Kulturë

E diela e Kosovës në “Berlinale”

Skenë nga filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti”, me skenar dhe regji të Alban Mujës, që do të jepet premierë botërore në ditën e katërt të “Berlinales”, të dielën, prej orës 18:30

Skenë nga filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti”, me skenar dhe regji të Alban Mujës, që do të jepet premierë botërore në ditën e katërt të “Berlinales”, të dielën, prej orës 18:30

“Mua besoj më shpëtoi portreti”, është zëri i Kosovës në edicionin e sivjetmë të “Berlinales”. E diela është rezervuar për premierën botërore të këtij filmi të Alban Mujës, i cili shfaqet jashtë garës. Regjisori tashmë ka aterruar në Berlin e Qendra Kinematografike e Kosovës ka publikuar edhe oraret e shfaqjeve. Do të ketë edhe dy repriza, njëra me 17 dhe tjetra më 22 shkurt, në ditën e parafundit të festivalit, i cili sivjet shënon edicionin e 75-të.

Që në titull filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” bën të ditur se rrëfen një histori mbijetese. Por në thelb, protagonisti i filmit të metrazhit të shkurtër rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e kasapit serb.

Rrëfimi i Skënder Mujës, babait të artistit e regjisorit, shfaqet në kuadër të programit “Forum Expanded” të “Berlinales”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore.

Ai trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë luftës në Kosovë. Përshkruhet si eksplorim i fuqishëm i krijimtarisë e si mjet qëndrueshmërie përballë sfidave të jashtëzakonshme.

“Filmi flet për një ngjarje që ka ndodhur 25 vjet më parë, gjatë luftës në vitin 1999. Është një ngjarje familjare, pasi në rolin kryesor si narrator është babi im, piktori Skender Muja, i cili në film rrëfen një histori mbijetese. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, babi dhe shumë burra shqiptarë nga Mitrovica, pasi kishin ecur një javë, u kapën kur përpiqeshin të largoheshin nga Kosova”, kishte thënë Muja më 9 janar në një bisedë për KOHËN, kur u dha lajmi për premierën në festivalin e madh.  Kishte rrëfyer se edhe vetë atij i ishte kanosur ky rrezik. “Në fakt, edhe unë isha aty, por arrita të shpëtoja. Ata, para se të dërgoheshin në Burgun e Smrekonicës, ishin ndaluar në një shkollë në hyrje të Skenderajt, të kthyer në një qendër ndalimi”, kishte thënë Muja më tej.

Këtë rrëfim autentik të babait të tij Alban Muja e shpalos para publikut ndërkombëtar duke e bërë atë të jehojë që në nisje të rrugëtimit me pjesëmarrjen në një prej festivaleve më të rëndësishme në botën e filmit. Ngjarjet kthehen si retrospektivë dhe sillen të freskëta, një çerekshekull pas.

Kosova ka histori në festivalin me nam në skenën ndërkombëtare. Më 2019, dokumentari “Në mes”, nën regji të Samir Karahodës, e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore. E emri i Kosovës në këtë festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova, të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinales”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën “Falja e gjakut”, nën regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan u shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.