Dhjetëra të burgosur janë rikthyer në ish-Burgun e Spaçit për të kujtuar kohët e vështira të periudhës moniste. Shkas për këtë është bërë ekspozita “E kaluara e tashme”.
Skulpturat dhe dëshmitë e 49 ish-të burgosurve politikë të përmbledhura në këtë ekspozitë janë punuar për të nxitur një diskutim për të kaluarën e Shqipërisë. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e cilësoi prekës takimin me të mbijetuarit e Burgut të Spaçit.
“Takimi me të mbijetuarit e Burgut të Spaçit, një prej burgjeve më brutale të regjimit komunist në Shqipëri, ishte vërtet prekës. Të dëgjuarit e historive të tyre më kujtoi se ka mbetur shumë për të bërë në ballafaqimin me të kaluarën. Më vjen mirë që kaq shumë të rinj erdhën në Spaç për të takuar të mbijetuarit”, ka thënë ai. Sipas tij, të rinjtë duhet të kuptojnë se nga vijnë dhe çfarë ka kaluar Shqipëria.
“Njeriu duhet të shërojë plagët e së kaluarës duke adresuar të drejtat e viktimave. Jam krenar që e mbështetëm këtë event, por kjo nuk mjafton. Ish-Burgu i Spaçit po përkeqësohet me shpejtësi, ndërkohë që duhet ruajtur në mënyrë që ne të kujtojmë atë që ndodhi këtu dhe të themi: kurrë më”, ka thënë ai.
Ndërkohë Spaçi, ku kanë vuajtur dënimin mijëra të burgosur politikë, do të kthehet në kampus muzeor. Në një dokument me të cilin parashihet shndërrimi i ish-burgut në muze llogaritet që kostoja e konkretizimit të këtij projekti kap shumën prej 4 milionë eurosh, ndërsa në të do të rikthehen mjetet e torturës, si dhe do të restaurohen edhe pikturat e realizuara nga të burgosurit mbi suvatë e qelive. Një projekt si ky, në fund të muajit të kaluar ka qenë temë në takimin e ministrit për Kulturën, Ekonominë dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja, për ecurinë e projekteve me organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHËB – Albania), që ka në fokus rijetësimin e trashëgimisë kulturore për zhvillimin socio-ekonomik të zonave ku ato ndodhen.
“Në diskutim u fol për restaurimin e monumenteve të dëmtuara, disa nga tërmetet, si dhe për projekte më konkrete, siç është kthimi i ish- Burgut famëkeq të Spaçit në një muze kujtese”, shkruhej në njoftim. E, për këtë ka hapa konkretë. Në dokumentin prej 182 faqesh thuhet se edhe pikturat mbi suva, ku të dënuarit politikë ilustrojnë ekranin e televizionit duke dhënë ndeshje futbolli apo duke dhënë lajme të shoqëruara me lule, do të restaurohen.
Në dokument shtohet se janë 1 milion e 97 mijë euro që parashikohet të grumbullohen në 5 vjet, ku 1 milion janë fonde nga Bashkimi Evropian, 72 mijë nga biletat dhe 25 mijë prej sponsorëve.
Për menaxhimin propozohet krijim i një fondacioni të krijuar nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore, me themelues Ministrinë e Kulturës ose lënia në kompetencë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ose dhënia te Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Shkodër.
Numri i vizitorëve aktualisht shkon në 400 mijë në vit, ndërsa në të kanë qëndruar nga 900 deri në 1200 të dënuar politikë në të njëjtën kohë.
Dokumenti tashmë është publikuar në faqen e konsultimit publik e pas kësaj do të kërkohet miratimi në Qeveri.
E kahershme ka qenë kërkesa që Burgu i Spaçit të bëhet muze. Njëra prej nismave konkrete, por që dështoi deri më tash, ka qenë ajo e shtatorit të vitit 2015, kur Instituti për Krimet e Komunizmit paralajmëroi hapa konkretë për konkretizimin e projektit të propozuar prej kohësh, i cili ishte harruar për shkak të mungesës së fondeve për restaurimin dhe kthimin e tij në ambient të vizitueshëm nga qytetarët. Instituti i kishte bërë thirrje Qeverisë, por edhe donatorëve që të mundësojnë financat e nevojshme për restaurimin e ambienteve të Burgut të Spaçit.
Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç. Renditet si monument kombëtar i kategorisë së dytë. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jokomunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984, ku shpërthyen të njëjtat protesta e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Në Burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm.