Kulturë

Ekipi i “Të gjashtët kundër Turqisë” gati për shfaqjen në Sarajevë

Presioni i autoriteteve turke ia doli ta anulonte dy herë në Prizren. Shfaqja denoncon autokracinë si fenomen.

Presioni i autoriteteve turke ia doli ta anulonte dy herë në Prizren. Shfaqja denoncon autokracinë si fenomen.

Ekipi i shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” ka mbërritur në Sarajevë. Përgatitjet për të dhënë shfaqjen në Teatrin Kombëtar të kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës. “Ne natyrisht jemi të gatshëm për ta dhënë shfaqjen. Me gjithë kundërshtitë e pakënaqësinë e një pjese të politikës atje, shfaqja do të jepet”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj me të mbërritur në Sarajevë të dielën vonë. Teatri Kombëtar i Sarajevës është zotuar se “s’njeh censurë”

Midis thirrjeve për të ndaluar dhënien e shfaqjes dhe atyre mbështetëse, ekipi i “Të gjashtët kundër Turqisë” është gati për të dhënë sonte shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Sarajevës. Ky institucion është duke i mirëpritur me bindje se nuk njohin censurë. Thirrjet për anulim kanë vazhduar e ato në mbështetje të lirisë artistike po ashtu.  Shteti turk vazhdon të jetë kundër përderisa udhëheqës institucionalë në Bosnjë e Hercegovinë janë të ndarë. 

Ekipi i shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” ka mbërritur në Sarajevë. Përgatitjet për të dhënë shfaqjen në Teatrit Kombëtar të kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës. Sot (e hënë) në orën 14:30 është paraparë të mbahet një konferencë për media në Teatër sa i përket produksionit të Qendrës “Multimedia” që do të jepet në kuadër të programit “Teatri regjional”. 

“Ne natyrisht jemi të gatshëm për ta dhënë shfaqjen. Me gjithë kundërshtitë e pakënaqësinë e një pjesë të politikës atje, shfaqja do të jepet”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj me të mbërritur në Sarajevë të dielën vonë. Sipas tij, më shumë se kundërshti ka pasur mbështetje. 

“Vërtet ka qenë inkurajuese mbështetja e parezervë e Teatrit Kombëtar të Sarajevës, e komunitetit artistik, intelektualëve dhe e një pjese të madhe të mediave”, ka thënë autori i tekstit të shfaqjes, i cili po ashtu është edhe udhëheqës i Qendrës “Multimedia”. 

Zërat e disa politikanëve kundër dhënies së shfaqjes kanë vazhduar. Anëtari i Kuvendit të Kantonit të Sarajevës, Jasmin Shaljiq, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe  Ministrisë së Kulturës që, si themelues dhe financues, të ndikojnë te menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Sarajevës që të anulohet shfaqja “e kësaj vepre fyese për autoritetet turke, e cila po arsyetohet me pretendimin se është liri artistike”.

“Çfarë lirie artistike është kjo që të ofendojmë mbi 80 milionë turq, të ofendojmë udhëheqjen e Republikës mike të Turqisë dhe presidentin e saj me ndikim, Erdogan, dhe këtë në një situatë politike të tillë, kur ndihma dhe ndikimi i Turqisë në skenën rajonale dhe botërore janë tejet të nevojshme – për shkak të një shfaqjeje së paku kontroverse nga Kosova....”, ka deklaruar ai. 

Krejt kjo situatë është krijuar shkaku i reagimit të autoriteteve të shtetit turk. Ambasada e Turqisë në Bosnjë e Hercegovinë i është drejtuar me notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të BH-së, duke kërkuar që të mos lejohet dhënia e shfaqjes. Të shtunën për këtë çështje është deklaruar edhe ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez. Deklarata e tij është përcjellë nga agjencia e lajmeve “Anadolu”. Ai ka porositur se “në kontekstin e informacionit që në Sarajevë do të jepet shfaqja drejtuar kundër Turqisë dhe me elemente të përkrahjes së organizatës terroriste FETO, të gjithë ata të cilët veprojnë në hapësirën publike duhet të kenë kujdes që të mos cenojnë raportet me këtë vend mik”. 

Por menaxhmenti i Teatrit ka qenë i prerë.  Një ditë pasi u bë publike nota, drejtori i Teatrit, regjisori Dino Mustafiq, në një deklaratë zyrtare ka shkruar se institucioni që ai udhëheq “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”. 

“Artistët, mysafirë e vendorë, mund të shqyrtojnë në mënyrë kritike rrethanat shoqërore dhe kohët në të cilat jetojmë. Arti në shoqëritë e lira dhe demokratike, vlera që ne i mbrojmë, nuk njeh kufizime tematike për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kemi luftuar për vlera të tilla në çdo kohë dhe rrethana dhe kjo nuk mund të shembet me asnjë presion politik”, shkruhet në deklaratën e Mustafiqit. 

Në fakt shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” janë autoritetet turke që e cilësojnë si propagandë kundër këtij shteti dhe presidentit të saj. E kanë cilësuar kësisoj tërthorazi qysh në premierë në tetorin e vitit të kaluar në Prishtinë, e tash zyrtarisht edhe me notën diplomatike drejtuar BH-së. Ambasada e Turqisë nëpërmjet notës shpreh “kundërshtimin e ashpër” për këtë shfaqje, duke konstatuar se ajo është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”.

Aty shkruhet se fotografitë në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Sarajevës, ku prezantohet shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, shfaqen portretet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe udhëheqësit të FETO-s, Fetullah Gülen. Këtë Ambasada e sheh si shenjë të qartë të lidhjes së shfaqjes me këtë organizatë. 

“Të gjashtët kundër Turqisë” denoncon rrëshqitjen në autokraci. Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi më 2018 ka shërbyer si pikënisje e këtij projekti teatror. 

Presioni i autoriteteve turke ia doli ta anulonte dy herë në Prizren. Shfaqja denoncon autokracinë si fenomen. 

“Ajo flet për Turqinë e Kosovën, por matricat e ngjashme të ringjalljes së autoritarizmit që sot fatkeqësisht i gjejmë edhe në shumë vende të tjera, në Amerikë, në Hungari, në Sllovaki, Serbi e gjithandej”, kishte thënë dramaturgu Jeton Neziraj të premten kur Ambasada e Turqisë në Bosnjë- Hercegovinë lansoi notën diplomatike me kërkesën për anulimin e shfaqjes. E një rast të tillë Neziraj e ka cilësuar si mendësi diktati. 

“Nëse deri më tani teatri e ka ‘imituar’ realitetin, tani, në kohët në të cilat po jetojmë, është bërë pothuajse e zakonshme që realiteti ta imitojë teatrin. Kjo mendësi ‘diktati’, që përpiqet të instalohet përmes ‘kancelarive diplomatike’ është pa dyshim e papranueshme”, kishte thënë Neziraj, duke theksuar se liria artistike është e shenjtë, e panegociueshme. Për të deri me tash s’ka qenë e negociueshme. Të paktën deri të hënën kësisoj vazhdon të jetë edhe për menaxhmentin e Teatrit Kombëtar të Sarajevës që udhëhiqet nga regjisori Dino Mustafiq.