Eugène Pittard (1867 – 1962) është emri i shquar i antropologjisë botërore, studimet e të cilit rrëzuan edhe teori raciste ndaj shqiptarëve. Për këtë kapitull dhe kontributin e gjithanshëm të tij, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka nderuar shkencëtarin me nam. Studimi i antropologut zviceran i kryer mbi kafkat e shqiptarëve krahasuar me ato të ilirëve ka ndryshuar qasjen ndaj popullsisë.
“Argumentoi me fakte shkencore e antropologjike unitetin e homogjenitetin e popullit shqiptar. Kjo i shërbeu si argument në Lidhjen e Kombeve për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Ishte koha që vijonin teoritë raciste, duke krahasuar kafkat që mori nga koleksioni i Jezuitëve në Shkodër me kafkat e Gjirokastrës, Voskopojës e Elbasanit, nga Shkodra në Gjirokastër, kafkat shqiptare kanë pak a shumë të njëjtin profil antropologjik”, ka thënë Aleksander Dhima.
Të dhënat u diskutuan në ASHSH në një takim për Pittard, në kuadër të rizbulimit të figurës së tij dhe ndihmës shkencore e humanitare në vitet ‘20, përfshirë zbulimet arkeologjike.
“Me gërmimet që bëri në Shpellën e Trenit hapi serinë e kërkimeve në fushën e prehistorisë dhe ka qenë jashtëzakonisht i saktë se ka përcaktuar kronologjinë e shtresave më të ulëta të banimit në neolitin e hershëm te Shpella e Trenit”, ka thënë arkeologu Neritan Ceka, duke risjellë edhe të tjera detaje biografike. “Ai ka themeluar muzeun etnografik në Gjenevë. Sot ne punojmë në gjurmët e njerëzve si Pittard”, ka thënë ai. Arkeologu zviceran Albert Hafner, ka folur për zbulimet e Pittardit.
“Ai ka gjetur qeramikë në Prespë dhe njihte sitet nënujore. Jam shumë i lumtur që 100 vjet pas tij ne kemi nisur gërmimet në Lin”, ka thënë Albert Hafner.
Lini është njëri prej lokaliteteve më me peshë në Shqipëri. Gjetjet e reja në tokën shqiptare mund ta revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Evropën parahistorike, si dhe zanafillën e bujqësisë. Objektet e gjetura në Lin afër Pogradecit, gjatë punës me projektin “LIN 3”, çuan në zbulimin e vendbanimit palafit më të vjetër në Evropë, që daton deri në 8000 vjet.
Eugene dhe Helene Pittard janë vlerësuar për ndihmën e dhënë Shqipërisë në vitet ‘20.