Festivali i arteve dhe kulturës tradicionale “Etno Fest” i ka dhënë fund edicionit të sivjetmë pas nëntë ditëve program ku zuri vend teatri, muzika, arti pamor e shumëçka tjetër. Qëllimin e Festivalit e tregon edhe vetë kompleksi atraktiv ku dhe arti, argëtimi e tradita sikur barazohen me moton e sivjetme “Dashni, Liri dhe Lumturi”. Festivali është mbyllur me ndarjen e çmimeve
Nëntë ditë shfaqje, performanca, ekspozita e aktivitete të tjera që shfaqin traditën shqiptare e kanë ndërtuar programin e festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale “Etno Fest”. Tregues është vetë kompleksi atraktiv dhe arti, argëtimi e tradita sikur barazohen paralel me moton e sivjetme “Dashni, Liri dhe Lumturi”. Festivali është mbyllur me ndarjen e çmimeve.
Në fushën e muzikës, Çmimi për valltarin më të mirë i është dhënë Furkan Rrahmanit, atë për këngëtaren më të mirë e ka marrë sopranoja Adelina Paloja, e cila kishte interpretuar në hapje të festivalit, ndërsa këngëtari më i mirë është zgjedhur Nuridin Bendaj nga Vlora.
Instrumentistja më e mirë është zgjedhur violinistja Sihana Badivuku. Çmimi për kostumet më të mira i është ndarë ansamblit “Plakat e Rrajcës”.
Etnokoreografia është një nga pjesët qendrore të festivalet që promovon vallëzimin tradicional shqiptar. Sivjet më i miri në këtë kategori është zgjedhur ansambli “Deçani”.
Në fushën e teatrit, Çmimi për aktoren më të mirë i është dhënë Anisa Ismajlit për rolin e saj në shfaqjen “Jepi ngjyra jetës”.
Shfaqja “Audienca”, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren ka marrë katër çmime në “EtnoFest”. Aktori më i mirë është zgjedhur Ernest Malazogu që luan një nga dy rolet në këtë shfaqje.
Çmimin për regjinë më të mirë e ka marrë Bashkim Ramadani për “Audiencën”, sikurse edhe skenografinë më të mirë të cilën e ka punuar skenografi Burim Arifi, për t’ua vënë kapakun e këtyre çmimeve me atë për shfaqjen më të mirë që i është dhënë shfaqjes së dramaturgut çek, Vaslav Havel, të inskenuar nga teatri i qytetit të Prizrenit.
Biseda përcillet me shumë humor në situata absurde që zhvillohen. Skenografia është përshtatur goxha bukur me dyshemenë plot me xhama të imët, ndërsa ata shtohen secilën herë, si rrjedhojë e tensioneve dhe dramave që zhvillohen në shfaqje.
Temat kryesore të shfaqjes janë konfliktet, kompromiset që njerëzit bëjnë nën presion dhe absurditetin e ironinë e jetës nën regjim totalitar.
Shfaqja e një prej emrave të shquar ndërkombëtarë të dramës, çekut Vaclav Havel, që e kishte shkruar në vitin 1975, portretizon ndikimin e regjimeve autoritare. Aty kritikohet regjimi shtypës komunist. Skenografia është treguese se vendi ku po zhvillohet ngjarja është në vëzhgim.
Çmimi i karrierës është ndarë për aktoren nga Shqipëria, Luiza Xhuvani, ndërsa çmimi special për aktorin, regjisorin e pedagogun italian, Mario Biagini, që ka qenë vizitor i festivalit.
“Faleminderit shumë”, ka thënë ai në shqip. “Kur marrim një çmim, zakonisht mendojmë për dikë. Sonte mendoj për nënat dhe vajzat tona”, ka vazhduar fjalën e tij derisa ka marrë çmimin.
Juria e festivalit sivjet ka qenë në përbërje prej koreografit Dilaver Kryeziu, regjisores Iliriana Arifit dhe skulptorit Skender Boshtrakaj.
Ky i fundit derisa ka ndarë këto çmime ka thënë se “Etno Fest” nuk është garë, por platformë e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës së tradicionales me modernen.
“‘Etno Festi’ me vite ndan çmime, çmimi një, dy, tre. Realisht unë, Iliriana dhe të tjerë nuk jemi fort të bindur se ky festival është vend i garës. Jemi të bindur që është vend i prezantimit të vlerave, të atributeve më të mira që kanë artistët tanë, ansamblet, edhe ato moderne edhe të traditës. Është një vend i bashkëpunimit. Secili pjesëmarrës në këtë festival, jo që merr çmim prej festivalit, por e çmon festivalin dhe juve si konsumatorë kulturorë”, ka thënë Boshtrakaj.
Ka thënë se çmimi kryesor do të duhej të shkonte për publikun e festivalit. Sa i përket kësaj pjesë, drejtori i festivalit, regjisori Fadil Hysaj, ka thënë se sivjet kanë pasur më shumë vizitorë sesa kanë pritur dhe dukshëm më shumë në numër sesa edicionet e kaluara.
“Mund të them se për 50 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Kompleksi ka qenë plot me njerëz që kanë lëvizur, kanë parë shfaqje, ekspozita, nga një pikë te tjetra, krejt etnokompleksin që është momentalisht më i madhi në Ballkan, e kanë pasur si vepër arti. Pastaj aty ka pasur diçka të veçantë, qoftë ekspozitë piktorësh, skulptorësh, grafistësh. Vërtet ka qenë prani e jashtëzakonshme dhe ndjesi që nuk e kemi pasur asnjëherë në këto 14 vjet. Konsideroj me plot bindje që ka qenë edicioni më i mirë prej kur ka filluar ky festival”, ka thënë Hysaj për KOHËN.
Derisa është ndërlidhur me temën e sivjetme, të edicionit të 14-të, është shprehur se me të janë munduar të reflektojnë në pozitivitet për publikun e festivalit.
“Jemi shtet i lirë, vazhdimisht kërcënohemi, por ato nuk duhet të cenojnë lumturinë e një populli e cila është e drejtë hyjnore, e drejtë e ekzistencës. Me lindje e kemi atë të drejtë të cilën armiqtë e këtij vendi janë munduar të na marrin. Lumturia është ajo që duhet ta gjejmë brenda vetes, ta dhurojmë tek të tjerët dhe pastaj ta marrim si dhuratë prej tyre. Është marrëdhënie me të tjerët, por edhe me veten. Ne jemi munduar të arrijmë t’i nxisim njerëzit të mendojnë për këtë temë”, ka thënë ai.
Në ceremoninë e mbylljes ka paralajmëruar edhe temën e edicionit të ardhshëm – Identiteti.
“Vitin tjetër po mendojmë që është tema e identitetit ajo që realisht është bërthama e këtij festivali që është dashur të reflektojë në nivel më të gjera deri tek ato shtetërore”, ka thënë Hysaj më tej.
Ka pikuar gjatë gjithë kohës hapësira ku janë ndarë çmimet, si rrjedhojë e reshjeve të shiut. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kjo u tregon atyre se ku të bëhen investime.
“Shiu është bereqet, na tregon ku duhet të investojmë që vitin e ardhshëm ta bëjmë më mirë. Po ashtu, na tregon të kaluarën, se tradita e kultura, historia e popullit shqiptar ka kaluar nëpër sfida të ndryshme dhe vijmë, kënaqemi, mburremi me atë që kemi pasur, e gëzojmë sot dhe na bën edhe më të fortë për të ardhmen. Kjo është vlera e kombit tonë që reprezentohet me arte të ndryshme”, ka thënë Rama.
Ceremoninë e çmimeve e ka pasuar vallëzimi modern me ritmet e muzikës tradicionale. Koreografia e lojës me krejt publikun e festivalit e ka pasuar atë.
EtnoNdeja e fundit ka qenë koncerti i Edona Reshitaj me bendin. Kanë sjellë këngët e bukura shqipe si “Kur më del në derë”, “Valle e bukur pogonishte”, “Margjelo”, “O moj bukuroshe”, “Këngë moj”, “Kur më vjen burri nga stani” e kolazh me këngë shkodrane.
Në program ishte e paraparë të jepej edhe shfaqja e fundit në këtë edicion të “Etno Fest”. “Të bardhët” nga Steven Leigh Morris nën regji të Besim Ugzmajlit, produksion i qendrës “Multimedia” është anuluar dhe për këtë nuk është njoftuar publiku nga festivali. As kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Me shfaqjen “Të bardhët” të Steven Leigh Moris, në regji të Besim Ugzmajli e me performancat e shkëlqyeshme të Edona Reshitaj e Qendrës Kulturore “Kaçaniku”, u përmbyll edicioni i 14-të i EtnoFestit. Me shumë qytetarë nga Prishtina dhe e gjithë Kosova kaluam një mbrëmje të jashtëzakonshme kulturore”, ka shkruar Rama në rrjete sociale.
“EtnoFest” për edicionin e ardhshëm synon të gjurmojë shenjat e identitetit me aktivitetet e tij.