Roli i Mimisë nga opera “La Bohème” ishte ëndërr e kamotshme për sopranon nga Kosova, Elbenita Kajtazi. Ishte realizuar në fillimqershorin e 2022-s. Synonte edhe diçka tjetër. Të ngjitej në skenën e Operës Shtetërore të Vjenës. Të dielën ka dhënë lajmin se momenti historik në karrierën e saj po vjen. Ajo është ftuar të interpretojë në produksionin që do të jepet premierë në tetor të këtij viti.
“Jam shumë e nderuar dhe e lumtur që në sezonin e ardhshëm do të ngjitem në një ndër skenat më të rëndësishme të botës operistike, e ajo është Opera Shtetërore e Vjenës”, ka njoftuar sopranoja Kajtazi, duke bërë të ditur se opera “La Bohème” e Puccinit vjen si produksion i italianit Franco Zafirelli.
“Në produksionin e mirënjohur të Franco Zefirellit ku kanë performuar këngëtarë të mëdhenj lirikë, do të kem mundësinë të vesh petkun e Mimisë, nga opera ‘La Boheme’. Ky do të jetë një moment historik në karrierën time, pasi në të gjithë këto vite pune dhe përkushtimi, kjo është pikërisht skena që kam synuar”, ka shkruar ajo më tej në rrjete sociale.
Sopranoja nga Kosova krahas Saimir Pirgut
Opera Shtetërore e Vjenës është një nga operat kryesore në botë me traditë të gjatë. Çdo sezon programi përfshin 350 shfaqje të më shumë se 60 operave dhe baleteve të ndryshme. Kjo operë fton artistë të nivelit botëror të cilët interpretojnë bashkë me anëtarët e përhershëm të ansamblit të këtij institucionit, si dhe Orkestrën Filharmonike të Vjenës. Ndërtesa e saj magjepsëse është ndërtuar në vitin 1869.
Opera “La Boheme” ku do të luajë sopranoja Kajtazi do ta ketë premierën më 28 tetor, ndërsa të tjera shfaqje do të ketë edhe më 31 tetor, 2 nëntor, 24, 26 e 29 janar dhe 3 shkurt.
Bashkë me të, protagonist tjetër kryesor në operën e famshme do të jetë tenori shqiptar Saimir Pirgu si Rudolfo, Leonardo Neiva si Marcello, Martin Häßler si Schaunard, Ilja Kazakov si Colline dhe Anna Bondarenko si Musetta.
Shfaqja lirike me katër akte e “çon” publikun në Paris, duke kthyer kohën prapa për më shumë së një shekull. Së pari herë u shfaq në Torino në vitin 1896, dhe që atëherë është pjesë e pashmangshme e repertorit operistik. Është një prej veprave më të luajtura në botë.
Libreti i operës “La Boheme” përqendrohet në marrëdhëniet midis Rodolfos dhe Mimìt, duke përfunduar me vdekjen e saj. Vlerësohet se bazohet në romanin “Scenes de la vie de boheme” të Henri Murger të vitit 1851. Në tekstin shpjegues për operën shkruhet se sidomos akti i parë dhe ai i katërt ndjekin krejtësisht historinë e romanit.
“Bajar Berisha Stidendium”
Ariet e Mimisë nga opera “La Boheme” të Puccinit – rol me të cilin do të paraqitet në Operën Shtetërore të Vjenës, sopranoja Elbenita Kajtazi i kishte punuar gjatë studimeve në Prishtinë me profesorin Bajar Berisha, i cili vdiq në fillim të këtij viti në moshën 73-vjeçare. Kajtazi me zërin e saj ka pushtuar institucione prestigjioze operistike e teatro magjepsëse. Sukseset e deritanishme ia kushton, midis të tjerash, profesorit Berisha, nëpërmjet një çmimi a burse që e ka emërtuar “Bajar Berisha Stidendium”.
Çmimi ka për qëllim përkrahjen e studentëve shqiptarë në Gjermani që synojnë karrierë në fushën e artit e kulturës. Ishte ëndërr e kamotshme e sopranos nga Kosova që mori jetë të enjten kur u konkretizua ky çmim.
Kajtazi ka thënë se kjo është mënyra se si ajo, nderon dhe vlerëson punën e dirigjentit dhe profesorit Berisha.
“Formimi i kësaj burse në emrin e profesorit Bajar Berisha është një homazh për të dhe është një mënyrë sesi unë dua të nderoj emrin dhe punën e tij të palodhshme që ka bërë në Universitetin e Prishtinës. Profesori Berisha ka qenë dirigjent i mrekullueshëm që meriton mirënjohje dhe nderime”, ka thënë ajo.
Ajo ka kujtuar kohën kur si studente gjente përkrahjen e përkushtimin në studimin e veprave operistike. Përgatitje që tash rezulton edhe në paraqitjen dinjitoze të sopranos Elbenita Kajtazi në rolet më të rëndësishme të repertorit operistik.
“Ka besuar fort në potencialin tim, më ka përkrahur në mënyrë të pakushtëzuar. Ka qëndruar me orë të tëra në Fakultet me mua duke studiuar vepra të Mozartit, Puccinit e Verdit, ky fakt më ka frymëzuar tej mase dhe gjithmonë e kam vlerësuar si një ndër profesorët më të përkushtuar në Universitetin e Prishtinës. Ariet që kisha përzgjedhur të këndoja në audicionet e mia në Berlin, i kam përgatitur pikërisht me profesorin Bajar Berisha“.
Laureati i parë i “Bajar Berisha Stidendium” është kontrabasisti Fitim Ukiqi, student në Akademinë e Muzikës në Darmstadt të Gjermanisë. Donacionet të cilat u mblodhën në koncertin inaugurues më 25 prill, arritën shifrën prej gjithsej 14 mijë eurosh. Kontrabasisti Ukiqi u ngjit në skenë për të interpretuar së bashku me Elbenita Kajtazin, pianistet Elda Laro dhe Camille Lemonnier.
“Jam tej mase falënderues ndaj Elbenita Kajtazit për ndihmën e madhe, për ngrohtësinë, për mundësinë të jem pjesë e kësaj shoqërie të mrekullueshme... Jam shumë i lumtur që tash e tutje do ta kenë mundësinë edhe studentë të tjerë në vitet e ardhshme të marrin mbështetjen e duhur”, ka shkruar Ukiqi në njoftimin e tij.
Kajtazi, e cila karrierën po e zhvillon në të gjithë botën, ka thënë se Ukiqi meriton të përkrahet kur merret parasysh përkushtimi i palodhshëm prej muzikanti dhe karakteri i tij luftarak.
“Fitimin e veçon karakteri luftarak që ka. Një student që nuk dorëzohet para çdo sfide, punon shumë, është shumë i përkushtuar për të arritur në drejtimin e tij, pa dyshim që meriton të përkrahet. E kemi parë jashtëzakonisht të arsyeshme që ai duhet ta fitojë këtë bursë, sepse e gjithë ideja ka lindur nga nevoja për ta mbështetur Fitimin”, ka thënë Kajtazi në një përgjigje për KOHËN.
Në përgjithësi, sipas saj, tashmë ka një adresë mbështetje për studentët që studiojnë në Gjermani në fushën e artit e kulturës, pasi kostoja është më e kushtueshme.
“Kjo bursë ka për qëllim të përkrahë studentë të cilët studiojnë në një nga këto degë të artit si në muzikë, pikturë, aktrim, balet, regji e të tjera. Shumë shpejt do të bëjmë publike mënyrën dhe kushtet e aplikimit për të qenë një ndër fituesit potencial të kësaj burse”, ka thënë ajo.
Sopranoja Kajtazi ka bërë të ditur se kontribuues të kësaj nisme janë Leonie dhe Lars Bogdahn, “The Studios Brand Design”, organizata “ODA e.V.” në Hamburg në krye më Muhamet Idrizin, si dhe bashkëshorti i saj, kompozitori Ardian Gega. Ata, bashkë me sopranon Kajtazi, do të jenë edhe anëtarë të jurisë përzgjedhëse për fituesin e vitit të ardhshëm.
Kompozitori Gega nëpërmjet një postimi e ka vlerësuar Çmimin si “hap shumë i rëndësishëm për kulturën tonë dhe për të gjithë ata të rinj, që me shumë pasion studiojnë dhe përballen çdo ditë me vështirësi të ndryshme”.