Kulturë

Dy javë pas zjarrit, ish-“Kino Rinia” pret plan emergjent

Objekti i ish-“Kino Rinisë” të premten

Edhe pse kanë kaluar dy javë prej zjarrit që e dëmtoi edhe më objektin e ish-“Kino Rinisë”, ende nuk ka vlerësim të dëmeve për këtë aset. Ajo që dihet është se monumenti i mbrojtur me ligj, “është në gjendje jo të mirë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes”. “Po ashtu Institucionet e trashëgimisë kulturore do të hartojnë edhe projektin për intervenime emergjente, i cili do të përcaktojë masat që duhet të merren për mbrojtjen dhe restaurimin e ndërtesës”, shkruhet në përgjigjet e Ministrisë së Kulturës, dy javë pasi monumenti mori flakë

Java e parë e shkurtit e renditi në listën e monumenteve të përfshira nga zjarri edhe ish-“Kino Rininë” në Prishtinë. Masat e sigurisë, vlerësimi i dëmeve e një projekt për ndërhyrje emergjente janë hapat e parë që rekomandohen nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Ndërtesa e inauguruar në shkurtin e vitit 1952 kaherë s’ka kurrfarë funksioni. Monumenti sipas raporteve shtetërore “është në gjendje jo të mirë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes”.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që funksionon në kuadër të Ministrisë  së Kulturës ka përgatitur një raport në lidhje me flakët që kishin kapluar pjesën e kulmit të monumentit në ditën e 7-të të shkurtit.

“Sipas raportit të Inspektimit: Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, Komuna e Prishtinës: Obligohet të bëjë implementimin e masave të sigurisë sipas propozimit të ITK-së dhe Institucioneve të Trashëgimisë Kulturore, respektivisht të merren masa për sigurimin e ndërtesës, që të ndalohet qasja e personave të paautorizuar”, shkruhet në përgjigjet e Ministrisë së Kulturës. Sipas institucionit më të lartë kulturor në vend, Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në MKRS brenda përgjegjësive të tyre do ta bëjnë vlerësimin e dëmeve për këtë aset, si pasojë e zjarrit.

“Po ashtu, institucionet e trashëgimisë kulturore do të hartojnë edhe projektin për intervenime emergjente, i cili do të përcaktojë masat që duhet të merren për mbrojtjen dhe restaurimin e ndërtesës”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së.

Ky institucion ka bërë të ditur se nga zjarri i shkaktuar vërehet se ka rënë kulmi i ndërtesës gjegjësisht në pjesën dërmuese të sallës se vogël, e cila ndodhet në katin e parë të ndërtesës.

Ish-“Kino Rinia” në flakë, të premten e 7 shkurtit

“Dëmet e shkaktuara do të dihen pas përmbylljes së procesit të vlerësimit të dëmeve”,  ka treguar MKRS-ja.  Bëhet e ditur se ndërtesa është në gjendje jo të mirë fizike edhe si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes. Tash i është shtuar edhe djegia.

“Ndërtesa është e braktisur dhe gjatë vizitave inspektuese është vënë re se në hapësirat e brendshme ndërtesa është shfrytëzuar për qëndrim ditor nga të pastrehët si dhe aktivitete të jashtëligjshme të cilat në mënyrë të vazhdueshme rrezikojnë edhe jetën e tyre, por edhe shkaktimin e dëmtimeve që mund të ndodhin nga pakujdesia”, shkruhet në përgjigje.

Ish-“Kino Rinia” prej vitit 2021 është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Erën e shkrumbit monumenti e ka të pranishme edhe dy javë pas zjarrit.

I menjëhershëm kishte qenë reagimi i zjarrfikësve dhe i Policisë të premten e shtatë shkurtit, por në muzg, flakët që sipas organeve policore, shpërthyen rreth orës 15:40,  kanë qenë në kulm. Prej vitesh, s’ka shenjë kinemaje në ndërtesën të cilën qeveritë lokale e qendrore disa herë kanë premtuar se do ta restaurojnë e rigjenerojnë. Madje duke dhënë edhe afate.

Zjarri i fundit e kishte rikonfirmuar gjendjen e mjerueshme. Në vitin 2022, Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim.

Zjarri i fundit s’është i pari për këtë objekt. Gjatë viteve ’60, ishte djegur e rregulluar sërish.  Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë. Kinemaja dikur me 850 ulëse, do të funksiononte si e tillë edhe gjatë viteve ’90, e menaxhuar nga serbët.

Pas luftës, të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2” menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”.

Prej vitit 2005, objekti i ish-“Kino Rinisë” nisi të jepej me qira. Për një kohë qe Gjykatë, më pas diskotekë e vend i lojërave të fatit. Më 2020 në ish-objektin e “Kino Rinisë” qe tentuar të bëhet rinovim i hapësirave. Bëhej fjalë për një ndërmarrës që posedon një rrjet marketesh. Por puna i ishte ndalur përderisa edhe shenjat që kujtonin kinemanë e dikurshme nuk janë më. Një pjesë e hapësirës së objektit ishte në proces rinovimi për nevojat e qiramarrësit paraprak, por që këto punime qenë ndaluar pas mosmarrëveshjeve në mes të qiramarrësit dhe qiradhënësit, që kishte rezultuar me ndërprerjen e kontratës së qirasë.

Në qershorin e vitit 2020, Agjencia Kosovare e Privatizimit – që menaxhon me ndërmarrjen “Genci”, asetet e së cilës ishin në likuidim që prej vitit 2014 – atë që e kishte quajtur “hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2”, kishte synuar ta jepte me qira.

Asokohe, AKP-ja do të sqaronte se ky objekt pas luftës së fundit nuk ka mundur të funksionalizohet si kinema, sepse ka qenë e pamundur dhe hapësirat e brendshme të objektit kanë nevojë për investime të theksuara në veçanti nëse planifikohet të shfrytëzohet si kinema. Po ashtu, kishte sqaruar se një pjesë e oborrit që shfrytëzohej si parking, nuk kishte më atë destinim me kërkesë të Komunës së Prishtinës.

Pak ditë më vonë, Ministria e Kulturës do të kërkonte rikthimin e ish-“Kino Rinisë” tashmë të tjetërsuar. Do të reagonte pas njoftimit për lëshimin me qira të objektit, teksa i kërkonte Agjencisë Kosovare të Privatizimit që objekti të “ribëhet”. AKP-ja kishte përzgjedhur ofertuesin me çmimin më të lartë për dhënien me qira të objektit afër qendrës së kryeqytetit.

Pasi ishte angazhuar bashkë organizata të tjera që shteti ta marrë nën mbrojtje ndërtesën, fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” kishte mbajtur aktivitetin “Zërat paralelë” në shtator të vitit 2021 si intervenim i arkitektit Maksut Vezgishi që ngjalli ish-kinemanë për disa ditë. E në prillin e vitit pasues bëri promovimin e librit “Kino Rinia – Zërat paralelë”.  

Në lidhje me funksionin e ardhshëm të ndërtesës dhe rekomandimeve për ndërhyrje, Ministria e Kulturës ka thënë se të njëjtat do të vendosen në përputhje me dispozitat ligjore të Ligjit për trashëgimi kulturore.