Në një hapësirë të zorit, ekspozita e Ismet Jonuzit është e kundërta. Ani pse vendin do ta kishte së paku në Galerinë Kombëtare të Kosovës, megjithatë edhe aty ku janë, në Fakultetin e Arteve, veprat e tij shpërthejnë fuqishëm në zbërthimin e dramës, tragjikes, luftës e paqes. Skulptori Jonuzi, teksa shpalos 44 vjet krijimtari, bëhet kronist dhe flet prej “Helikopterit” që vetë ai e quan kryeveprën e tij, deri te pëllumbi, kafkat e demat
Kur bashkohen punime të periudhave të ndryshme të krijimtarisë prej mbi katër dekadash të Ismet Jonuzit, ato krijojnë një dramë të gjatë e me shumë akte. Secili cikël a koncept është akt më vete. Por emërues i përbashkët i dramës është tragjikja.
Profesori universitar i skulpturës dhe artit konceptual ka nxjerrë në pah tragjiken por i ka lënë vend edhe paqes e shpresës. Me të hyrë në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, bie në sy një pëllumb në fluturim midis hapësirës. Përderisa kjo shpezë simbolizon paqen, është midis veprave që tregojnë shumë mundime, robëri e luftë. Interpretimet mund të jenë të ndryshme: pëllumb që ikën nga lufta, shpezë e sapodalë nga lufta; apo edhe njëfarë lajmëtari se paqja tashmë ka arritur. Pëllumbi nuk është i vetëm në ekspozitën retrospektive të skulptorit Ismet Jonuzi të hapur të martën mbrëma në Prishtinë.
“Liria” titullohet vepra më e re e krijuesit që rrumbullakon fiks 44 vjet krijimtari. Nëpërmjet një llamarine ka krijuar burgun a qelinë prej së cilës del pëllumbi. Fati i të burgosurve politikë e kishte ngacmuar kaherë. Nga skica në skicë, ka arritur në këtë pikë.
“Është një homazh për të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë. Në fillim kam menduar të jetë homazh për Adem Demaçin pasi ai është simbol i burgosjes politike. Llamarina asocon me derën e burgut ku kanë qenë të torturuar gjithë shqiptarët. Kam pasur një skicë më 1999 por tash e kam përpunuar në mënyrë më moderne. Tregon përfundimin e dhunës politike dhe burgut kolektiv që ka qenë. Pëllumbi simbolizon paqen edhe fundin e burgosjes politike. Ky ka qenë synimi im”, ka thënë Jonuzi pasi shumë prej të pranishmeve ia kanë shtrënguar dorën dhe e kanë uruar për hapjen e ekspozitës. Hapësira ku është “Liria” i bën vend edhe disa veprave të tjera të artistit. Midis të tjerash edhe “Helikopterit”. Kësaj ane, liria i ka ardhur nga ajri. E, “Helikopteri” është ndërtuar nga armët e përdorura në tokë. Jonuzi ka bashkuar që të dyja simbolikat. Pas luftës së fundit në marrëveshje me trupat e KFOR-it gjerman kishte përdorur armët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të realizuar vepra.

“Në këtë pjesë janë kryesisht punimet e fundit që ndoshta ikin pak nga minimalizmi e abstraktja por në esencë brenda ka diçka që ka të bëjë me mediumin e armës. Në shikim të parë duken skulptura abstrakte por në esencë kanë mediumin e armëve që është edhe medium që më identifikon si artist”, ka thënë Jonuzi.
Pjesa tjetër e Galerisë u bën vend skulpturave, por edhe pikturave e vizatimeve. Cikli “Pa titull” bashkon disa vizatime me tush në letër e teknika të tjera. Një shpërthim gjatë bombardimeve më 1999 te selia e Postës në Prishtinë është ilustruar nga Jonuzi. Kjo vepër rrethohet nga të tjerat ku kafkat janë dominante. Kosova historinë me kafka e ka të vjetër. Por edhe të re. Më 1999 ka marrë fund lufta përderisa kafkat edhe sot e kësaj dite gjenden nëpër varreza masive. Por këto vepra komunikojnë edhe përtej.
“Është një punim që e kam punuar më 2011 që simbolizon gjuajtjen e raketës para postës dhe shkatërrimin në mes të ndërtesave urbane. Ajo tash lidhet me luftërat në Ukrainë, Palestinë. Në rend të parë është shkatërrimi e në prapavijë janë kafkat”, ka thënë Jonuzi. Është një kronist i historisë së këtyre anëve nëpërmjet artit konceptual.
“Në përgjithësi në veprat e mia dominon drama dhe tragjikja. Nuk jam artist që punoj për shije të dikujt dhe jam i pakompromis. Veprat e mia nuk janë të bukura për t’i varur në mur. Janë artistikisht të bukura por jo vizualisht”, thotë ai. Ekspozita që artisti e përshkruan si retrospektivë minimaliste ka peshë sa ambienti ku gjendet është jo veç i vogël por edhe i shkretë. Galeria e Fakultetit të Arteve është njëfarë ambienti i zorit. Mirëmbajtja nuk është e duhura, nuk botohen katalogë për ekspozita, në shumicën e rasteve s’ka kurator. Veç Galeri e Fakultetit të Arteve nuk do të duhej të ishte. Krijon ndjesinë e ndonjë kthine të viteve ’90 kur ekspozohej nën okupim.
Jonuzi demat e figurat e buajve i kishte përdorur edhe në kohë të hershme, nën okupim. U kthehet kohë pas kohe. “Bualli i Rahovicës”, katran në pëlhurë ka përmasa të tjera. Është pikturë. Por njëkohësisht edhe skulpturë. Fuqia ekspresive e Jonuzit ka tjetër karakter në këtë rast. Janë buaj që shprehin pakënaqësi e pamundësi.

“Unë kam filluar me buallin, me demin. Në veprat e mia dominon demi që i kthehem kohë pas kohe”, thotë Jonuzi. Por shpejt shton se kryevepra e tij është “Helikopteri”.
“Mendoj se kryevepra ime është ‘Helikopteri’ që flet për tragjedinë që ka ndodhur këtu. Si krijues mendoj se është kryevepra ime edhe pse mund të jem subjekti. Iki nga armët por parë më tërheqin. Edhe fëmijëria gjen vend te veprat e mia. Për mua jo realiteti por iluzoni ka shumë rëndësi. Na ndodh që iluzioni të jetë më i fortë sesa realiteti”, ka thënë Jonuzi. Te veprat që flasin për fëmijërinë zënë vend disa portrete familjarësh që nuk janë më. Janë vija të rënda që shpërfaqin rrudha e gajle të mëdha.
Krijimtarinë e Ismet Jonuzit s’e zë Galeria e Fakultetit të Arteve. Këtë e thotë edhe artisti, kuratori e kritiku Zeni Ballazhi. I kanë bërë përshtypje demat.
“Ajo që më bëri më shumë përshtypje është cikli apo koncepti i tij me demat që i shfaq në një mënyrë shumë më ekspresive sesa të gjitha veprat e tjera që jemi mësuar t’i shohim. Në aspektin vizual ose pamor të pikturës më bëri përshtypje ajo që te piktorët nuk e sheh. Te Ismeti e sheh një ekspresivitet në pikturë të cilin nuk e prisja”, ka thënë ai. Ka shtuar se nëpërmjet pikturës Jonuzi tregon diçka skulpturore dhe edhe më shumë se skulptura.
“Kjo pjesë e pikturës e fuqizon shumë pjesën e skulpturës dhe ekspozita fuqizohet si kronologji e si koncept. Besoj që Ismeti me këtë paraqitje mund të paraqitet në vende të ndryshme. E pagëzoj me punën e guximin e tij. Shihet se çdo vepër e ka një guxim të veçantë dhe zbulon shumë më shumë se ajo që ne shohim”, ka thënë Ballazhi.
Veprat e Jonuzit kanë zë të fortë për dramatiken e tragjiken. Vizualisht, siç ka thënë edhe autori mund të mos jenë fort të lakmueshme. Por drama që zhvillohet në to ka tjetër peshë. Është aso e një kronisti që krijon ndjesi të fortë tek audienca. Bazën e ka te historia e popullit që i takon. E shprehjet i ka të ndërtuara edhe me armët e lirisë.