Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është mbajtur mbledhja e redaksisë qendrore dhe vendore në Tiranë për “Enciklopedinë shqiptare”. Temë e mbledhjes, sipas njoftimit të AShSh-së, ka qenë njohja me konkluzionet e takimit dyditor të redaksive vendore Shqipëri-Kosovë, të mbajtur në Vërmicë më 25-26 mars 2025, për ecurinë e mëtejshme deri në shqyrtimin e miratimin e fjalësit të projektit “Enciklopedia shqiptare” prej redaksisë qendrore pas miratimit të tij prej dy redaksive vendore.
“Organizimi i punës do të synojë që fjalësi të miratohet deri më 15 maj për të kaluar në fazën e kategorizimit të artikujve dhe përcaktimin e autorëve hartues të tyre”, thuhet në njoftim.
Akademik Skënder Gjinushi, kryetar i AShSh-së, citohet të ketë thënë se në Vërmicë u përcaktuan e formuluan disa detyra e rekomandime për redaksitë e fushave në përgatitje të fjalësit të unifikuar për t’ia përcjellë redaksisë qendrore, të cilat do të përmblidhen në një udhëzues.
Në takim u bë dhe një ndarje detyrash për çdo anëtar për këtë fazë.
Drejtori i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, dr. Arian Leka, ka shprehur dakordësinë me udhëzimet e dhëna nga redaksia qendrore, veçanërisht në drejtim të garantimit e verifikimit të plotësimit të kritereve për çdo artikull, detyruar kjo dhe nga fakti se 70 për qind e “Enciklopedisë shqiptare” është lëndë e re.
Projekti për Enciklopedinë ishte nënshkruar midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë më 20 qershor 2022 . Ishte hartuar një rregullore për mënyrën e ngritjes së redaksive për hartimin e Enciklopedisë, që konsiderohet si njëri ndër projektet më të mëdha në këtë fushë.
Koha e projektuar si fillim për të përfunduar këtë vepër madhore ka qenë 5 vjet. “Enciklopedia shqiptare” do të përbëhet nga 10 vëllime, me nga rreth 400 faqe secili, ku do të përfshihen ngjarje historike, kulturore, politike, sociale dhe personalitete që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.