“Kam zëvendësuar skicën me fotografi. Ky është një realizëm paradoksal. Në këtë rast skica ishte pa rëndësi, situata paradoksale ishte me rëndësi. Situata që nuk gjendeshin në Romë a Paris”, ka thënë Edi Hila, i cili është rikthyer në Prishtinë për një bashkëbisedim ku ka folur për inspirimin e tij, për misionin e artit e të artistit, për realizmin socialist e për tallavanë
Në vitet ’90 Shqipëria ishte vend i paradokseve. Një populli i uritur për gjithçka, madje edhe në kuptimin e parë të fjalës. Zallamahia kolektive krejt vendin, nga veriu në jug, e kishte kthyer në një pikturë surreale. Diku shkatërroheshin kombinate, diku tjetër vidheshin makineri uzinash, e ndërtimet pa leje kishin marrë hov. Për leje ndërtimi, plane urbane e çështje të tjera administrative, as që bëhej fjalë.
Në një situatë të tillë, Edi Hila nuk mund të qëndronte duarkryq. Të bredhte me laps e letër në dorë, nuk ia hante mendja. Zgjodhi aparatin fotografik për të marrë skica me të. Disa prej shkrepjeve piktori shkodran i ka ekspozuar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.
Në 25 sosh nën titullin “A4 Print”, në ekspozitën e hapur më 16 prill, Hila shpalos procesin e tij të punës. Përderisa vizitorët më herët kanë parë pikturat e tij, kësaj radhe janë kthyer te baza e tyre: skicimi.
Hila është kthyer në Galerinë e Ministrisë së Kulturës të martën mbrëma për një bisedë me kuratorin Shkëlzen Maliqi me studentë në publik. Në mungesë të Maliqit, siç është thënë, për arsye shëndetësore, bashkëbisedën e ka bërë me historianin e artit, Zef Paci.
Profesori universitar i Edi Hila në fillim të bisedës ka shfaqur një fotografi në rrethin e Bulqizës. Aty shihet një bust i “fshehur”. Prapa bustit të një heroi në vitet ’90 ishte hapur një piceri në vend të asaj që dikur ishte me gjasë ndërtesë administrative. Para bustit ishte rritur një dru pishe. Busti kishte ngelur zor i dukshëm. Në njëfarë forme e reja në ardhje po ia zinte frymën të vjetrës. Shqiptarët mësynin që zymtësinë e zbrazëtinë e gati gjysmë shekulli komunizëm ta mbushnin shpejt me çka t’u binte në dorë.
“Kam zëvendësuar skicën me fotografi. Ky është një realizëm paradoksal. Në këtë rast skica ishte pa rëndësi, situata paradoksale ishte me rëndësi. Situata që nuk gjendeshin në Romë a Paris”, ka thënë Hila përballë studentëve. Deri në pensionim ka punuar profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në Prishtinë ka qenë përballë studentëve të dizajnit grafik e pikturës të niveleve master e bachelor. Por me pyetjet që është përballë, ka qenë lehtë e vërejtshme se studentët nuk kanë pasur fort vëmendje në bisedë e as te ekspozita. Madje edhe ata që kanë qenë më herët në ekspozitë.

Hila, me qetësinë e një profesori veteran, pa u imponuar, ka bërë krahasime të artit në periudhën socialiste, rëndësisë së artit në dokumentimin e transicionit dhe zhvillimet në demokraci.
“Realizmi socialist nuk arriti te zhvillohej dhe për pasojë arti e humbi emocionin”, ka thënë ai derisa ka shpalosur fotografi të skulpturave të periudhës moniste ku arma e partizanit ishte më e rëndësishme se busti a shtatorja. Skulptura në zona të thella që i shkonin fort për shtat zymtësisë së jetës në një prej diktaturave më të ashpra në Evropë.
Ka treguar se nuk i ka kopjuar fotografitë e bëra në pikturë. Ato i ka pasur vetëm si subjekte tematike.
“Piktura nuk duhet të jetë sikurse fotografia, sepse pastaj është një kopje e zbehtë. Artisti ka përgjegjësi për atë që transmeton”, ka thënë ai.
Gjatë periudhës komuniste instruksionet shtetërore ishin që realizmi socialist të ishte mënyra e vetme e shprehjes artistike. Ata që tentonin ndryshe e pësonin.
“Syrit” të Partisë së Punës nuk i kishte shpëtuar as Hila.
Piktura “Mbjellja e pemëve” në fillim të viteve ’70 do të bëhej subjekt i sherrit midis tij dhe pushtetit të kohës. Fillimisht në qarqet profesionale e studentore e më vonë edhe te kupola politike, vepra ku njerëzit thjesht mbjellin pemë do të cilësohej “si ikje nga vlerat kombëtare të artit dhe anim kah arti perëndimor”. Me këtë vepër do të merrej edhe pushteti në Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Por skenografinë e Festivalit të 11-të të Radiotelevizionit Shqiptar – edicion që i kushtoi shumicës së organizatorëve me dënime për qasje perëndimore – bëri që Hila të dërgohej në riedukimin e kohës. Punoi prej Pularisë së Tiranës në Laprakë e deri te Ndërmarrja e Dekorit në Tiranë e revista “Horizonti”. Në fund të viteve ’80 i kthehet profesionit, kurse në vitet ’90 punon profesor pikture në atë që ishte Akademia e Arteve.
Tash po niste një epokë tjetër. Artistët donin që të tjetërsoheshin edhe në krijimtari. Por Hila nuk qe i asaj rruge.
“Kur erdhi demokracia ishim të etur për art modern a kontemporan që të dukemi të kohës. Unë nuk e kam ndier veten të zotin për këtë. Me tanë atë shkollë duke bërë nga 500 herë Davidin nuk mund të bësh kontemporanin. Mendoj që zgjidhja me fotografi më ka dhënë rezultat”, ka thënë ai.
Në një përshkrim të thjeshtë, Hila mund të konsiderohet si kronist i transicionit shqiptar. Do të ishte edhe kronist i zoti i periudhës së monizmit, por nuk e lanë. I lindur në Shkodër në vitin 1944, Edi Hila më 1967 do të diplomohej në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë. Prej vitit 1968 deri në vitin 1974 ka punuar në Radiotelevizionin Shqiptar dhe si ligjërues i jashtëm i vizatimit në Institutin e Lartë të Arteve. Në demokraci do të bredhte me aparat fotografik për të dokumentuar transicionin që do të bëhej bazë e veprave të tij në pikturat e atyre viteve. “Realizëm paradoksal” është togfjalëshi me të cilin e përthekon atë periudhë. Ka këshilluar studentët që të kenë kujdes se çfarë mjedisesh artistike gravitojnë.
“Edukata e mirë merret duke parë vepra të mira. Nuk duhet të dëgjohet muzikë tallava veç shkaku i vallëzimit”, ka thënë piktori shkodran.