Kulturë

“Dy botë në unison” harmonizon rrugëtimin e maestros Baki Jashari

Përtej një biografie madhore, “Dy botë në unison” është vlerësuar edhe një lloj gjurmimi i rrugëtimit të skenës muzikore në vend.

Përtej një biografie madhore, “Dy botë në unison” është vlerësuar edhe një lloj gjurmimi i rrugëtimit të skenës muzikore në vend.

Fotoja në ballinën e monografisë është mbase portreti më kuptimplotë i Baki Jasharit në skenë, titulli lidh botën e tij të ndarë në dy pjesë – në Slloveni e në Kosovë – por në esencë bota e maestros është më shumtë, më e gjerë e komplekse sesa një ndarje në dysh. Është universi i një muzikanti e personaliteti shënjues të jetës muzikore jo vetëm në vendin e tij. “Dy botë në unison”, me autore Elife Podvoricën sjell rrëfimin e tij dhe për të. Një rrugëtim si ky nuk është vetëm dokumentim i jetës dhe veprës së Jasharit, por shteg për gjenerata që vijnë pas

Karriera e Baki Jasharit si kompozitor, dirigjent e drejtues shumëvjeçar i institucionit më të lartë muzikor në vend, është përmbledhur në monografinë “Dy botë në unison”. Me autore Elife Podvoricën, monografia e portretizon Jasharin në disa dimensione si një udhëpërshkrim kronologjik që nis me fëmijërinë e tij dhe mbyllet me specifikimin e një dite pune të protagonistit në botimin që u promovua të enjten mbrëma në Prishtinë.

Përtej një biografie madhore, “Dy botë…” është vlerësuar edhe një lloj gjurmimi i rrugëtimit të skenës muzikore në vend.

Autorja kronologjikisht rendit ngjarjet jetësore të Jasharit duke sjellë një lloj prapavije të formësimit të tij dhe arritjes si një prej figurave të shquara sot në skenën muzikore. Ajo e ka nisur me fëmijërinë, e më pas ka trajtuar edhe edukimin ku përmendet periudha e studimeve në Lubjanë. Aty janë edhe ngjarjet në jetën e tij si rikthimi në Kosovë e takimi i tij me Ismail Mehmetin në SHBA. Trajtohet rrugëtimi i tij me Filharmoninë e Kosovës, si e kishte gjetur institucionin dhe sesi avancoi. Një pjesë e rëndësishme është jeta larg vendit.

Në Slloveni Jashari do të studionte e kësisoj, do të krijonte kontakte me artistët atje me ç’rast edhe do të bashkëpunonte. Si një lloj shenje nderimi, edhe e kishte shkruar veprën vokale “Na nedelo po Bozici” në gjuhën sllovene. Interpretimi i kësaj vepre me rastin e promovimin e monografisë “Dy botë në unison” ka qenë befasia për kompozitorin e dirigjentin Baki Jashari. E ka kthyer në kohë, siç është shprehur vetë ai.

“Kur e kthen njeriu kokën prapa sheh shumë gjëra të cilat më shumë nuk ka dëshirë t’i shohë. Unë jam munduar të shikoj dhe kanë ikur shumë detaje edhe të Sllovenisë edhe këtu. Tërë kohën duke punuar, duke mos pasur kohë dhe duke mos mundur të shikoj çfarë po ndodh. Tek para dy ditësh e kam marrë këtë libër, dhe edhe pse ka qenë laptopi i hapur, asnjëherë nuk më ka tërhequr të shikoj se çfarë është duke shkruar”, ka thënë ai. Autorja e monografisë, Elife Podvorica, është bashkëshortja e Jasharit.

Në monografi janë edhe fragmentet e veprimtarisë së tij prej dirigjenti. Secila ngjarje, ilustrohet me fotografi. Përmendet veprimtaria edhe në rrethana të jashtëzakonshme e Filharmonisë së Kosovës, institucion të cilin e ka drejtuar prej 18 vjetësh. Në monografi Baki Jashari është në profilin e tij prej autori të teksteve shkollore të edukatës muzikore.

Autorja, Elife Podvorica kronologjikisht rendit ngjarjet jetësore të Baki Jasharit, duke sjellë një lloj prapavije prej formësimit të tij deri te epiteti si një prej figurave të shquara në skenën muzikore

Autorja e monografisë, Elife Podvorica, ka thënë se qëllimi kryesor i monografisë është që ai të jetë një lloj reference për brezat e ardhshëm.

“Libri mesazhin kryesor e ka, jo për ta promovuar Bakiun, sepse i dimë punët dhe veprimtarinë e secilit, por do të jetë një lloj dëshmie për brezat e ardhshëm që vijnë. Do të kenë ku të referohen dhe ta kenë një material. Nëse kemi vullnet më tutje do t’i bëjmë edhe disa përmirësime që kanë rrëshqitur teknikisht në libër. Është një iniciativë tjetër që libri të përkthehet në gjuhën angleze dhe në gjuhën sllovene natyrisht”, ka thënë Podvorica.

Miq, bashkëpunëtorë e familjarë të Jasharit janë mbledhur në një sallë private në kryeqytet për të përuruar monografinë kushtuar tij.

Opinionet janë pjesa e fundit e këtij botimi. Për Baki Jasharin kanë shkruar akademik Rafet Rudi, sopranoja Arta Jashari, e bija e kompozitorit Jashari, kompozitori Kreshnik Aliçkaj, sopranoja Adelina Paloja, klarinetisti Shkumbin Bajraktari, i biri i tij Visar Jashari dhe bashkëshortja e tij, Arbisa, vetë autorja e monografisë, bashkëshortja e tij Elife Podvorica, si dhe publicisti Sami Piraj.

Ai ka thënë se monografia shenjëzon biografinë e kompozitorit dhe krijon imazhin e reputacionit e tij tani të padiskutueshëm.

“Duke shfletuar biografinë e Baki Jasharit në librin ‘Dy botë në unison’ të Elife Podvoricës, sikur ndihemi shumë më të përmbushur me fakte me fotografi që flasin me një ndjenjë të sinqertë dhe krijojnë një imazh për një rrugëtim interesant e me nuanca të ndryshme. Këto nuanca reflektojnë sakrificën individuale që natyrisht përfshihet tërë familja e deri tek rezultatet që të bëjnë të ndjehesh mirë”, ka thënë Piraj derisa ka konsideruar se rrugëtimi i Jasharit vjen si shkallëzim artistik dhe i vendosur në dy shtylla.

“Rrugëtimin e Baki Jasharit në shkallëzimin artistik autorja e vë në dy shtylla. E para është ndjenja për të përballuar trysninë emocionale kur një i ri shkëputet nga një ambient patriarkal dhe ballafaqohet me një realitet të logjikës së një ambienti artistik urban, siç ishte Lubjana, përkatësisht Sllovenia. Dhe e dyta, ndjenja për të mos ikur nga fryma autentike në të gjitha dimensionet, qofshin ato emocionale e deri në ato ku krijohet dilema”, ka thënë publicisti Piraj.

Ka vlerësuar se Jashari zgjodhi të ballafaqohej me skenën muzikore në Kosovë kur kishte mundësinë të zhvillonte karrierë në skena madhështore të metropoleve.

“Cilën rrugë ta zgjidhte? Atë të karrierës nën çatinë e metropoleve apo tjetrën nën çatinë e vendit ku ende i vjen era urnë dhe shkrumb. Në rrugët e tilla të ballafaqimeve, të jesh apo të mos jesh, artisti ndien frymëzimin për të qenë më afër realitetit të hidhur, siç do të thoshte poeti brilant Din Mehmeti me poezinë ‘Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’ që më vonë bëhet realitet artistik dydimensional poetiko-muzikor në notat e kompozuara për kor, solistë e recitatorë nga Bakiu”, ka thënë ai më tej.

Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka thënë se botimi është kontribut shumë i rëndësishëm për shkak të literaturës së mangës në aspektin e muzikologjisë dhe të atyre që tregojnë zhvillimet muzikore. Duke u mbështetur në këtë, ka cituar dirigjentin e kompozitorin e shquar, Rafet Rudi.

“Një botim i tillë është edhe një mundësi reflektimi jo vetëm për angazhimin profesional dhe jetësor të profesorit Baki, por edhe për gjithë ecurinë e zhvillimit të jetës muzikore në Kosovë para dhe pas luftës, siç thekson edhe profesori Rafet në një vështrim për profesorin Baki – ‘jeta artistike dyzet vjeçare e profesorit Baki Jashari koincidon me rrugën zhvilluese të jetës profesionale muzikore në Kosovë në të cilën kontributi i tij është i ndjeshëm si dirigjent, si kompozitor dhe si organizator i vlefshëm i saj’. Ky citat shumë mirë e përfshin gjithë multidimensionalitetin e një personaliteti si profesori Baki”, ka thënë Luzha.

Derisa ka folur për mënyrën se si monografia është ndërtuar, ka thënë se autorja ka përdorur metodën e historisë jetësore e cila, sipas saj, përdoret shumë në kërkimet shkencore cilësore.

“Ajo përmes tregimeve personale të personazheve të ndryshëm siguron kuptim të thellë të përvojave të një individi duke ofruar edhe informata për kontekstet sociale, politike, kulturore dhe historike të periudhës kur ky personazh ka jetuar dhe vepruar. Përmes kësaj metode autorja në mënyrë shumë interesante ndonjëherë në vetën e tretë interpreton këto rrethana dhe i shpalos duke ofruar kontekstin për ta kuptuar rrëfimin e profesorit Baki i cili më pas e plotëson atë interpretim në vetën e parë duke shpalosur detajet në hollësi”, ka thënë Luzha.