Prej një skene si Opera Shtetërore e Vjenës, sopranoja e shquar Elbenita Kajtazi ka aterruar në Prishtinë me magjinë e zërit të saj. Prej sukseseve në metropole ka aterruar edhe “Siparantum”, kori tashmë i dëshmuar gjithandej. Emëruesi i përbashkët i tyre është magjia e zërit. E në koncertin në Prishtinë, i bashkon edhe sfidimi i kushteve që tashmë janë shndërruar në “rekuizitë” të secilës ngjarje. Kanë hapur “ReMusican”, festivalin i cili tash 23 vjet sjell emra të shquar në po të njëjtat salla
Javën e kaluar publiku në Operën Shtetërore të Vjenës është zhvendosur prapa në kohë e hapësirë. Ka parë një shfaqje që sjell Parisin e para një shekulli. Këtë e ka përjetuar nëpërmjet operës “La Bohème” libreti i së cilës nxjerr në pah marrëdhëniet midis Rodolfos dhe Mimìt, duke përfunduar me vdekjen e saj.
Mimì (Elbenita Kajtazi) dhe Rudolfo (Saimir Pirgu) qenë dy zëra shqiptarë që pushtuan skenën në objektin e ndërtuar në vitin 1869. E, ylli i “La Bohème”, Elbenita Kajtazi, prej Vjenës ka zbritur më në jug të Evropës. Të martën mbrëma ka interpretuar në hapjen e festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”.
Elbenita Kajtazi tashmë është emër i dëshmuar i skenave të mëdha operistike. Talenti e përvoja e bëjnë atë ta ketë një aurë të padiskutueshme në raport me publikun. Thjeshtësia ia rrit madhështinë. Fillimisht u kërkon falje të pranishmëve që nganjëherë do të interpretojë ulur shkaku i shtatzënisë. Por pak ka rendësi se a do të jetë ulur apo në këmbë. Ajo është Elbenita Kajtazi.
E përcjellë në piano nga Elda Laro, Kajtazi ka interpretuar disa prej arieve më të njohura të operave të Puccinit, Tchaikovkit e të Charles Gounod. Ka befasuar publikun duke interpretuar edhe arien e Mimìt. Në këtë rast ka dalë nga programi.
“Po ta dija se do të ishte këtu edhe Rama (Ramë Lahaj v.j.) do të interpretonim dialogun”, ka thënë ajo me buzëqeshje. Monologu i Mimìt është tejet dramatik. Kajtazi ka prani të fortë në skenë, duke bërë që të mbulohen telashet e pashmangshme lokale si lëvizjet brenda sallës, zhurma e kushtet aspak profesionale për arie të tilla. Bashkë me pianisten Elda Laro, Kajtazi i ka dhënë ngjyrë të sallave evropiane të operave Ateliesë së Pallatit të Rinisë. Aso ngjyre që publiku vendor rrallë i has në të dhe për një shtet të ri, talentet si Elbenita Kajtazi janë shembull i domosdoshëm.
Mbrëmja hapëse e “ReMusicas” për sivjet ka nisur me koncertin e yllit operistik e ka vazhduar me atë të korit “Siparantum” që në fund të muajit të kaluar doli i artë në garën e 50 koreve në Spanjë.
Formacioni koral, i njohur edhe në botë, ka sjellë program të cilin e ka interpretuar në disa vende evropiane e përtej këtij kontinenti. Spektakli që ofrojnë rreth 50 anëtarët e korit ka marrë vëmendjen e publikut që me daljen në skenë duke interpretuar “Tshotsholoza” të Jeffery Ames.
“Media vita” e Michael McGlyn e “Fire” e Katerina Gimon qenë midis veprave të interpretuara. Në Atelienë e Pallatit të Rinisë kanë interpretuar edhe veprën e Baki Jasharit, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”. “Siparantum” me vokalin e tij e bashkë me dramacitetin që u jep veprave nëpërmjet lëvizjeve koreografike, ka bërë që publiku të shohë interpretimin e korit që së fundmi në Spanjë ka marrë Çmim special për program kontemporan e interpretim në skenë.

“Dy koncertet ishin ide e qëlluar me diversitet, por me lidhje të përbashkët që ishte vokali. Ishte e mrekullueshmja Elbenita Kajtazi që po na bën krenarë në botë e po ashtu ’Siparantum’ që po na bën krenarë në gjithë botën duke sjellë medalje të arta”, ka thënë ish-drejtori i Filharmoinisë së Kosovës, Baki Jashari, njëherësh kompozitor i “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”. Ka treguar se kjo vepër daton qysh nga vitit 1986 kur ishte ende në Slloveni dhe veprën e ka shkruar me motivim të profesorit Rafet Rudi që atëherë ishte dirigjent i Korit të RTP-së.
“Orientimi im ishte të bëj diçka kombëtare dhe gjeta poezinë e Din Mehmetit që përshkruan vuajtjet e popullit tonë dhe aspiratat për liri. Teksti tregon se kemi qenë nën okupim dhe kërkohet një dalje nga ajo gjendje. Për herë të parë është interpretuar më 1988 në Sallën e Kuqe nën interpretimin tim”, ka kujtuar Jashari. Sipas tij, vepra nën interpretimin e “Siparantum” vjen e adaptuar me koreografi duke i dhënë qasje më bashkëkohore që i shkon fort për shtati formatit muzikor të këtij kori.
Dirigjenti i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, ka thënë se me modesti duhet të kujtojë se kohëve të fundit janë mësuar të interpretojnë në skena të mëdha e shumë të përshtatshme për muzikë korale.
“Rikthimi në Prishtinë e në këtë festival është ndjesi e veçantë pasi interpretojmë para publikut vendës dhe emocionet janë krejtësisht të tjera, energjia është ndryshe e kujdesi është më i madh”, ka thënë ai.
Ka shtuar se kanë bërë më të mirën brenda vetes por akustika është shumë telashe pasi ndodh që anëtarët e korit me vështirësi ta dëgjojnë njëri-tjetrin.
“Uroj që në koncertin e radhës të jemi në një skenë më të mirë. Vendi ynë përballet me këtë problem vazhdimisht. Kemi zgjedhur një program që kemi interpretuar në disa vende. Jam thellësisht i lumtur që këtë mbrëmje e kemi ndarë me kolegen time që është inspirim për secilin artist, Elbenita Kajtazin”, ka thënë ai.
Problemet me ambientet ku mbahen koncertet i kanë përmendur edhe organizatorët në hapje të festivalit. Përballë kanë pasur edhe kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, e ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Kanë apeluar për kushte më të mira dhe kanë thënë se do të ndihmonin procesin për një sallë të re.
“Përkundër që xhaketa e këpucët na rrinë të ngushta duhet të vazhdojmë”, ka thënë producenti i Festivalit, Viktor Berishaj, pas koncerteve që kanë hapur edicionin e 23-të. Sa i përket natës hapëse ka thënë se kishte program tejet kualitativ.
“Po më duket që treguesi më i mirë ishte reagimi i publikut pas dy koncerteve. Më mbarë nuk do të mund të niste. Ishte një nismë e mbarë”, ka thënë ai.
“ReMusica” sivjet bashkon emra të mëdhenj të muzikës klasike nga vendi e bota duke zhvilluar program shumë të ngjeshur deri në ditën e tetë të këtij muaji, kur do të interpretojë edhe kori i Filharmonisë së Kosovës e në skenë do të jetë edhe kitaristi Petrit Çeku. Do të shënohet 75-vjetori i kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi duke përmbyllur edicionin e sivjetmë të Festivalit.