë.
Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015 shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.

Sikurse zyrtarët e QRTK-së të Mitrovicës, edhe ata të “CHwB Kosova” duken shpresëplotë se vjeshta e këtij viti do t’ia kthejë shkëlqimin monumentit. Por shtëpia është e rrethuar me ndërtime të larta nga të tria anët. Distanca që përcakton ligji prej 50 metrave nuk ka vlejtur në raport me këtë shtëpi. Vetëm ana nga sheshi “Mehë Uka” ka mbetur pa shumëkatëshe afër monumentit.
Bile, në korrik të vitit 2016, Komuna e Mitrovicës, që asokohe udhëhiqej nga kryetari Agim Bahtiri, kishte nxjerrë vendim për rrënimin e Shtëpisë së Xhafer Devës.
Duke e konsideruar si objekt që paraqet rrezik për qytetarët, Komuna e Mitrovicës kishte urdhëruar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë që të “rrënojnë (sanojnë)” monumentin që mbrohet me ligj si aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës. “Urdhërohet QRKT, personi juridik (bashkëpunëtor profesional) Hylki Salihu... që menjëherë të RRËNOJË (sanojë) objektin pasi paraqet rrezik për vetërrënim. Nëse i lartpërmenduri e refuzon ekzekutimin e këtij aktvendimi, ekzekutimi do të bëhet në mënyrë të dhunshme”, shkruhej në aktvendimin e 12 korrikut 2016 të nënshkruar nga inspektori komunal i ndërtimit, Shyqeri Krasniqi. Pas reagimit të QRKT-së dhe Ministrisë së Kulturës, Komuna e Mitrovicës qe zmbrapsur nga ky aktvendim.
Shtëpia e Xhafer Devës (1904-1978) ka karakteristika të veçanta. “Karakteristikë e shtëpisë është se në mesin e fasadës veriore është i paraqitur qoshku (çardaku i mbyllur), ndërsa në fasadën jugore, pamje kjo nga rruga, paraqitet doksati. Në fasadën jugore janë ruajtur elementet dekorative të kohës. Përdhesja funksiononte si hapësirë afariste, ndërsa kati shfrytëzohej si etazh banimi duke e ruajtur kështu funksionin për të cilin edhe është ndërtuar”, është përshkrimi për këtë monument në databazën online të monumenteve.
LEXO EDHE: