Të bashkuar në skenë, pesë muzikantë e ngrohën me tinguj jazzi sallën e vogël, por goxha të ftohtë të teatrit “Istref Begolli”. Për të parën herë, Enes Beu interpretoi para publikut pjesë nga albumi “Beetwen wind and waves”. “Inspirim gjatë krejt kësaj dekade që kemi bërë muzikë në shumë vende dhe jemi munduar ta gjejmë faktikisht një frymë dhe një udhëtim të ritmit social, nëse mund ta quaja”, ka thënë Beu për albumin e tij
Zor se mund të ketë zhanër më të brishtë sesa jazzi, në kohën kur kriza në botën koncertale po thellohet shkaku i pandemisë që ka shembur ritmin e zakonshëm të jetës. Prestigjiozja “The New York Times” e ka analizuar gjendjen e klubeve të famshme të jazzit në SHBA dhe ka alarmuar se pandemia po e kërcënon të ardhmen e tyre.
E në pikun e krizës së pandemisë dhe të pasojave që ajo lë, një qytet i vogël në një shtet të brishtë sa vetë ky zhanër dëshmoi diçka tjetër.
Enes Bajramliqi, instrumentist e këngëtar, me kuartetin e tij sfiduan pandeminë dhe të ftohtit në mbrëmjen e fundit të serisë së koncerteve “Peja Jazz”. Për të parën herë u mbajt aktiviteti që u përshkrua si “çlirim” nga shabllonet e formave të organizimit të ngjarjeve muzikore, me dëshirën që të sjellë shpresë dhe afrim mes njerëzve, në kohën kur distanca sociale mund t’i thellojë edhe më shumë ndarjet.
Të bashkuar në skenë, pesë muzikantë e ngrohën me tinguj jazzi sallën e vogël, por goxha të ftohtë të teatrit “Istref Begolli”. Për të parën herë, Enes Beu interpretoi para publikut pjesë nga albumi “Beetwen wind and waves”. Prej 2019-s është finalizuar solo-projekti i Beut, titulli i të cilit në shqip do të thotë “Midis erës dhe valëve”. Magjia e mbrëmjes i takoi gërshetimit të tingujve nga një laramani instrumentesh.
Pianisti Gordan Spasovski udhëtoi nga Shkupi për t’iu bashkuar kuartetit në përbërje të Dukagjin Muhaxherit në saksofon, Fatlind Feratit në bas e Faruk Banjskës në kitarë.
Qysh në fillim, Vullnet Sanaja, drejtor i “Anibarit” që ka organizuar “Peja Jazz”, doli në skenë për ta paralajmëruar publikun që do të dëgjonte një album premierë. Për më shumë se një orë, muzikantët e zbrazën në skenë gjithë energjinë e akumuluar në ditët e karantinës. Tingujt, në fillim më melankolikë e të matur, bëheshin më ritmikë nga pjesa në pjesë derisa muzikantët gjenin mënyra për t’i ngrohur duart para se t’i rrekeshin një 5-minutëshi tjetër. Secili prej instrumentistëve e pati kohën e vet për të shkëlqyer – herë në një pjesë të shkurtër solo, herë në një duo të kombinuar me finesë.
Enes Beu, në fund të viteve ’90, si adoleshent ishte i përfshirë në rock-skenën alternative të Prishtinës. Më vonë bashkëthemeloi projektin “Cute Babulja”. Pashmangshëm, albumi i tij ka marrë nuanca të përjetimeve personale dhe reflekton bukur rrugëtimin muzikor.
“Pasi që jam marrë me pop-muzikë më herët, apo alternative si bashëkthemelues i ‘Cute Babuljes’, në muzikën që e performova sot është një inspirim gjatë krejt kësaj dekade që kemi bërë muzikë në shumë vende dhe jemi munduar ta gjejmë faktikisht një frymë dhe një udhëtim të ritmit social, nëse mund ta quaja”, ka thënë Beu në prapaskenë, pas një udhëtimi sfidues muzikor, por që bazuar në reagimin e atyre që vijnë ta urojnë duket i suksesshëm.
“Dhe jam munduar ta gjej mes melodisë edhe një ritëm që i përket vendit ku jetoj. Vërtet, është vështirë sepse mund të cek që jazz muzika është më delikate si koncept, por për t’u përshtatur edhe me njerëz edhe në shoqëri, ka qenë interesante të gjeja diçka që është mes muzikës dhe ritmit”, ka shtuar ai.
Enes Beu, në fund të viteve ’90, si adoleshent ishte i përfshirë në rock-skenën alternative të Prishtinës. Më vonë bashkëthemeloi projektin “Cute Babulja”. Pashmangshëm, albumi i tij ka marrë nuanca të përjetimeve personale dhe reflekton bukur rrugëtimin muzikor.
Në një dimër të ftohtë e të pazakontë, kur ngjarjet e tilla nuk janë të shpeshta, ftesa për t’iu bashkuar këtij aktiviteti mori një kuptim të veçantë.
“Është diçka e jashtëzakonshme, se vërtet është e papritur në dhjetor, në kohën e pandemisë. Dhe unë vërtet kisha dëshirë ta luaja albumin këtë vit. Është totalisht më ndryshe sepse je mësuar ta kesh audiencën, e tash me numër të limtiuar sa është interesant, është një situatë e çuditshme se nuk e di a është mirë kjo. Nuk është lehtë këtë kohë të merresh me art, se po përngjan si luftë ngapak”, ka thënë Beu, i cili beson që secili qytet do të duhej ta kishte një lloj aktiviteti si “Peja Jazz”.
Dardan Selimaj e ka kuruar programin e serisë me koncerte, që erdhi në kohën kur COVID-19 gjunjëzoi skenën e kulturës gjithandej botës. Fokusi kryesor ishte promovimi i këtij zhanri, por edhe i ideve të reja.
Selimaj ka thënë se e ka mirëpritur ftesën që i është bërë nga “Anibari” dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla”.
“Sigurisht, gjendja në të cilën ndodhemi e ka vështirësuar të gjithë procesin, por ka qenë e lehtë për shkak se ka pasur shumë njerëz që kanë pasur vullnet që kjo të funksionojë. Dhe po më vjen mirë që pas katër mbrëmjeve ka funksionuar, përkundër fakteve që në Pejë objektet që i kemi shfrytëzuar kanë nevojë për rikonstruim, nxemje, përmirësim të kushteve, por e besoj që pikërisht organizimi i ngjarjeve të kulturës do të ndikojë që edhe autoritetet ta shohin si të domosdoshme përmirësimin e kushteve”, ka thënë Selimaj.
Përveçse e shpërndau një dozë shprese e pozitiviteti, “Peja Jazz” në katër mbrëmje e dëshmoi potencialin e jazz-muzikantëve kosovarë dhe rëndësinë që atyre t’u jepet hapësirë për të interpretuar para publikut.
Selimaj ka thënë se kryesisht programi i prezantuar ishte krijuar kur muzikantët ishin të mbyllur dhe e kishin humbur komunikimin e drejtpërdrejtë me publikun.
“Kam dashur të shihet ose të shprehet gjithë ai akumulim brenda katër netësh dhe në të njëjtën kohë të tregojmë që pavarësisht se kemi një skenë të vogël, është skenë që ka potencial e që është zhvilluar sidomos në këta dhjetë vjetët e fundit. Dhe besoj që ndikimi që ka pasur organizimi i ‘Prishtina Jazz Festival’ për krijimin e një skene që ekziston sot, ka qenë krucial për ta pasur këtë që e kemi”, ka thënë Selimaj, duke iu referuar festivalit të themeluar prej pionierit të jazzit në Kosovë, Ilir Bajri, i mbajtur për dhjetë vjet deri më 2014. Festivalet, sipas tij, janë njëfarë motori për krijimin e kuadrove të reja dhe për t’i inspiruar njerëzit të merren me muzikë.
“Dhe dua të besoj që ky festival do të shndërrohet në diçka të tillë”, ka shtuar ai.
Në vitet ‘20, muzika jazz hapi rrugë për të ballafaquar ide në raport me dallimet shoqërore e racore në Amerikë. Një shekull më vonë, pandemia e trazoi shoqërinë që ende “vuan” nga dallimet dhe ndarjet. Por, tingujt muzikorë kanë efekt krejt të kundërt. Muzika shkrin dallimet dhe bashkon njerëzit. Kështu ngjau në Pejë. Në një qytet goxha larg New York-ut, nikoqirit të klubeve më të famshme të jazzit. Edhe atë, në një fundvit të brishtë, të ftohtë.