Më shumë se 250 vepra nga artistë amatorë dhe të njohur uellsianë janë të ekspozuara në Bibliotekën Kombëtare të Wallesit, deri në shtator të vitit 2025. “No Welsh Art” shpalos narrativën e kombit përmes artit vizual por mbi të gjitha shkatërron mitin se “nuk ka art” në këtë vend
Deklarata e famshme, se “nuk ka art uellsian”, mohohet fuqishëm në një ekspozitë kreative të hapur në Bibliotekën Kombëtare të vendit, në një kohë kur publiku vazhdon të bëjë thirrje për krijimin e një galerie të përhershme kombëtare të artit në Wales.
Më shumë se 250 vepra nga piktorët e dashur uellsianë si, Gwen John dhe Kyffin Williams, janë vendosur krah veprave nga artistë të panjohur dhe amatorë, në Bibliotekën Kombëtare të Walesit në Aberystwyth, me qëllimin për të treguar narrativën e kombit përmes artit vizual – dhe për të shkatërruar mitin që spekulon se “nuk ka art” në këtë vend.
Peter Lord, historian i artit, koleksionist dhe kurator i ekspozitës, ka thënë se komenti i bërë në vitin 1950 nga Llewelyn Wyn Griffith, kryetar i komitetit uellsian të Këshillit të Artit të Britanisë së Madhe në atë kohë, pasqyronte zgjuarsinë e asaj periudhe. Ai e quajti këtë koment “absurd”, por ndikimi i tij vazhdon të jetë i pranishëm.
Lord filloi të koleksiononte artin e Walesit në vitet ‘80, duke siguruar vepra që tregonin historinë e Walesit dhe jo vetëm ato që mund të konsideroheshin art i nivelit të lartë.

“Krijova koleksionin tim sepse ne nuk kemi një galeri kombëtare me një narrativë të historisë sonë të artit. Kjo na bën mjaft të veçantë në Evropë. Gati çdo vend, madje edhe shtetet e vogla, kanë një galeri të këtij lloji”, ka thënë ai.
Ekspozita, e cila vazhdon deri në shtator, përfshin 150 vepra nga koleksioni i tij dhe 100 të tjera nga koleksioni i bibliotekës.
“Ajo që jemi përpjekur të bëjmë në këtë ekspozitë, është të krijojmë një model për një galeri kombëtare të artit historik uellsian”, ka thënë Lord.
Adhuruesit e peizazheve të maleve të pikturuara në veprat e Kyffin Williamsit dhe natyrave të brishta në ato të Gwen Johnit, do të gjejnë piktura për t’i shijuar në këtë ekspozitë. Aty përfshihet gjithashtu një portret i shkrimtarit Llewelyn Wyn Griffith, i realizuar nga Williams. Por ka gjithashtu shumë vepra që do të jenë të reja për vizitorët, krijuar nga “njerëz të zakonshëm” si Thomas Rain nga Llanidloes, një punëtor i cili kishte gdhendur figura dhe shkrime mbi pllaka guri.
Ekspozita nuk ngurron të shfaqë racizmin në art ndaj njerëzve uellsianë. Si për shembull në karikaturat ku shfaqen njerëz të varfër duke kalëruar mbi dhi. Ajo gjithashtu tregon se si disa uellsianë zgjodhën ta adoptonin këtë imazh dhe ta promovonin atë, siç ilustrohet në logon e një pubi të pikturuar rreth vitit 1835. Një seksion fort tërheqës i ekspozitës përfshin tri piktura nga periudha e depresionit në vitet ‘30, përfshirë këtu pikturën “On the Coal Tips” nga artisti Archie Rhys Griffiths, që paraqet tri gra duke mbledhur copëza thëngjilli.

Po ashtu, fokusohet edhe në artin e protestës, siç është piktura “Tŷ Haf” nga Peter Davies, një imazh i një shtëpie që digjet pas një sulmi zjarrvënës.
“Kjo ishte një pikturë shumë e fuqishme dhe politike”, ka thënë Lord. “Kjo pikturë përmbledh atë që e tërë ekspozita kërkon të bëjë, që është të parashtrohen pyetje për vetveten, për marrëdhënien tonë me kombet e tjera dhe për synimin tonë drejt së ardhmes”.
Ekspozita po ashtu përfshin vepra që janë parë rrallë në të kaluarën, si autoportreti i artistit Edward Owen I pikturuar në vitin 1732. Ajo u zhduk pas ekspozimit në Cardiff në vitin 1927 dhe është rishfaqur vetëm pasi një tregtar amerikan ishte bërë kureshtar për faktin se e mbante emrin e një vendi uellsian në anën e pasme.
Edhe shumë persona të tjerë i janë bashkuar thirrjes së Lordit për një galeri kombëtare. Poeti uellsian, John Barnie, nga Abergavenny në Monmouthshire, ka thënë: “Walesi ka nevojë urgjente për një galeri kombëtare të veten. Kjo është zgjidhja e vetme. Pa të, arti ynë do të mbetet një thesar i padukshëm”.
Skulptori dhe zejtari, David Petersen, nga Saint Clears në Carmarthenshire, e shprehu frustrimin e tij shkurtimisht në librin e vizitorëve duke shkruar: “Pse është dashur kaq shumë kohë për ta hapur këtë ekspozitë fantastike?”.
Ekspozita me titull “No Welsh Art” do të jetë e hapur deri më 6 shtator 2025.