Kulturë

Éric Faye: Do të vazhdoj të shkruaj për kulturën shqiptare

Eric Faye në Panairin e Librit

Éric Faye është mysafir nderi i edicionit të 24-t të Panairit të Librit në Prishtinë, e njashtu sikurse edhe në hapje, ka qenë kryepersonazh edhe i ditës së dytë. Krijimtaria e tij flet me lexuesin shqiptar, por lidhja e tij me shqiptarët nuk nis në vitet e hershme. E, as nuk mbaron këtu. Ka një vazhdimësi

“Është kënaqësi për mua çdoherë që vij në Ballkan e ndiej atë ngrohtësi dhe unë do të vazhdoj të shkruaj për kulturën shqiptare. Pastaj është ndoshta pak keq për t’u thënë, por mendoj se francezët nuk e njohin edhe aq mirë kulturën shqiptare”, ka thënë shkrimtari francez, Éric Faye në përurimin e dy librave të tij në shqip, të enjten, në ditën e dytë të Panairit të Librit, ku ai është mysafir nderi. Lidhja e tij me shqiptarët është e kahershme. Me Kosovën, po ashtu

Është hera e dytë e tij në Kosovë, kishte qenë këtu më 1977, kur, siç thotë ai, “botën e shihte me sytë e një fëmijë”, por këtij vendi prej atëherë s’iu nda dot. Do të mbetej i lidhur me ngjarjet në këto anë, e kundronte me syrin e gazetarit, pasi punoi gjatë në këtë zanat, por letërsia është ajo që e ka rikthyer, fiks 47 vjet më vonë, tash si shkrimtar i afirmuar, fitues çmimesh.

Éric Faye është mysafir nderi i edicionit të 24-t të Panairit të Librit në Prishtinë, e njashtu sikurse edhe në hapje, ka qenë kryepersonazh edhe i ditës së dytë. Krijimtaria e tij flet me lexuesin shqiptar, por lidhja e tij me shqiptarët nuk nis në vitet e hershme. E, as nuk mbaron këtu. Ka një vazhdimësi. 

Shkas për takimin e së enjtes kanë qenë dy librat e tij të vlerësuar nga kritika botërore prej dekadash, “Parij” (1997) dhe “Nagasaki” (2010), që vijnë në shqip në këtë edicion të Panairit, botuar nga “Buzuku” dhe “Skanderbeg Books”.  

Por laureati i çmimeve prestigjioze si “Deux-Margots Prize” dhe “Grand Prix du roman” nga Akademia e Francës, një gjë e thotë me siguri të plotë. 

“Është kënaqësi për mua çdoherë që vij në Ballkan e ndiej atë ngrohtësi dhe unë do të vazhdoj të shkruaj për kulturën shqiptare. Pastaj  është  ndoshta pak keq për t’u thënë, por mendoj se francezët nuk e njohin edhe aq mirë kulturën shqiptare”, ka shtuar Faye. E ky shkrimtar ka vite që do t’i kundërvihej kësaj mosnjohjeje. 

Ka qenë shkrimtari e diplomati shqiptar Besnik Mustafaj – i pranishëm në panel tok me botuesin e “Buzukut”, Abdullah Zeneli – ai që ka rikujtuar kontributin e Faye jo vetëm në letërsinë botërore, por edhe në promovimin e kulturës shqiptare.  Mustafaj ka lidhje të ngushta e të kahershme me shkrimtarin francez. E njeh mirë rolin e tij edhe në përurimin e shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare. 

“Qysh nga viti 1989 ai ka marrë nga koha e tij që t’i vihet në shërbim Kadaresë, mendësisë dhe kulturës shqiptare. Secila vepër e ka një ese paraqitëse të shkruar nga Faye, që së bashku bëjnë qindra faqe e qindra orë që ai ia ka kushtuar opusit letrar të Kadaresë dhe pastaj ka shkruar për to. Pa qenë fare biograf i Kadaresë, ai është njeriu që e ka bërë atë më të lexueshëm, më të kuptueshëm në kontekstin e kulturës dhe historisë së Shqipërisë”, ka thënë Mustafaj. 

Për të prania e Fayes në këtë Panair është shumë e rëndësishme dhe me domethënie. 

“Ky është rasti më i mirë gjatë 365 ditëve të vitit për të takuar lexuesit me librin në Kosovë. Por, rëndësia e tij përcaktohet edhe nga shkrimtarët që marrin pjesë jo vetëm përmes librave, por dhe me praninë e tyre. Organizatorët e këtij Panairi ia kanë bërë një nder lexuesit kosovar, ia kanë bërë një nder Panairit, ndërkaq Faye ua ka bërë një nder të gjithëve duke pranuar ftesën dhe duke mbledhur mbresat nga kjo ngjarje, dhe duke u njohur personalisht me pjesëmarrësit në këtë Panair”, ka thënë Mustafaj. 

Éric Faye, i njohur ndryshe në letërsinë botërore edhe si mjeshtër i përthyerjes së reales dhe imagjinatës në librat e tij, për lexuesit në Kosovë ka zbërthyer shkurtimisht përmes disa pyetjeve edhe përmbajtjen e “Parij’ dhe “Nagasaki”. 

“Në fakt te ‘Nagasaki’ nisur nga emri, nuk kemi të bëjmë fare me luftën. Aty i bëhet përshkrimi psikologjik i zymtësisë dhe tragjikes së vetmisë. Në këtë prozë të tijën ai ka thënë se shpalosen pasojat e vetmisë së njerëzve të pasur”, ka kujtuar ai. 

Realiteti është tabani i letërsisë së tij dhe madje edhe për shkak të përvojës së tij si gazetar. 

“Në fakt për këtë libër më ka inspiruar një ngjarje reale, kjo është edhe si praktikë e imja. Me ndihmon zakonisht, me lejon që të kapërcej te rrëfimi më lehtë. Tema është shumë e thjeshtë. Bëhet fjale për një person që  jeton i vetëm në banesën e tij dhe ai vëren se gjësendet në shtëpinë e tij ndryshojnë vendndodhjen dhe kështu vendos të vërë kamera në shtëpi. Ai nga puna sheh përmes kamerave të sigurisë se një grua gjendet në shtëpinë e tij. E lajmëron atë në polici dhe pastaj ajo grua pranon që ka qenë duke jetuar në shtëpinë e tij për një vit të tërë”, ka thënë Faye. Rrëfimin në tërësi, të thurur mjeshtërisht, i mbetet lexuesit ta zbërthejë tash të përkthyer edhe në shqip. Se çfarë fshihet prapa romanit, e ka zbuluar vetë autori. 

“Ngjarja e vërtetë më ka ndihmuar që ta filloj këtë roman, por pastaj kam qëndisur personazhe më shumë dhe u kam dhënë individualitet atyre”, ka thënë Faye.

Në fund kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ia ka dhënë autorit francez një dhuratë në shenjë falënderimi për prezencën e tij: Një shqiponjë të punuar në dru, si përkujtim i  lidhjes së tij me botën shqiptare. Edhe me Kosovën në veçanti, siç e kishte zbuluar ai në ceremoninë e hapjes së Panairit.  

“Datat e marsit dhe prillit të vitit 1981  janë të shënuara në kujtesën time të një ecjeje të vështirë dhe të dhimbshme deri në pavarësi. Mendoj që më shumë se gazetaria është ajo letërsia, e cila ka pushtetin që të na bëjë të reflektojmë për fatin e popujve dhe t’i kuptojmë aspiratat e tyre”, kishte thënë Faye në hapje duke shtuar se libri merr kohë dhe mbetet gjithmonë një mënyrë e privilegjuar për ta kuptuar njeriun. 

“Falë librit jam edhe unë këtu dhe kam fatin që të marr pjesë në këtë sallon të librit e të takoj lexues dhe studentë, të njoh më mirë një Kosovë e cila ka ndryshuar shumë gjatë këtyre dekadave. Aeroplani me të cilin erdha sot në mëngjes nga Parisi ma kujtoi që kontinenti evropian është shumë i vogël dhe shpresoj shumë që Kosova të integrohet më shumë në institucionet e Evropës”, kishte thënë Faye, autor i rreth njëzet veprave letrare.   

Librat e tij në shqip tashmë janë në mesin e mijëra sosh sa shpalosen në Panairin e Librit në Prishtinë. Organizatorët kishin paralajmëruar se edicioni i sivjetmë sjell rreth dy mijë tituj të rinj përderisa numri i titujve të viteve të fundit është rreth gjashtë mijë. Janë rreth 100 shtëpi botuese nga hapësirat shqiptare që presin lexuesit, e pritjet janë që ky edicion të shënojë 40 mijë vizitorë, ani pse dy ditët e para nuk kanë qenë fort shpresëdhënëse për të tilla shifra. Panairi i Librit në Prishtinë është i hapur deri të dielën. “Përgjigjja është libri” vjen si moto e këtij edicioni.