Kulturë

Dyshja në cimbalom harmonizon tradicionalen e xhazin

cimbalom

Universale është gjuha muzikore. E pasur dhe e shumanshme që çdo herë ka më shumë për t’u zbuluar. Përtej trendeve të muzikës në botë, kulturat e vendeve janë ato që krijojnë diversitetin dhe e bëjnë atë rrëfim më unik. I tillë ka qenë koncerti i së enjtes mbrëma në “Peja Jazz” ku janë zbuluar meloditë e instrumentit të veçantë tradicional hungarez – cimbalom. Miklós Lukács dhe Káláman Balogh kanë shkrirë traditën muzikore të vendit me atë klasike me ritmet bashkëkohore në frymë të xhazit. 

Krijuesit e interpretuesit hungarezë kanë sjellë stile muzikore të ndryshme në natën e dytë të festivalit që programin ia dedikon muzikës xhaz. Mbrëmje krejt e veçantë muzikore ka qenë jo veç për festivalin, por edhe në gjurmimin e tingujve të instrumentit e njohjen e rrënjëve muzikore të instrumentit tradicional jo fort të njohur në Kosovë. Ka qenë hera e parë që në një koncert në vend është luajtur në cimbalom. Dy të tillë kanë qenë të enjten në skenën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, aty ku po zbërthehet programi i edicionit të pestë të festivalit. 

Orendi antike duken në shikim të parë dy instrumentet e vendosura përballë njëri-tjetrit. Poshtë tyre janë projektorë filmi të vjetër, sikurse edhe llambat që sjellin ngrohtësi në sallë. 

Edhe më e ngrohtë ka qenë me intimitetin që sjell dyshja në skenë me lojën e saj në instrumente. Stile të ndryshme muzikore e kanë bërë atraktive çdo vepër, bashkë me mënyrat e ndryshme se si luajnë në instrumentin që, qysh në fillim, duket tejet i sofistikuar. 

Dyshja “Cimbalomduó” ka zbërthyer mjeshtërinë e vet në instrumentin që falë saj po ringjallet në skenën muzikore. Është e veçantë mënyra se si natyra e cimbalomit transformohet. Nga klasikja shkon në xhaz, në tradicionale e deri në bashkëkohore. Transformohet edhe tingulli. Instrumenti me 125 harqe shpesh duket se tingëllon si piano, perkusione, kitarë e harpë. 

Lukács ka thënë se krejt kjo u krijon atyre mundësi të përziejnë lloje dhe stile muzikore. 

“Nganjëherë tingëllon si perkusione, kitarë dhe shumë instrumente të ndryshme, kështu që kjo është shumë e mundshme me cimbalomin. Ka shumë ritme të bukura, kështu që ne e luajmë së bashku duke e përzier traditën folklorike, atë klasike me kontemporanen. Është shumë unike, sepse i përziejmë këto lloje dhe stile muzikore”, ka thënë ai. 

Derisa luajnë veprat, dyshja Lukács dhe Balogh kombinohet në atë mënyrë që kur njëri instrument luan lojë dinamike, tjetri e mban ritmin dhe anasjelltas. Veprat, siç ngjan me zhanrin e xhazit, duken të improvizuara, por dyshja shpesh harmonizohet me tinguj paralelë. Pedalja është tjetër aspekt ku, sikurse në piano, jehona është tjetër veçori e instrumentit.

Programi ka qenë kryesisht me vepra popullore folklorike të regjionit të Transilvanisë. Ato variojnë nga ato për dashurinë me tinguj të butë, relaksues e deri në ato që sjellin një temë tejet dinamike e tensione. Dyshja është kujdesur të sjellë ngjyra të ndryshme muzikore, duke gjurmuar nëpër repertorin e vendeve të ndryshme për cimbalom. Njëra vepër armene është harmonike e me një lloj humoreske që vjen shpesh në shprehje. 

Disa prej veprave kanë qenë homazhe për instrumentistët e kompozitorët që kanë luajtur e shkruar vepra për këtë instrument unik. Tingujt e shpeshtë e një lloj dinamike përbrenda e karakterizon lojën e dyshes. Ato që luan Balogh japin ngjyra folklori, ndërsa Lukács luan tingujt konstantë që sa shkon e rritet intensiteti i zërit. Më pas, ndërrojnë rolet e instrumentistëve. 

Ata në skenë bëjnë të ditur se veprat kanë edhe elemente gjermane, disa janë shumë më të sofistikuara se të tjera. Kanë tingëlluar edhe si vallëzime të lehta. 

Miklós Lukács ka luajtur pjesë të tij improvizuese që e kishte shkruar si homazh për mësuesin e tij. Ka luajtur me gishtërinj tinguj të lehtë e melankolikë e ata më dominues i ka zbërthyer me dy shufrat e tij. 

Në veprën e fundit, i janë kthyer regjionit rumun Transilvanisë. Është bërë e ditur se cimbalomi origjinal erdhi nga India dhe se fillimisht luhej në formë orientale. Në këtë zonë ende luhet ashtu dhe ashtu e sjell dyshja në skenën e “Peja Jazz”. Janë tinguj shumë më të lehtë. 

“Në disa vende në Azi, njerëzit e luajnë me dorë dhe me lloje të ndryshme të shkopinjve. Prandaj ne deshëm të improvizojmë duke luajtur këta tinguj të veçantë me duar e me lloje të tjera shkopinjsh. Tingujt, nganjëherë vijnë si indianë, arabikë, është shumë i veçantë”, ka thënë Lukács. 

Disa pjesë tingëllojnë si ‘rock n’roll’, por siç dyshja ka bërë të ditur në skenë, ato janë edhe vallëzime maqedonase e bullgare. 

Kálmán Balogh ka theksuar faktin se folklorin e tradicionalen e shkrijnë në xhaz. Ka bërë të ditur se e luajnë muzikën e secilit vend që e ka instrumentin cimbalom. 

“Kjo është ideja bazike, ne i dashurojmë meloditë e muzikës folklorike tradicionale dhe mundohemi t’i kombinojmë me muzikë kontemporane. Miklos është muzikant shumë i mirë i xhazit, unë më shumë luaj muzikë klasike dhe folklorike. Por ne gjithmonë improvizojmë dhe krijojmë ide me meloditë folklorike, gjithashtu shikojmë edhe repertorin për cimbalom, sepse është shumë i pasur. Mund ta gjesh në shumë vende instrumentin dhe shohim se cila melodi përshtatet me idetë tona”, ka thënë ai. 

Kálmán Balogh dhe Miklós Lukács u bashkuan në vitin 2009 për të promovuar një instrument me potencial të madh, cimbalomin. Bashkëpunimi i tyre ka sjellë një frymë të re, ku xhazi takohet me muzikën popullore. Dyshja filloi të eksperimentojë me stilin dhe teknikat e instrumentit, duke krijuar një atmosferë shumë argëtuese.

Albumi i tyre i vitit 2015 shënon një moment të rëndësishëm, duke u frymëzuar nga traditat popullore. Muzika e tyre ofron një gamë të gjerë ritmesh dhe emocione.

Ky instrument i krijuar nga Josef Schunda më 1874, po ringjallet falë “Cimbalomduó”. Të dy muzicientët zotërojnë një mjeshtëri të lartë, dhe bashkëpunimi i tyre bën të mundur që të shfrytëzohet plotësisht potenciali i instrumentit.

Koncerti i dytë i “Peja Jazz” është mbështetur nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë. Ambasadori Béla Bozsik, derisa ka përmendur veçoritë e instrumentit, ka thënë se cimbalomi është i njohur ndërkombëtarisht.

“Kjo është hera e parë që në Kosovë kemi një koncert me cimbalom. Instrumenti luhet në të gjitha zhanret, si bashkëkohore, klasike e xhaz. Njihet për sensitivitetin dhe ekspresivitetin e tij. Dy instrumentistët e sotëm i kanë bashkuar forcat për të sjellë artin e këtij instrumenti emblematik te publiku”, ka thënë ai në skenë, pak para nisjes së koncertit. 

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Pejë, Xhenet Syka-Kelmendi, ka thënë se festivali sivjet është më i veçantë sesa edicionet e kaluara, sa u përket prurjeve artistike. 

“Ky edicion është më i veçantë, sepse përpos artistëve vendorë, sjell edhe artistë të shumtë ndërkombëtarë. Sonte në veçanti kemi dy mysafirë nga Hungaria. Kur jemi te ky shtet, më duhet t’ju kujtoj se Komuna e Pejës ka ndërtuar marrëdhënie diplomatike me Republikën e Hungarisë që ka të bëjë më shumë me jetën kulturore dhe artistike atje. Kur jemi te jeta kulturore, jam e nderuar që sot të dëgjoj cimalomin, duke qenë se do të dëgjohet për herë të parë sonte”, ka thënë ajo në skenë.