Kulturë

“Eurodram” në pritje të dramave të përkthyera në shqip

Komiteti i gjuhës shqipe në “Eurodram” është i ngarkuar që të përzgjedhë drama të përkthyera në gjuhën shqipe, nga njëra prej gjuhëve evropiane që janë pjesë e “Eurodramit”

Komiteti i gjuhës shqipe në “Eurodram” është i ngarkuar që të përzgjedhë drama të përkthyera në gjuhën shqipe, nga njëra prej gjuhëve evropiane që janë pjesë e “Eurodramit”

Komiteti shqiptar i “Eurodramit” ka lansuar thirrjen për drama të përkthyera në gjuhën shqipe. Deri në ditën e 20 janarit, dramaturgët, përkthyesit, botuesit e agjentët kanë kohë që t’i adresojnë dramat e përkthyera në adresë të këtij rrjeti evropian. Rezultatet e konkursit do të publikohen më 25 mars 2025. Detajet e thirrjes, janë bërë të ditura nëpërmjet njoftimit të afishuar nga “Qendra Multimedia” e Prishtinës. Aty shkruhet se “për sezonin 2024/2025, Komiteti i gjuhës shqipe është i ngarkuar që të përzgjedhë drama të përkthyera në gjuhën shqipe, nga njëra prej gjuhëve evropiane që janë pjesë e “Eurodramit”. “Dramat duhet të jenë përkthyer në këto dy vjetët e fundit. Ato mund të jenë të botuara apo të pabotuara, të inskenuara apo jo”, shkruhet në njoftim. Janë 27 gjuhë që “përfaqësohen” në “Eurodram”.

Sipas thirrjes propozimet duhet të përfshijnë përkthimin e dramës, biografinë e autorit dhe të përkthyesit, një përmbledhje të shkurtër të dramës si dhe një faqe faktesh – gjuha prej nga është përkthyer drama, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim apo produksionet e mëparshme –  si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme.

“Përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit shqiptar është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit vendorë për ta vënë në skenë apo për ta botuar dramën. Dramat e përzgjedhura po ashtu do të promovohen në rrjetin Eurodram”, shkruhet në thirrje.

Po aty shkruhet se “Eurodram” është rrjet evropian i përkthimit teatror, i cili përdor gjuhët evropiane, mesdhetare dhe ato të Azisë Qendrore. Rrjeti numëron rreth 300 anëtarë që janë pjesë e rreth 30 komisioneve gjuhësore. “Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që t’ua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve dhe të përkthyesve të teatrit, që në masë të madhe mbetet e pabotuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor”, shkruhet në përshkrimin e “Multimedias” e cila koordinon komitetin shqiptar të  “Eurodramit”.

Ndër vite “Eurodrami” është konsideruar si shans i mirë edhe për depërtimin e dramaturgëve shqiptarë jashtë kufijve, pasi ka edhe thirrje për drama shqipe. E, shqipja është e përfaqësuar mirë dhe Komiteti gjuhësor i shqipes ka vite që është aktiv. Dhjetëra drama shqipe janë lexuar, promovuar e disa edhe janë përkthyer në gjuhë të tjera. Përzgjedhja e dramës nga ana e Komitetit është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit e ndryshëm lokalë e ndërkombëtarë për ta vënë në skenë apo botuar dramën.