Është një dramë që nëpërmjet humorit sjell traumën, konspiracionin, pasojat e mbylljes brenda katër mureve. Një reflektim retrospektiv që rikthen në kujtesë pasojat e pandemisë dhe ndikimin e saj në ditët e sotme. Rrëfimi postpandemik në shfaqjen “Fajin e ka Bill Gates” me regji e tekst të Shpëtim Selmanit dhe lojë të aktorëve Daniela Markaj dhe Dukagjin Podrimaj vendoset në një dhomë shtëpie duke pasqyruar realitetin e botës nën ethe e ankth.
Audio e filmave të animuar për fëmijë ka qenë mikpritja për publikun e shfaqjes që është dhënë premierë të hënën mbrëma. Pa u njoftuar me tematikën e produktit skenik duket krejtësisht sipërfaqësore dhe e thjeshtë. Me t’u njoftuar publiku se në çfarë rrethanash vendoset shfaqja, ngjarja bëhet kuptimplote. Kthen në sekuencat e një periudhe hiç të këndshme të jetës.
Është një lloj rebelimi në shfaqje. Ndaj bashkëthemeluesit të kompanisë botërore “Microsoft”, Bill Gates, thuren sharje e hidhen akuza e kritika. Shumë herë në shfaqje përmendet se “...fajin e ka Bill Gates”, kur përmenden shumë teori konspirative të gjendjes me izolimin si masë e parandalimit të përhapjes së pandemisë tash e pesë vjet më parë. Të pandara janë shprehjet eksplicite në shfaqje.
Agresiviteti vjen si pasojë e gjendjes së rënduar të tyre. Temperamenti është i përhershëm. Dramaturgu e regjisori i shfaqjes, Shpëtim Selmani, i vë ata në kundërshti me secilin detaj e temë. Duke qenë vetë shkrimtar, prek edhe këtë pjesë: për dhe kundër letërsisë.
“Është një tekst që ka të bëjë me një çift bashkëshortor në kohën e pandemisë, ndikimi i saj, konspiracioni, izolimi, ankthi, paranojat, të gjithat kanë prodhuar një lloj efekti jo aq të këndshëm gjatë pandemisë”, është shprehur Selmani duke thënë se tematika e shfaqjes është ajo që ka ndikuar në jetët e të gjithë njerëzve.
“Ka qenë një temë që ka pasur influencë të njëjtë tek të gjithë, i ka futur njerëzit në ujëra që nuk kanë qenë më parë, se çfarë po ndodh me këtë situatë. Edhe tash nuk e dimë se nga ka qenë prejardhja e asaj gjendjeje izolimi”, ka thënë regjisori e autori i shfaqjes.
Kur flitet për teoritë konspirative, se fajin për pandeminë e ka Bill Gates, assesi nuk shmangen ato për dyshimet e vendosjes së çipit në trupin e njeriut nëpërmjet dhënies së vaksinës anti-Covid. Kjo pjesë i përforcon përçarjet e çiftit bashkëshortor në marrëdhënie.
Ata ndikohen nga gjithçka që dëgjojnë. Ekziston frika se ata do të jenë disa prej një pjese të njerëzve se “nuk do të merren në planetin Mars” për t’u shpëtuar. E shajnë dhe mallkojnë Bill Gatesin duke iu referuar si autor i gjithë ndodhive. Ata ndihen të humbur. Shfaqja jep idenë se lufta për mbijetesë bëhet më shumë brenda shtëpisë sesa jashtë saj. Përkeqësohet çdoherë.
Aktorja Daniela Markaj ka thënë se paranojat dhe gjithçka tjetër në shfaqje është bërë me idenë e prezantimit të pasojave të izolimit në kohë pandemie.
“Paranojat, gjërat e çuditshme që vijnë gjatë gjithë kohës, përmes kësaj e sjellim më shpejt gjendjen e krijuar. Gjithçka është bërë për shkak të izolimit dhe frikës se çfarë do të ndodhë që kemi menduar se do të zgjasë për dy javë, gjë që ceket edhe në tekst, por ka dalë edhe më shumë. Kur kanë thënë njerëzit se do të zgjasë dy vjet dukej e pabesueshme. Këto paranoja dhe gjithçka që u vjen e pabesueshme vjen si shkak i izolimit”, ka thënë aktorja Markaj.
Ka thënë se janë munduar të paraqesin ato që i mundonin të gjithë njerëzit në atë periudhë. Ka treguar se teksti për rolin e gruas ishte shkruar për një aktore nga Shqipëria.
“Me Shpëtimin kemi punuar edhe më parë bashkë dhe kur e kam dëgjuar tekstin më ka pëlqyer tepër shumë. Pas disa kohësh tregoi se ka në plan ta inskenojë. Personazhi i gruas në këtë rast në origjinal vjen nga Shqipëria, por unë e doja tekstin shumë. Më pas u bë puna që ai më ftoi dhe u gëzova shumë”, ka thënë ajo më tej.
Aktori Dukagjin Podrimaj në një shfaqje të tillë me dy aktorë ka punuar edhe në shfaqjen “Audienca” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Agon Myftarit. Kishte luajtur me Shpëtim Selmanin.
Për tematikën e shfaqjes “Fajin e ka Bill Gates” ka thënë se shkon përtej pandemisë.
“Shfaqja nuk e trajton vetëm pandeminë, por pak edhe jetën martesore, edhe faktorët e jashtëm që ndikojnë në një çift apo në një relacion njerëzor çfarëdo që është. Nuk është e një kohe të lartë dhe ende po i ndiejmë pasojat me atë se është bërë shumë prezente puna nga largësia. Është një impakt i madh i pandemisë edhe në ditët e sotme”, ka thënë aktori Podrimaj.
Karakteri i tij në shfaqje është ai i bashkëshortit që përplaset me paranojat e tepruara të partneres. Ato thellojnë përçarjet e tyre.
“Karakteri i burrit është një karakter gjenerik që sjell një copë të jetës prej pandemisë së këtij çifti bashkëshortor. Tekstin e Shpëtimit e kemi lexuar disa herë dhe sa më shumë që e lexonim bëhej më interesant dhe më i mirë për ne, mandej edhe me gjetjet regjisoriale”, ka thënë aktori Dukagjin Podrimaj.
Shfaqja përkufizohet si përshkrim për konspiracionin, ankthin, paranojat, brishtësinë dhe pasigurinë që nuk ishin asnjëherë më të pranishme se në kohën e pandemisë.
“Fajin e ka Bill Gates” e himnizon dhe në të njëjtën kohë e portretizon forcën njerëzore dhe pasionin për jetën. Bota është pronë e secilit dhe shpronësimi nga natyra kësaj here na përket të gjithëve. Ka diçka përtej çdo identiteti, frika dhe terrori që ngall e panjohura. Duke na bërë një dhe të vetëm. Ngjarja ndodh diku në një lagje të Prishtinës, mbushur me qen endacakë që nën dritat e reflektorëve lehin në drejtim të jashtëtokësorëve”, shkruhet në përmbledhjen shpjeguese të shfaqjes “Fajin e ka Bill Gates”, që u dha premierë të hënën në teatrin “Oda”.
Shfaqja do të ketë reprizën e parë sot (e martë). Drama ishte përzgjedhur si një prej shfaqjeve të rekomanduara për përkthim nga rrjeti evropian për dramë “Eurodram” për vitin 2024, bashkë me “Faustin” e Fadil Hysajt dhe “Antigonat e Kosovës” të Fijona Hysenit.
Fillimisht “Fajin e ka Bill Gates” ishte prezantuar si lexim skenik në teatrin “Oda” muajin e kaluar, më 9 mars. Drama ishte lexuar nga Blerta Gubetini, Zana Hoxha dhe Shpëtim Selmani.
Ajo, me gjithë kontradiktat e luftës për mbijetesë, zbulon edhe shpresat e dashurinë e dy personazheve të pasigurt nën strehën e tyre.
Diskutohet edhe për kriminalitetin në vend. Ata bëhen paranojakë për gjithçka që i rrethon. Paragjykimet janë edhe për artistët se ata shtiren liberalë, por janë skajshmërisht konservatorë.