Kulturë

Elbenita Kajtazi në Olimpin e operës: Realizova ëndrrën

Elbenita Kajtazi si Mimì dhe Saimir Pirgu si Rodolfo në premierën e “La Bohème”, në Operën Shtetërore të Vjenës, të hënën e 28 tetorit

Elbenita Kajtazi si Mimì dhe Saimir Pirgu si Rodolfo në premierën e “La Bohème”, në Operën Shtetërore të Vjenës, të hënën e 28 tetorit

“E kam ëndërruar këtë moment, dhe ndihem shumë e lumtur që kam arritur të dal në këtë skenë që është edhe Olimpi i të gjitha skenave operistike në botë”, ka thënë Elbenita Kajtazi, ende nën emocionet e skenës, pas debutimit të saj në skenën që e kishte synuar: Opera Shtetërore e Vjenës. Aty është ngjitur si Mimì në “La Bohème” tok me tenorin e njohur shqiptar Saimir Pirgu në rolin e Rodolfos. Në skenë është shkëlqimi i saj në produksionin madhor, i dhënë premierë të hënën mbrëma. Në prapaskenë, edhe takimi me të madhin Plácido Domingo, për të cilin nuk e dinte se ishte në sallën që nuk zinte më publik

Ka qenë një ëndërr e kahershme e saj, dukej e largët kur ulej si shikuese në sallën madhështore të Operës Shtetërore të Vjenës, por tashmë nuk është e tillë. Sopranoja Elbenita Kajtazi i realizon ëndrrat, dhe pjesa tjetër është histori. Natyrisht, histori suksesi me shumë kapituj. Një datë si vulë në karrierë: 28 tetori. Një titull: Opera “La Bohème”. Një rol: Mimì. Salla plot, shumë duartrokitje, komplimente prej emrash të shquar të botës operistike. 

Ndër to edhe Plácido Domingo, që nuk përmbahet dot dhe sopranos i troket në derën e gardërobës për ta përgëzuar qysh në pauzën e shfaqjes dyorëshe, rikthehet ta takojë edhe në fund të saj. 
Këto janë prapaskenat. Në skenë është shkëlqimi i saj në produksionin madhor, i dhënë premierë të hënën mbrëma. Qoftë vetëm posteri i shfaqjes është krenari. Dy emrat në krye: Kajtazi dhe tenori shqiptar Saimir Pirgu, që luan rolin e Rudolfos në operën e Puccinit, e cila në Operën Shtetërore të Vjenës vjen në produksionin e mirënjohur të regjisorit italian Franco Zefirelli.

Solistët e “La Bohème” në Operën Shtetërore të Vjenës, të hënën e 28 tetorit  

“Është një ndjenjë e përmbushjes...”

Ende nën emocione ka qenë sopranoja e mirënjohur pa u bërë 24 orë pas premierës, në një bisedë telefonike për KOHËN. 

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme, është një ndjenjë e përmbushjes, sepse kam punuar për këtë moment tash e 15 vjet. Që kur kam qenë në bankat e shkollës ‘Tefta Tashko’ në Mitrovicë e kam ëndërruar këtë moment, dhe ndihem shumë e lumtur që kam arritur të dal në këtë skenë që është edhe Olimpi i të gjitha skenave operistike në botë”, ka thënë Kajtazi të martën në mbrëmje. 

Qysh në prillin e sivjetmë kur u dha lajmi se ajo do të debutojë në Operën Shtetërore të Vjenës,

Kajtazi do ta cilësonte si kthesë historike në karrierën e saj, sepse kjo ishte skena që kishte synuar. Roli i Mimìsë nuk është i panjohur për të, e ka luajtur edhe në skenën operistike gjermane – si në Dresden e Hamburg – ku ka kohë që ka lënë shenjë. 

Suksesin e radhës s’e mban vetëm për vete. Merr edhe peshën e përfaqësimit të shtetit. 

“Jam shumë e lumtur që e kam përfaqësuar shtetin tonë për herë të parë në këtë shtëpi operistike, e cila për çdo këngëtar është nder dhe kënaqësi të dalë dhe të performojë aty. Aty kanë performuar emra të cilët i kam ndjekur si e re dhe jam inspiruar nga ta. Për herë të parë kam qenë në publik kur ka kënduar Ermonela Jaho rolin e ‘Traviatas’ në vitin 2012, dhe natyrisht që ndihem e lumtur që ia kam arritur qëllimit tim”, ka thënë Kajtazi.

Ikona e operës Plácido Domingo dhe Elbenita Kajtazi, pas premierës së “La Bohème”, në Operën Shtetërore të Vjenës, të hënën e 28 tetorit  

Salla plot, adhurues që presin artistët

Qëllimit ia ka arritur me rol madhor. Të tillë edhe me interpretim. Roli i Mimìsë është kyç në operën e njohur që e zhvendos publikun në Parisin e para një shekulli. Libreti i operës “La Bohème” përqendrohet në marrëdhëniet midis Rodolfos dhe Mimìt, duke përfunduar me vdekjen e saj. Vlerësohet se bazohet në romanin “Scenes de la vie de boheme” të Henri Murger të vitit 1851. Në tekstin shpjegues për operën shkruhet se sidomos akti i parë dhe ai i katërt ndjekin krejtësisht historinë e romanit. E Mimì dhe Rudolfo janë dy zëra shqiptarë që pushtojnë skenën në objektin e ndërtuar në vitin 1869.

Imazhet nga premiera janë mbresëlënëse. Në premierë s’ka vende bosh. Edhe biletat e dy reprizave gati janë shitur. 

Kajtazi kur ka folur për performancën ka thënë se gjithçka ka shkuar mirë. Ka folur edhe për produksion që ekziston prej vitit 1965, regjinë e të cilit e ka bërë Franco Zeffirelli, tashmë i ndjerë.  

“Është një produksion i vjetër dhe është kënaqësi gjithmonë me dalë e me performu në produksione të tilla që janë shumë të detajuara dhe të ndjeshme. Ky produksion i ‘La Bohème’ nën regji të Zeffirellit e përshkruan në mënyrë perfekte dashurinë e Mimìt dhe Rodolfos dhe jetën e katër studentëve të rinj të cilët jetojnë në kushte jo shumë të mira në Paris. Është kënaqësi natyrisht me qenë pjesë e këtij produksioni”, ka thënë ajo. 

Videot e fotot e shpërndara në rrjete sociale e përçojnë një grimë magjinë e atmosferës në sallë. Por Kajtazi zbardh edhe prapaskena të tjera. 

“Publiku na priti shumë ngrohtë, shumë mirë. E gjithë salla, me një kapacitet prej diku 1800 ulësesh, ka qenë e mbushur dhe asnjë ulëse nuk ka qenë në fakt e lirë. Natyrisht se ishte ndjenjë e papërshkrueshme me e pa atë teatër aq të bukur dhe me performu në skenë aq madhështore, sidomos kur sheh që çdo ulëse e teatrit është e zënë. Ndjenjë e mrekullueshme dhe na kanë pritur shumë mirë, si gjatë shfaqjes ashtu edhe pas saj, duke u grumbulluar te hyrja e artistëve për të na përshëndetur dhe për të marrë nënshkrime. Ka qenë vërtet një ëndërr”, ka thënë Kajtazi.

Elbenita Kajtazi dhe Saimir Pirgu, dy personazhet kryesorë të “La Bohème” pas premierës në Operën Shtetërore të Vjenës, të hënën e 28 tetorit  

Treminutëshi që të zë frymën

Ani pse qe në debutim, Kajtazi ka thënë se roli i tanishëm në njëfarë mënyre e ka përfshirë gjithë punën e saj kaq të gjatë në këtë drejtim. 

“Ka qenë një debutim, i cili nuk mund të gënjej më ka dhënë shumë stres dhe ka qenë me një përgjegjësi shumë të madhe. Por kam punuar jashtëzakonisht shumë dhe para se të vija këtu jam përgatitur mirë. Edhe rolin e Mimìsë e kam performuar tashmë edhe në Hamburg në Dresden. Për nga roli kam qenë e përgatitur në çdo aspekt, por natyrisht se është një ndjenjë e përzier”, ka thënë sopranoja e njohur. Njësoj si detajet e shfaqjes që ajo i çmon, edhe vetë Kajtazi flet në detaje për interpretim. 

“Sado që është e bukur, e kam atë treminutëshin e parë që duket sikur ta zë frymën, derisa të fillojë komplet shfaqja. Por përfundimi ka qenë shumë i mirë”, ka thënë për operën kur pos saj e Pirgut luajnë edhe Leonardo Neiva si Marcello, Martin Häßler si Schaunard, Ilja Kazakov si Colline dhe Anna Bondarenko si Musetta.

Posteri për operën “La Bohème” në Operën Shtetërore të Vjenës

Plácido Domingo në publik – veçantia e mbrëmjes

Por një emër i shquar në publik s’është përmbajtur që ta presë përfundimin e shfaqjes për ta përgëzuar sopranon e Kosovës. 

“E veçanta e këtij debutimi ka qenë pa dyshim prezenca e Plácido Domingos në publik. Unë nuk kam qenë në dijeni se ai është prezent në sallë, por kur mbaroi pjesa e parë, ai bashkë me bashkëshorten e tij erdhën te dhoma ime dhe më uruan me fjalë shumë të mira, duke më komplimentuar për pjesën e parë të shfaqjes dhe patjetër në fund të shfaqjes ai erdhi prapë te gardëroba dhe fjalët e tyre kanë domethënie shumë të madhe për mua. Kjo ka qenë një prej gjërave të veçanta që kanë ndodhur mbrëmë gjatë shfaqjes”, ka thënë Kajtazi. 

Ka çmuar bashkëpunimin e ndarjen e skenës me tenorin Saimir Pirgu. 

“Jam ndier gjatë gjithë kohës e mbështetur, e mbrojtur nga ai dhe është kujdesur për mua në një mënyrë të papërshkrueshme. Ka qenë kënaqësi me e nda skenën me të, me këndu së bashku dhe me i aktru dy role që janë të dashuruar me njëri-tjetrin. Ka qenë vërtet ndjenjë e bukur ta ndaja skenën me Saimirin”, ka thënë Kajtazi. 

Në skenën e Operës Shtetërore të Vjenës, Elbenita Kajtazi si Mimì e “La Bohème” do të rikthehet edhe më 31 tetor dhe më 2 nëntor. 

Por jo pak bashkëvendës së saj s’i kanë pritur reprizat. Në mesin e tyre edhe mexosopranoja Flaka Goranci, kantautorja Vjollca Robelli-Mripa e njohur me emrin skenik Ajo, njashtu sikurse edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. 

“Ka qenë kënaqësi me e pa për herë të parë një kosovare të performojë në njërën nga skenat më të rëndësishme të operës në botë. Elbenita ishte e mrekullueshme, me një zë të fuqishëm, por në të njëjtën kohë mjaft sensitive. Kishte prezencë në skenë dhe aktrimi i saj ishte mbresëlënës. Në ulëset para nesh e dëgjoja publikun të komentonte që Elbenita është shqiptare nga Kosova, e si të njihet më mirë vendi ynë në botë, porse nga artistët”, ka thënë Robelli-Mripa në një deklaratë për KOHËN. 

Por zëri i Kosovës i rikthehet vendit të vet. Dita e pestë e nëntorit do ta gjejë në skenën e Prishtinës. Direkt nga Olimpi botëror i operës, dikur i ëndërruar, tash realitet.