Guri themeltar i Muzeut të Historisë së Natyrës e konkretizimi kurrkah, kanë shënuar tashmë pesëvjetorin përderisa eksponatet struken depove në kompleksin “Emin Gjiku” e shkatërrohen përditë e më shumë. Për më tepër në buxhetin e sivjetmë as që janë paraparë mjete për vazhdimin e objektit në Sllatinë të Vogël të Fushë-Kosovës e ish-punonjësi i Muzeut të atëhershëm të Natyrës, Safet Nishefci, thotë se kaherë ka dhënë alarm. “Është e pabesueshme se si një pjesë e madhe e asaj pasurie ka humbur, e tash dhe pjesa tjetër rrezikohet seriozisht. Më vjen shumë keq për këtë fakt. Unë ende jetoj me kujtimet e atyre eksponateve”, ka thënë ai.
Amfibë, shpezë, gjitarë, peshq dhe reptilë të ndryshëm, shtazë në formaline të vendosura në qelq, vezë të shpendëve, flutura dhe herbariume, janë vetëm disa nga ekzemplarët si eksponate të Muzeut të Historisë së Natyrës. Për nga rëndësia, përbëjnë një koleksion pasqyrues të pasurive të botanikës dhe zoologjisë së Kosovës.
Por, pavarësisht vlerës së tyre, këto eksponate tash e disa vjet fshihen sa në një depo e sa në tjetrën. Derisa planet për një adresë të përhershme, e cila do t’ua kthente dinjitetin nuk shihet ende në horizont, edhe pse kanë kaluar pesë vjet që prej gurit themeltar të Muzeut të Historisë së Natyrës.
Plani fillestar i realizimit ishte menduar që mos e kalonte trevjetëshin, që nga maji i vitit 2019, kur ishte hedhur guri themeltar i ndërtesës nga ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi dhe Kadri Veseli, asokohe kryetar i Kuvendit. Por, ky zotim nuk do të përmbushej. Do të kalonte në duart e mandatarëve të ndryshëm, e do të shndërrohej në një sagë e cila po i kushton eksponateve të vlefshme të cilat fatin e kanë në duart e institucioneve.
I njëjti avaz po vazhdon, e kjo neglizhencë është reflektuar dhe në Ligjin për buxhetin e vitit 2024. Për projektin e Muzeut të Historisë së Natyrës nuk janë destinuar as një cent.
Rrjedhimisht, gjendja dhe jetëgjatësia e qindra eksponateve vihet në diskutim, marrë parasysh se ato vazhdojnë të ruhen në kushte jooptimale, në një objekt joadekuat në kompleksin e “Emin Gjikut”.
Trajtim hiç më të mirë nuk kishin pasur as para këtij destinacioni të fundit. Për më shumë se 15 vjet eksponatet kishin zënë vend në depon e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa në qershor të 2001-tës, do të vendoseshin në njërin prej katër objekteve të kompleksit të dikurshëm të banimit, në dy prej të cilëve është Muzeu Etnologjik. Në vitin 2013 këto eksponate ishin nxjerrë nga bodrumi i Muzeut për herë të parë, 12 vjet pas luftës. Vetëm asokohe, siç kishte raportuar “Koha Ditore”, mbi 100 eksponate artikuj nga fondi prej 1812 sosh, kishin përfunduar në bërllok, pasi ishin shkatërruar.

Këtë gjë e pohon dhe ish-punonjësi i Muzeut të atëhershëm të Natyrës, Safet Nishefci. Fill pas viteve ‘90, eksponatet e ekspozuara në Muzeun Etnologjik më 16 qershor të vitit 2001, do të largoheshin nga aty për në depon e parë, atë të Muzeut Kombëtar.
“Ato eksponate kanë qenë të ekspozuara aq bukur, e tërë Prishtina i ka vizituar ato. Unë kam qenë shqiptari i vetëm si pjesë e stafit kur kam filluar punën aty. Ka pasur eksponate të shumta, ka pasur gjitarë, peshq, reptilë, madje ka ekzistuar dhe një peshk elektrik i ruajtur në një epruvetë, por nuk dihet fati i shumicës prej tyre. Pas vitit 2001 ato u zhvendosën në depon e Muzeut Kombëtar dhe unë vazhdimisht e kam kundërshtuar këtë vendim”, është shprehur Nishefci. Ka treguar se iniciativa për destinimin e këtyre eksponateve ka pasur kaherë. Njëra ndër to, kishte qenë edhe një iniciativë e Komunës së Prishtinës. Sipas Nishefcit, ky institucion kishte lëshuar vendim për krijimin e një kopshti botanik në Taukbahçe, aty do të vendoseshin dhe eksponatet në fjalë.
Fakti se gjendja e këtyre eksponateve po vazhdon që dita-ditës të përkeqësohet, nuk përbën alarm për institucionet përgjegjëse.
I kontaktuar nga KOHA, Muzeu Kombëtar i Kosovës kanë bërë me dije se janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre dhe kujdesi nuk mungon.
“Eksponatet janë të vendosura në një hapësirë të caktuar në kuadër të Kompleksit etnologjik ‘Emin Gjiku’ dhe gjendja e tyre nuk është më e mira por, që ka përkujdesje në aspektin e mirëmbajtjes”, ka qenë përgjigja nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu.
Praktika e ping-pongut institucional vazhdon të jetë evidente, siç ndodh rëndom nëpër institucionet publike. Sipas Muzeut, ata e kanë bërë “pjesën” e tyre, tash fjala i takon Ministrisë.
”Ne kemi ndërmarrë një veprim për sa i përket trajtimit të tyre dhe zhvendosjes në një hapësirë ku kushtet janë shumë më të mira. Lidhur me këtë dhe në përputhje me legjislacion në fuqi, po presim që Ministria e Kulturës të shqyrtojë propozimin tonë dhe të vazhdojmë më tutje. Për ecurinë e mëtutjeshme do t’ju informojmë”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Aliu, e cila i është referuar një propozimi që eksponatet nëpërmjet marrëveshjeve ndërinstitucionale të zhvendoseshin përkohësisht në hapësira më të përshtatshme dhe të trajtohen.

Ecuria e ndërtimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, qe karakterizuar nga një mori komplikimesh qysh në fillim të projektit. Ujdi nuk kishte pasur as për lokacionin. Muzeu i Historisë së Natyrës fillimisht ishte paralajmëruar të ndërtohej në kryeqytet, por MKRS-ja – që asokohe udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Shala – dhe Komuna e Prishtinës nuk ishin marrë vesh. Më 12 dhjetor të vitit 2016, Komuna e Fushë-Kosovës kishte marrë vendim për ta aprovuar kërkesën për caktimin e lokacionit. Parcela qe ndarë në hapësirën që quhet “Te pishat”, në fshatin Sllatinë e Vogël.
Rëndësia e këtyre eksponateve dhe vlera që ato paraqesin si tregues i biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore të vendit, e kishte inspiruar vite më parë dhe artistin e mirënjohur Petrit Halilaj. “She, fully turning around, became terrestrial” qe ekspozita e vitit 2015 në Bon të Gjermanisë, e cila pikërisht i referohej fatit të eksponateve të Muzeut të Natyrës në Kosovë. Halilaj pas një hulumtimi mbi historinë e koleksionit të Muzeut Historik Natyror kishte gjurmuar eksponatet e balsamosura dhe ekzemplarët e tjerë të dëmtuar nga neglizhenca prej vitesh dhe i kishte rikrijuar ato në skulptura prej materialeve natyrale si dheu, druri e gurët. Në ekspozitën në fjalë ai kishte rikontekstualizuar ato duke u dhënë interpretim që lidhet me kujtesën e tij personale me Muzeun e Natyrës në Kosovë dhe rëndësinë e historisë që bartin eksponatet e tilla për një shoqëri.
Rëndësi të njëjtë këto eksponate kanë dhe për Nishefcin. Ndërkaq trajtimin joadekuat të tyre ai zor se pranon ta besojë.
“Është e pabesueshme se si një pjesë e madhe e asaj pasurie ka humbur, e tash dhe pjesa tjetër rrezikohet seriozisht. Më vjen shumë keq për këtë fakt. Unë ende jetoj me kujtimet e atyre eksponateve, me gëzimin e nxënësve të shkollave kur vinin t’i shihnin ato eksponate, pyetjet e shumta që i bënin. Dhe tash nuk mund ta kuptoj se si nuk ekziston një sektor i natyrës”, ka shtuar Nishefci, duke thënë se ka tentuar që të ofrojë ndihmë nga ekspertiza dhe përvoja e tij që t’i udhëzojë institucionet por ka hasur në vesh të shurdhër.