Regjisorja e filmave dokumentarë, Nanette Burstein, ishte intriguar kur u telefonua nga disa miq të saj producentë, të cilët e pyetën nëse kishte interesim të punonte në një projekt në të cilin do të përdoreshin audio-incizime të sapozbuluara të ikonës hollywoodiane, Elizabeth Taylor.
Aktorja e shpërblyer me “Oscar” kishte pranuar të fliste me gazetarin Richard Meryman në kulmin e famës së saj, në vitin 1964, dhe të dy incizuan 40 orë intervista, të cilat udhëheqësit e trashëgimisë së saj i kanë gjetur së fundmi në tavanin e shtëpisë.
Si rezultat u prodhua dokumentari i ri i HBO-së me titull “Elizabeth Taylor: The Lost Tapes”, i cili tregon një anë të brishtë të superyllit.
“Një nga gjërat që më befasoi më shumë ishte pasiguria e saj. Ajo ishte një megayll dhe shqetësohej se nuk respektohej si aktore, se shihej si një seks-simbol apo thjesht një yll filmi, gjë që në mendjen e saj nuk do të thoshte se ajo nuk ishte një aktore e vërtetë. Mendoj se niveli i gjykimit që iu bë asaj publikisht dhe që e ndjeu gjatë gjithë jetës, duke qenë përpara kohës së saj, e shtyu të portretizonte në ekran personazhe të grave të fuqishme. Ajo pati shumë afera dhe martesa dhe u gjykua shumë për këtë. Natyrisht kjo i shkaktoi shumë dhimbje. Dua të them, ajo me të vërtetë u ofendua duke u quajtur grua që shkatërron familje. Madje, sipas saj, edhe babai e kishte quajtur të përdalë kur u martua me Richard Burtonin. Pra, ajo kaloi nëpër shumë gjëra që një grua sot nuk do të detyrohej t’i bënte. Ishte definitivisht e veçantë”, ka thënë Burstein në një intervistë të fundit për agjencinë “Associated Press”.
Filmi dokumentar përfshin shumë prej video-incizimeve të reja të ilustruara nga video arkivore dhe klipe filmash të Taylorit, e cila filloi të aktronte si fëmijë dhe realizoi shumë projekte kinematografike të tilla si: “National Velvet”, “Giant”, “Cat on a Hot Tin Roof” dhe “Who’s Afraid of Virginia Woolf”.
Taylor shquhej për aferat dhe skandalet e saj në jetën personale aq sa edhe për talentin në aktrim. E martuar tetë herë, ajo u përndjek nga shtypi dhe përvojat e saj me fotografët e pamëshirshëm ishin fillimi i fenomenit të njohur sot si “paparacët”.
“Momenti kritik ndodhi në Itali kur ajo po xhironte ‘Kleopatrën’. Atëkohë ishte e martuar me Eddie Fisherin dhe kishte një aferë publike me Richard Burtonin. Kështu u shndërrua në shënjestër të paparacëve. Mënyra se si ata e ndiqnin ishte e frikshme dhe ju mund ta shihni në videot e xhiruara, është një çmenduri e vërtetë. Aty janë edhe fëmijët e saj të cilët detyroheshin të fshiheshin kudo. Është vërtet traumatike ta shikosh një gjë të tillë”.
Burstein ka thënë se dëshiron që publiku ta kuptojë se Taylori ishte një “grua komplekse”, e cila ishte më shumë se thjesht një titull gazete apo edhe një personazh filmi.
“Taylor është një grua komplekse. Ajo e jetoi jetën në maksimum. Pa dyshim që ka bërë gabime në jetën e saj private. Por, nuk kishte frikë të rrezikonte dhe të provonte fatin, si në karrierë ashtu edhe në dashuri. Po ashtu nuk frikësohej të luante role të grave me vullnet e karakter të fortë, në një kohë kur diçka e tillë jo domosdo inkurajohej apo respektohej në industri”, ka thënë Burstein. “Ajo portretizoi personazhe komplekse, ishte e përkushtuar në projekte bamirëse në kohën kur shpërthyen rastet me sëmundjen SIDA. Në vitet ‘80 askush nuk po bënte diçka në këtë drejtim dhe ajo ishte një nga njerëzit e parë që foli hapur për SIDA-në dhe mblodhi miliona dollarë për bamirësi, që u dedikoheshin personave të prekur nga kjo sëmundje”.
“Elizabeth Taylor: The Lost Tapes” debuton në kanalin HBO më 3 gusht dhe do të jetë në dispozicionin e publikut përmes platformës digjitale HBO Max.