Unaza masive prej ari me diametër 25 milimetra dhe peshë 13,64 gramësh, e zbukuruar me imitim filigrani me një pllakë dekorative në formë katrore me germat e gdhendura VTF (utere felix), është njëri prej artefakteve të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Naronës, në Vid afër Dubrovnikut. Pos peshës si artefakt, interesante është edhe gjetja e saj në vitin 1896
Në kopshtin e kasapit Antun Marek në Vinkovc të Kroacisë, gjatë hapjes së një grope për magazinim, në një thellësi prej dy metrash, do të zbulohej një varr i murosur romak me skelet dhe aksesorë të pasur brenda. Ishte vjeshta e vitit 1896.
E tash, një artefakt i asaj kohe mund të shihet në ekspozitën në Muzeun Arkeologjik të Naronës, në Vid afër Dubrovnikut.
Në varr asokohe u gjetën fragmente enësh prej qelqi dhe dy objekte: një fibul argjendi dhe unaza e floririt. Unaza është e veçantë edhe për shkak të mbishkrimit që ka.
Unaza masive prej ari me diametër 25 milimetra dhe peshë 13,64 gramësh është e zbukuruar me imitim filigrani dhe ka një pllakë dekorative në formë katrore me germat e gdhendura VTF (utere felix). Shprehja VTERE FELIX , “përdoreni këtë me fat” shfaqet shpesh në objekte të ndryshme antike, në variante dhe shkurtesa të ndryshme si VF, VTF, VTE, VTR.F e të ngjashme.
Mbishkrimit mund t’i shtohej emri i pronarit ose hyjnisë ose ndonjë shprehje tjetër si VIVAS, VIVAS IN DEO. Shprehje të tilla shfaqen në unaza të çmuara, në unaza vulash ose mbishkrim i gdhendur në një kokë dekorative. Ato shfaqen si dekor në sende të ndryshme personale, si bizhuteri - unaza, byzylykë e të tjera, pasqyra, pajisje ushtarake - fibula, grupe rripash”, shpjegoi Nikoleta Perok, kuratore e lartë në Muzeut Arkeologjik të Zagrebit.


Kjo unazë nga Vinkovci (në gjuhën romake: Cibale) e ka origjinën nga nekropoli lindor, ku gjatë ndërtimit të shtëpive në një rrugë lokale, janë gjetur disa varre romake me artefakte brenda. Disa vjet më vonë, kasapi Marek po zgjeronte magazinën e tij dhe hasi në pjesë të të njëjtit varr me tulla me gjetje të tjera interesante si mbetjet e enëve prej qeramike dhe tri enë bronzi.
Në koleksionin muzeor të bizhuterive prej argjendi dhe ari, përveç këtij të Vinkovcit, një mbishkrim i ngjashëm (VTR.F) është gdhendur në një unazë të thjeshtë ari nga Surduku dhe në një unazë argjendi e gjetur në Sisak (VTE).
Në Muzeun Arkeologjik të Naronës, ekspozita e unazave romake prej ari nga koleksioni i Muzeut Arkeologjik në Zagreb, do të jetë e hapur deri më 8 maj.
Për romakët, unaza ishte më shumë sesa thjesht bizhuteri dhe përveç qëllimit të saj dekorativ, si zbukurim në dorë, kishte kuptim simbolik dhe mistik. Në burimet antike përmendet me emra të ndryshëm si condalium, ungulus dhe më shpesh si annulus.
Varësisht nga materiali, unaza kishte rol të rëndësishëm në përcaktimin e statusit në hierarkinë ushtarake dhe civile. E drejta për të mbajtur një unazë ari ishte përcaktuar me ligj të veçantë. Romakët mbanin më shpesh një unazë në gishtin e katërt, pastaj në gishtin tregues dhe në fund, në gishtin e vogël.
Në ekspozitën “Unaza romake prej ari nga fondet e Muzeut Arkeologjik të Zagrebit”, prezantohen 65 unaza romake të arit, të cilat janë pjesë të koleksionit prej argjendi dhe ari të bizhuterive romake nga fondusi muzeor. Shumica e unazave erdhën në muze me blerje ose si dhuratë dhe janë gjetur në lokalitete të ndryshme arkeologjike si Siscia, Asseria, Viminacium, Sirmium, Burgenae dhe të tjera.
Marrë nga “Jutarnji List”. Përktheu KOHA