Kulturë

“Erkand Morina Trio” me meloditë magjike të “gypsy jazz”

Gypsi

Grupi ka nisur interpretimin me lojë të lehtë, ku instrumentet janë në sinkron. Është jazz i ngadalshëm, relaksues, i këndshëm. Të tillë, veçmas intime, e ka krijuar edhe atmosferën në shtëpinë e sivjetme të Festivalit të Jazzit në Prishtinë. Pa prezantim ka qenë e dallueshme që muzika i ka rrënjët në Francë

“Erkand Morina Trio” ka thurur rrëfime magjike jazzi në natën e tretë të “Prishtina Jazz Festival”. Melodi unike të mbështjella me muzikë klasike e ritme tradicionale, e kanë bërë koncertin e trios një përjetim të thellë muzikor. “Gypsy jazz” ka sjellë lojën e bukur të Erkand Morinës e Hugo Rehman Langemar në kitarë dhe të Xavier Nikçit në kontrabas.

Jazz me klas ka qenë ai që është sjellë të shtunën mbrëma në teatrin “Oda”. Treshja e instrumentistëve ka luajtur meloditë e pastra, të thjeshta e të buta, ku loja e secilit instrument është e dalluar.

Grupi ka nisur interpretimin me lojë të lehtë ku instrumentet janë në sinkron. Është jazz i ngadalshëm, relaksues, i këndshëm. Të tillë, veçmas intime, e ka krijuar edhe atmosferën në shtëpinë e sivjetme të Festivalit të Jazzit në Prishtinë. Pa prezantim ka qenë e dallueshme që muzika ka rrënjët në Francë.

Është muzikë e vjetër që vlen maksimalisht në kohë moderne. Kthejnë pas në kohë. Njëra prej veprave ka lidhje me Amerikën. E këtu Morina ka nisur interaktivitetin me publikun, gjë që e ka bërë edhe më interesant e më të pasur koncertin e tij me përplot informacione për historinë e “gypsy jazz” dhe jazzit në përgjithësi.

Koncerti i tij, por edhe koncertet paraprake kanë nisur zakonisht më vonë sesa koha e paraparë. Ai për ta thyer seriozitetin e ngjarjes dhe për të krijuar lidhje me publikun, ka treguar historinë e një muzikanti francez që jetonte në Amerikë. Se si i kishin kaluar ditë pa folur gjuhën e tij amtare dhe sapo kishte takuar një frëngjishtfolës, i kishte ecur koha e ishte vonuar një orë në koncert. Rrëfimi ka qenë një lloj parodie. Kur orkestra ishte shqetësuar se çfarë po ndodhte me koncertin, muzikanti qe përgjigjur se në Evropë asnjë koncert nuk nis në kohë.

Në veprën me titull “Artillerie Lourde” të kompozitorit belgo-francez Django Reinhart, loja improvizuese e kontrabasit është e theksuar, ndërsa dy kitarat krijojnë ritme të njëjta. Morina ka treguar nga skena që vepra ishte shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Njëra vepër ka ngjarë edhe me ngjyra flamengoje që publikut ia transmeton kitaristi Erkand Morina ndërsa me lojë të njëtrajtshme me kitarë përcjell argjentinasi Hugo Rehman Langemar, sikurse edhe Xavier Nikçi me kontrabas.

Treshja ka interpretuar edhe veprat e Erkand Morinës “Randez-vous français” që ka qenë tejet tërheqëse, ritmike, me folklor francez, si dhe “Bossa nostra” me ritme ‘bosa nova’ të cilën e kishte shkruar për muzikantin e shquar të jazzit, Mozes Rosenberg.

Sipas Morinës, në Kosovë “gypsy jazz” luhet pak.

“Ne muzicientët e dimë që luhet në botë dhe e ka një pjesë të rëndësishme në histori, por tek ne nuk ka pasur asnjë tentativë më herët për ta luajtur, edhe pse e kemi dashur, por nuk ka pasur as publik dhe as njerëz të interesuar që janë thelluar ta studiojnë, sepse është një mënyrë ndryshe nga rocku dhe jazzi tjetër që luhet. Tani që m’u dha rasti të vij, vendosa të luaj edhe disa pjesë të miat, por edhe të disa të tjera shumë të njohura që luhen nëpër festivale të zhanrit të ‘gypsy jazz-it’ në Evropë dhe Amerikë”, ka thënë Morina.

Ka thënë se këtë lloj të muzikës jazz e karakterizon ana ritmike e melodike.

“Këtë degë të jazzit e karakterizon ritmika konstante dhe melodike, është jazz shumë melodik dhe depërton e tretet lehtë në mosha të ndryshme për shkak të ritmikes dhe melodive të kapshme dhe të tretshme për dëgjuesin. Nuk duhet të jesh ekspert jazzi për ta dëgjuar ‘gypsy jazzin’, mjafton ta duash muzikën. ‘Gypsy jazz’ e ka atë magji që nuk të lë pa lëvizur, e ka atë fuqi dhe atë puls të ngërthyer në muzikën e vet”, ka thënë muzikanti, kompozitori e kitaristi, Erkand Morina.

Karriera e tij bëri bujë në vitin 2021 me albumin e tij origjinal solo në zhanrin “Jazz Manouche”, zhanër i njohur gjithashtu si “Gypsy Jazz”.  Ai ka përvojë të gjatë muzikore dhe sfond të pasur në fusha të ndryshme. Bazuar në përvojën e tij të hershme, Morina kalon me lehtësi dhe natyrshmëri mes zhanreve të ndryshme si ‘jazz’, ‘soul’, ‘blues’, latin, ‘rock’ dhe muzikë ballkanike. Erkand Morina është artist me bazë në Suedi dhe është figura kryesore në promovimin e “gypsy jazz” në jug të Suedisë. Ai është aktiv edhe në Danimarkë, Holandë, Francë.

Morina ka bërë një lloj loje me publikun duke dhuruar CD të tij për publikun që gjen veprat e interpretuara. Njëra provë ka qenë ajo me interpretimin në version jazz i këngës “Lulet e majit” të shkodranit Pjerin Ashiku në vitet ’50.

“Erkand Morina Trio” ofron tingull unik e melodik të ‘gypsy jazzit” akustik me origjinë në Francën e viteve ‘30.

Kontrabasisti me rrënjë nga Kosova, që jeton e vepron në Francë, ka thënë se thelbi i muzikës së tyre është pastërtia e melodive.

“Ideja kryesore e kësaj muzike është se është krijuar vetëm për instrumente harkore, nuk ka bateri, nuk ka trumbetë, as saksofon, pra nuk është bërë me instrumente të ndryshme, duke krijuar diçka ndryshe. Është muzikë që mund ta luash kudo, është shumë e këndshme”, ka thënë ai derisa ka treguar se për të është hera e parë që ka luajtur në Prishtinë.

“Është hera e parë për mua që interpretoj në Prishtinë, jo në Kosovë, pasi familja ime është nga Rugova dhe natyrisht se atje luaj. Por është hera e parë në një festival jazzi këtu. Zakonisht luajmë muzikën ‘gypsy’ qe 20 vjet gjithkund rreth botës. Është hera e parë që luajmë së bashku dhe ishte koncert shumë i mirë, e shijuam shumë”, ka thënë më tej Nikçi.

Ai ka bërë turne ndërkombëtar duke bërë muzikë në Australi, Kinë, Evropë, turne amerikan me të gjithë yjet e Django Reinhardt organizuar nga klubi legjendar “Birdland” i sponsorizuar nga Leonardo DiCaprio. I pasionuar pas tingullit ‘retro’, formoi dhe iu bashkua shumë grupeve ‘retro’ (‘swing’, ‘RnB’, ‘blues’).

Pas një adoleshence të kaluar në bas elektrik në skenën alternative të rock-ut, më pas duke u diplomuar në Akademinë Ndërkombëtare të Muzikës së Nancyt në 2002-n, ai iu drejtua kontrabasit pas zbulimit të Django Reinhardt, e ndjekur nga një bashkëpunim me muzikantët më të mëdhenj romë si Brady dhe Hono Winterstein, Samson Schmitt, Ludovic Beier, Pierre Blanchard, Bireli Lagrene, Rosenberg e të tjerë.

Pikërisht kompozitorin Djungo Reinhart, Erkand Morina e ka konsideruar hero e inovator të “gypsy jazz”.

“Djungo Reinhart, heroi ynë që ka qenë inovator  dhe nga muzika e tij tradicionale - pasi ai vjen nga komuniteti ‘sinti’, romë që jetojnë në pjesën perëndimore të Evropës si në Francë, Holandë, Belgjikë – pra aty është ritmi folklorik që luhet gjatë tërë kohës. Por Djungo e ka ngritur në një shkallë më të lartë. E ka gërshetuar me jazzin që ka qenë shumë i famshëm atë kohë, por edhe me influencën e tij klasike. Ai është lindur në vitin 1910, ka pasur kompozitorë të mëdhenj që kanë jetuar në atë kohë. Ravel ka qenë gjallë, Debussy-n e ka pasur idol dhe ka marrë pjesë klasike duke i modifikuar dhe i ka incizuar që kanë mbetur në histori”, ka thënë ai.

Kitaristi argjentinas Hugo Rehman Langemar ka thënë se veprat e Reinhart janë pjesë e pandarë e repertorit të ‘gypsy jazz”.

“Django Reinhardt e ka dashur muzikën klasike dhe i ka regjistruar këto vepra duke qenë të interpretuara në formë të muzikës klasike. Ato ndër vite janë bërë pjesë e pandarë e repertorit të ‘gypsy jazz’. Shihet se njerëzit ishin të lumtur që ishin pjesë e koncertit, mund ta ndjenim entuziazmin e tyre”, ka thënë Langemar.

Është shprehur se koncerti ka qenë mundësi e mirë për të takuar njerëz të rinj e për të luajtur së bashku për të parën herë me ta, siç i ka ngjarë me kontrabasistin Nikçi.

Veprat e Reinhart të cilat i ka luajtur treshja, kanë qenë me përplot tema tradicionale. Në repertor kanë pasur edhe vepra nga Debussy e Ravel.