Kulturë

Ema Andrea merr çmimin prestigjioz italian për rolin në shfaqjen e Kosovës

Ema Andrea në shfaqjen “Negotiating Peace”

Ema Andrea në shfaqjen “Negotiating Peace”

“Premio Adelaide Ristori 2025”, është çmimi prestigjioz italian, laureate e të cilit është shpallur aktorja shqiptare Ema Andrea, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt. “Për mua, një vlerësim profesional që vjen nga vendi ku kam ‘shkruajtur’ libertà 30 vjet më parë, e ku kam ndërtuar fije ëndrrash, është një kufi prej uji e toke më i sigurt në rrugën ku paskam ecur e nuk paskam ditur që jam shumë me fat”, ka thënë aktorja Andrea

Aktorja shqiptare Ema Andrea për rolin e saj në shfaqjen nga Kosova “Negotiating Peace” është vlerësuar me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”. Është një bashkëprodhim teatror ndërkombëtar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.

Tradicionalisht prej vitit 1998, sipas Qendrës “Multimedia”, “Soroptimist International d’Italia - Club Cividale del Friuli” ndan çmimin prestigjioz “Adelaide Ristori” për artisten ose artistin më të mirë të edicionit paraprak të festivalit “Mittelfest”.

Për vitin 2024, ky çmim i është ndarë aktores Ema Andrea, për rolin e saj në dramën e Jeton Nezirajt “Negotiating Peace”, nën regji të Blerta Nezirajt. Ky çmim mban emrin dhe ndahet në nderim të aktores Adelaide Ristori, e cila u lind më 29 janar 1822 dhe u bë një nga gratë më të rëndësishme të teatrit evropian dhe perëndimor në shekullin XIX.

“Për mua, një vlerësim profesional që vjen nga vendi ku kam ‘shkruajtur’ libertà 30 vjet më parë, e ku kam ndërtuar fije ëndrrash, është një kufi prej uji e toke më i sigurt në rrugën ku paskam ecur e nuk paskam ditur që jam shumë me fat”, citohet të ketë thënë aktorja Andrea.

“Negotiating Peace” ka ardhur si frymëzim nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Projekti artistik tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikët dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme si atë se kush mund të negociojë paqen.

“Jam përpjekur, aq sa kam pasur mundësi, të jem pjesë e këtyre ngjarjeve artistike që e kalojnë misionin e artit në vetvete si kënaqësi për audiencën, por e lëvizin mendjen e audiencës jo vetëm të asaj lokale. Kjo është e bukura e kësaj shfaqjeje, sepse nuk flet për probleme e mendësi lokale, por flet për një problematikë humane”, kishte thënë Ema Andrea për KOHËN, pas premierës së “Negotiating Peace” në teatrin “Oda” në Prishtinë, më 16 tetor 2023

Shfaqja ishte dhënë vjet në kuadër të festivalit, që prej vitit 1991 mbahet në Cividale del Friuli, qytet dhe komunë në kuadër të provincës së Udines. Edicioni i vjetëm i “Mittelfest” qe mbajtur prej 19 deri më 28 korrik ku përfshiheshin edhe shfaqje baleti e po ashtu edhe koncerte.

“Mittelfest” është një prej festivaleve kryesore italiane sa i përket teatrit, baletit e muzikës. Mbrëmja e ditës së dytë të edicionit të vjetëm ishte e rezervuar për shfaqjen nga Kosova. Qe dhënë në “Teatro Ristori”. Emra botërorë të teatrit e këngës operistike kanë ngjitur skenën ku do të interpretojë trupa e aktorëve të shfaqjes që nxit publikun të shikojë ngjarjet politike nga një tjetër perspektivë.

Teatri që konsiderohet një prej shembujve të arkitekturës së teatrove të shekullit XIX daton që nga 1837-ta. Emrin që e mban edhe sot e kishte marrë 19 vjet më pas, sipas aktores së shquar italiane të asaj kohe, Adelaide Ristori. Ajo do të bëhej skena kryesore e qytetit për zhvillimin kulturor e social. Që nga leximi i poezive e deri në operë, shfaqte artin në dimensione të ndryshme.

“Negotiating Peace” që në Prishtinë kishte premierën në tetorin e vitit 2023 është prodhim i Qendrës “Multimedia”, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas në Itali, festivalin “Euro-scene” në Leipzig, teatrot e qytetit në Pragë atë “R.A.A.A.M” në Estoni, festivalin “Mittelfest” në Itali, “Kontakt” në Bosnjë-Hercegovinë, “Black Box Teater” në Norvegji dhe “My Balkans”, që funksionon në SHBA dhe Serbi. Shfaqja është dhënë në disa vende evropiane.

Dramaturgu e udhëheqësi i Qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj ka thënë se çmimi për Andrean është i një rëndësie të veçantë.

“Ky çmim i rëndësishëm për Ema Andrean, e konfirmon angazhimin e përkushtimin tonë për realizime skenike që janë cilësore e konkurruese edhe për peizazhin e madh evropian teatror. Ema është natyrisht artiste fantastike dhe ky çmim për të është më se meritor”, ka thënë ai.

Në ditët e sotme diplomatët janë në aksion në zona të ndryshme konfliktesh. Në aksion janë diplomatët edhe në shfaqje. Krejt në fillim një gjeneral në mot të vranët e me korba që sillen sipër, vihet në kërkim të eshtrave të ushtarëve të vdekur. Është ai gjenerali i moçëm, personazh i Ismail Kadaresë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Aty eshtrat janë thjesht mbetje mortore që pas luftës shkëmbehen me diçka. Jepet një numër i caktuar kufomash në shkëmbim. Me skenografi të thjeshtë, shfaqja merr hov me negociatat që zhvillohen midis dy vendeve: Unmikistanit dhe Banovinës. Që të dyja kanë kontekst vendor, por edhe ndërkombëtar.

Pos librit të diplomatit amerikan, Nezirajt për këtë dramë i kishte hyrë në punë edhe Marrëveshja e Daytonit e vitit 1995 kur përfundoi lufta frontale midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë.

“Neziraj njihet për hulumtim të temave aktuale dhe ‘përkthim’ të tyre në performanca multimediale teatrore... Aktorët Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrom, Ejla Bavçiq, Martin Kõiv, Melihate Qena dhe Orest Pastukh vërtiten përballë publikut duke shpërfaqur ngjarje që gjatë negociatave nuk tregohen asnjëherë publikisht”, kishte shkruar KOHA pas premierës.

“Negotiating Peace” ishte shfaqur në disa qytete në vend e më pas në Teatrin Shqiptar e në Shkup. Në nëntor të 2023-tës e kishte shtrirë tematikën që trajton dhe në Leipzig të Gjermanisë në festivalin e performancës dhe teatrit “Euro-scene: Leipzig” më 8 dhe 9 nëntor. Dy ditë më pas ishte luajtur në “Theater im Pumpenhaus” në qytetin Münster, ndërsa datat 13 dhe 14 nëntor ishin prezantimi në teatrot e kryeqytetit çek, Pragës, ku për herë të parë ishte vënë në skenë një shfaqje e qendrës “Multimedia” që është bashkëprodhuese e “Negotiating Peace”.

Muajin e kaluar kjo shfaqje ishte pjesë e programit të edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo, Ishte shfaqur në “Black Box Teater” në Oslo, përderisa “Rrënjët dhe Rikthimet: Teatri në Udhëkryqin e Perandorisë dhe Identitetit” kuruar nga Mart Meos, Allan Kaldoja dhe Marius Ivaskevicius, kishte qenë tema e Festivalit. Pos shfaqjes, ishte shpalosur edhe programi tematik me ligjërata dhe diskutime e një program i tërë e kishte pikënisje pikërisht shfaqjen kur u organizua një bisedë ndërmjet Jeton Nezirajt dhe kritikes së teatrit Natasha Tripneyt, një lexim skenik i dramës ‘Citycide’ të antropologes kosovare Eli Krasniqi, botuar nga “Qendra Multimedia”, që u përcoll edhe me një bisedë me autoren si dhe një ndejë e quajtur “Mbrëmja e Kosovës”. Po në ketë festival u prezantua edhe produksioni norvegjez i dramës “The Handke Project” të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, produksion i Akademisë Norvegjeze të Teatrit (NTA) në bashkëpunim me “Qendrën Multimedia” që u dha premierë më 15 mars në Fredrikstad.