Kulturë

“Ëndrra hyjnore” sjell në Tiranë artin e Salvador Dalit

Njëqind ilustrime të artistit të madh Salvador Dali janë ekspozuar në galerinë “Naan” në Tiranë. Është e para ekspozitë në Shqipëri me veprat e maestros së surealizmit

Njëqind ilustrime të artistit të madh Salvador Dali janë ekspozuar në galerinë “Naan” në Tiranë. Është e para ekspozitë në Shqipëri me veprat e maestros së surealizmit

Janë njëqind ilustrime që mbajnë emrin e Salvador Dalit dhe që shfaqen për të herë të parë në një ekspozitë në galerinë “Naan” në Tiranë. “Ëndrra hyjnore” është titulli i ekspozitës me kuratorë Zef Pacin dhe Ajola Xoxën, që sjell vepra të cilat maestroja i surealizmit i ka përdorur për të ilustruar “Komedinë hyjnore” të Dante Alighierit, raporton “Shqiptarja.al”. 

“Nga kritikët e artit botëror ky cikël punimesh konsiderohet si më i përpunuari i artistit të famshëm. Më 1950 qeveria italiane e komisionoi Salvador Dalin, që të ilustronte Danten e famshëm dhe ‘Komedinë hyjnore’ të tij. Sigurisht, rrugës kuptuan që ai ishte pak skandaloz dhe pak mbase jo i përshtatshëm për atë moment të kishës në Itali, kështu që vendosën të mos e nxirrnin këtë publikim zyrtarisht”, citohet të ketë thënë Ajola Xoxa.

Dali (1904 – 1989), i cili tashmë ishte dashuruar me veprën e Dantes nuk u ndal dhe shkoi në një shtet tashmë më liberal, në Francë, dhe i publikoi këto vepra, 14 vjet më vonë.

Ekspozita e hapur për publikun prej të enjtes është ndarë në tri grupime sikurse dhe “Komedia hyjnore”: ferri dhe purgatori në katin e parë të galerisë dhe parajsa në katin e dytë. Të pranishëm në hapjen e ekspozitës ishin edhe ambasadori italian dhe ai spanjoll, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për realizimin e saj.

“Është një mbrëmje historike, sepse sjellim për herë të parë në Tiranë një nga gjenitë më të mëdhenj të Spanjës, së bashku me një tjetër gjeni italian, Dante Alighieri”, ka thënë Alvaro Renedo Zalba, ambasador i Spanjës në Shqipëri.

Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, e ka cilësuar si një mbrëmje të veçantë, që dëshmon fuqinë përbashkuese të artit.

“Është një mbrëmje vërtet e veçantë, sepse dëshmon se si arti bashkon dhe krijon pika. Në këtë rast midis Italisë, Spanjës, përmes këtyre artistëve të mëdhenj, por dhe Shqipërisë. Mos të harrojmë që shkrimtari më i madh që Shqipëria ka pasur, si dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të botës është Ismail Kadare e që ka shkruar një libër dedikuar pikërisht Dantes”, ka thënë Bucci.

Bashkë me ekspozitën është realizuar edhe një dokumentar i detajuar, ndërkohë që në galeri ka edhe një dhomë kushtuar veçanërisht të rinjve dhe fëmijëve.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë deri më 12 shkurt të vitit të vjen.