Kulturë

“E qeshura e madhe” bashkon njerëzit për ta jetuar momentin

“Ne gjithmonë nxitojmë për në punë dhe nuk e jetojmë të tashmen. Doja që të gjithë të kënaqen duke mos bërë asgjë”, ka thënë Xixi Xiao pas performancës në Prishtinë

“Ne gjithmonë nxitojmë për në punë dhe nuk e jetojmë të tashmen. Doja që të gjithë të kënaqen duke mos bërë asgjë”, ka thënë Xixi Xiao pas performancës në Prishtinë

Parku i vogël është shndërruar në skenë, e monumenti “Heroinat” në pjesë skenografie në performancën “E qeshura e madhe” të artistes Xixi Xiao, të enjten, në ditën e dytë të “FemArtit”. Ajo e ka marrë me vete publikun në rrugëtimin e saj që ka qenë një lloj ftese për ta jetuar momentin duke i ikur për një çast realitetit të përditshmërisë

Ajo flet nëpërmjet lëvizjeve të trupit. Ndonëse arti i saj feminist në raste të tjera është më i rreptë, në herën e saj të parë në Prishtinë ka vendosur të sjellë buzëqeshje. Me performancën “E qeshura e madhe”, artistja nga Kina, Xixi Xiao, i ka dhënë dashuri publikut. Siç thotë edhe ajo, lëvizja është specialiteti i saj, me to ka tërhequr vëmendjen e publikut te monumenti “Heroinat” në Prishtinë.  

Kur nis performanca, jo shumë njerëz janë aty për ta ndjekur. Janë kryesisht pjesëtarë të komunitetit artistik që veçse janë publik i festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”. Muzika nis e njashtu edhe artistja Xiao në shpalosje të artit të saj. Jo të paktë kanë qenë kalimtarët e rastit që janë ndalur dhe e kanë ndjekur deri në fund interpretimin e saj. 

“E qeshura e madhe” ka qenë vetëm një fragment i ditës së dytë të “FemArt” që sivjet e zhvillon edicionin e 12-të deri më 30 shtator nën temën “Motërzimi: N’kohë lufte dhe paqe”. 

Për aq kohë sa publiku iu përgjigj performancës, ngjan të ketë rezultuar efektive. Një numër i madh i njerëzve e ndoqën me vëmendjen lojën rreth njëorëshe të saj, derisa e uruan në fund. Por disa prej kalimtarëve nuk hezituan të ndalen për të shprehur kritikat e tyre. 

Ajo nisi interpretimin e saj duke ndjekur ritmet e muzikës elektronike derisa zvarritej përtokë. Lëvizjet janë forma e shprehjes në vend të fjalëve. Duke e parë në sy secilin të pranishëm, ajo nisi të krijojë kontakte me publikun.

Duke u kthyer në pozicionin në të cilin nisi performancën, duket se kthehet në origjinë, në identitetin e saj. Një dajre është në duart e saj, por nuk luan dot. 

Duket se mesazhet autentike në vepër i jep në fillim të secilit fragment të performancës së saj, por më pas merr tjetër kahe. E argëton publikun e zhvillon interaktivitet duke u bërë një me të. Secilit i jep vëmendje. Ajo nis të krijojë tingujt e shthurur në veglën muzikore. Madje edhe nis të këndojë, por e ndërpret shpejt. Si një lloj proteste. E nis prapë lojën, hedh disa shikime që vështirë shkëpusin kontaktet me ato të publikut. Dajren e bart nga njëri tek tjetri. Secilin e fton të luajë aty. Barrierat midis saj dhe turmës bien kur me lojë të theksuar të dajres nga publiku nis të vallëzojë. Nuk heziton të kalojë në trotuar dhe aty të ftojë në performancën e saj ata që nga larg e ndjekin. 

Artistja kineze që jeton e vepron në Londër, Xixi Xiao, ka thënë se ky ka qenë një moment më shumë për t’u ndalur dhe jetuar të tashmen. 

“Duke qenë se është në ambient të hapur dhe në hapësirë publike, i gjithë koncepti ka qenë të përfshihen të gjithë në performancë, t’i bëj bashkë dhe të jetojnë momentin. Ne gjithmonë nxitojmë për në punë dhe nuk e jetojmë të tashmen. Doja që të gjithë të kënaqen duke mos bërë asgjë”, ka thënë ajo. Ka vlerësuar se paralelisht ka qenë një moment për ndërgjegjësimin e gruas.

“Isha këtu me themeluesen e ‘FemArt’ dhe më kërkuan të bëj art në hapësirë publike, dhe duke qenë kështu unë mendova që çdo grua tani është shumë e imët për të sjellë ndërgjegjësim dhe duhet të kontribuoj në këtë aspekt, sado pak”, ka thënë ajo.

Një pjesë shfaq temperamentin e saj për lumturinë e shtirur dhe mërzinë e vërtetë. Një simbol me duar që zbërthehet si paqe, duket se është një prej formave me të cilat maskohet një tjetër pjesë e rrëfimit. 

Artistja Xiao më pas bëhet edhe “maskota” e lumturisë së gruas për një çast, pastaj e fëmijëve, pastaj e të gjithëve. Krejt publikun e fton të hedhë ngjyrat në një material tyli me ngjyrë të hapur. Është thjesht shprehje e lëvizjeve të duarve që pikturon një moment lirie e shprehje e momentit. Ajo që dominon është fjala “love” (dashuri). Këto mesazhe i transferojnë pranë monumentit NEWBORN.
“Doja të kisha këtë koncept për të kaluar rrugën për te NEWBORNI. Nuk e mendova shumë këtë pjesë, por vetëm iu kërkova atyre që të shkruajnë ‘Love’ në atë copë materiali. Mendoj se dashuria është shumë më e madhe se gjithçka”, ka thënë ajo.

Është shprehur se ky lloj arti kërkon shkathtësi në aktrim, por ajo ka qenë aktore më parë.
“Jam artiste që bazohem në lëvizjet e trupit për veprat e mia. Zakonisht punoj në teatër të hapur dhe vallëzoj, më parë kam qenë akrobate dhe mendoj se lëvizja është specialiteti im”, ka thënë për KOHËN artistja Xixi Xiao. 

Ajo është aktore multidisiplinore që merret me arte të ndryshme të skenës, duke përfshirë shfaqje skenike, shfaqje interaktive, teatrin fizik dhe teatrin muzikor. U trajnua si aktore në Shtetet e Bashkuara për tre vjet. Pastaj ka praktikuar prodhim skenik profesional në Kinë. Sipas biografisë së saj, kohët e fundit ajo fokusohet më shumë në punën e aktrimit në ekran dhe ka bërë disa xhirime filmash të shkurtër për shkollën e filmit në Londër dhe festivalin e filmit të shkurtër.

Valëza Sijarina, nga stafi i “FemArt”, organizatore e performancave në kuadër të Festivalit, ka thënë se pos performancës ajo në Prishtinë do të mbajë edhe dy punëtori. 

“Performanca ishte shumë e shkëlqyer, u prit shumë mirë. U vërejt nga publiku që u kënaq shumë, por edhe ne si organizatorë u kënaqëm shumë dhe e shijuam çdo moment. Xixi, artistja që e bëri performancën, do t’i ketë edhe dy aktivitete që do t’i mbajë gjatë festivalit ‘FemArt’. Njëri aktivitet do të jetë më 27 shtator, një workshop për të punuar klounë, si dhe një tjetër një ditë më pas ku do të ligjërojë në teatrin ‘Dodona’ ku i mbledh artistët e aktorët e vendit”, ka thënë Sijarina. 

“E qeshura e madhe” ka qenë shpesh e qeshur e lumturisë, por edhe histerike. E tillë që vjen nga barra e jetës dhe pesha që ngarkohen nga rrugëtimi në jetë.