Kulturë

“Dr. Strangelove” dhe marrëzia prapa frikës së njeriut modern

Peter Seller në rolin e presidentit të paefektshëm, Merkin Muffley në “Dr. Strangelove” të Stanley Kubrickut, i lansuar më 1964, e që të premten mbrëma ka qenë i pari film që e ka ndezur projektorin e “DokuFestit”

Peter Seller në rolin e presidentit të paefektshëm, Merkin Muffley në “Dr. Strangelove” të Stanley Kubrickut, i lansuar më 1964, e që të premten mbrëma ka qenë i pari film që e ka ndezur projektorin e “DokuFestit”

Të shikosh sot “Dr. Strangelove” – i cili të premten mbrëma hapi edicionin e 23-të të “DokuFestit” –  nga pikëpamja e filmit “Oppenheimer” të Christopher Nolanit, do të thotë të njohësh edhe më thellë të metat njerëzore në raport me armë të shkatërrimit në masë, duke filluar me arkitektin kryesor të bombës atomike. Disa nga pjesët më të mira në film nuk kanë pothuajse fare nevojë për ndonjë shaka. Kubricku thjesht duhet ta nxjerrë në pah marrëzinë prapa frikës më të madhe të njeriut modern

Scott Tobias

Gjashtëdhjetë vjet më parë, studioja filmike “Columbia Pictures” e publikoi të parin nga dy filmat bardhezi me të njëjtin subjekt: po sikur aeroplanët amerikanë me bomba hidrogjeni të urdhëroheshin pa dashje të shënjestronin objektiva në Bashkimin Sovjetik, duke shkaktuar potencialisht një luftë bërthamore që do ta zhdukte njerëzimin? Para më pak se dy vjetëve, kriza kubane e raketave i kishte shtyrë shtetet më të fuqishme të botës në prag të konfliktit dhe kineastët ishin jashtëzakonisht të entuziazmuar për t’u ballafaquar sa më herët në ekran me makthet e Luftës së Ftohtë.

Datat e publikimit ishin të ndryshme, aq sa edhe vetë filmat e lartpërmendur. I pari erdhi si histori e shpikur, kurse tjetri si një tragjedi. Filmi “Dr. Strangelove” nën regji të Stanley Kubrickut u lansua i pari, në janar të vitit 1964. Pastaj në muajin tetor u publikua tragjedia e Sidney Lumetit, “Fail Safe”.

Pati shumë pasoja ligjore mbi origjinën e përbashkët të dy filmave, por ata e plotësojnë njëri-tjetrin shumë bukur, me vetëm një ndryshim të vogël në këndvështrim mbi paaftësinë tonë për të menaxhuar armët që mund të shkaktojnë një shkatërrim të paimagjinueshëm.

Mesazhi prapa filmit “Fail Safe” ishte se qeniet njerëzore janë të gabueshme. Kurse mesazhi i “Dr. Strangelove” ishte se njerëzit janë idiotë. Përfundimisht, mesazhi i Kubrickut është më bindës. “Dr Strangelove” mbetet filmi më i mirë satirik për disa arsye. Njëra prej tyre është fakti se është aq i përafërt me absurditetet e jetës reale të Luftës së Ftohtë, teksa dy superfuqi po eskalonin në një garë armësh që mund të përfundonte vetëm në asgjësim të ndërsjellë. Për shembull, nuk ka absolutisht asnjë dyshim që drejtuesit e lartë ushtarakë dhe politikë kanë luajtur me humbjen katastrofike të jetëve në një konflikt bërthamor, ashtu siç bëjnë në dhomën e luftës këtu. Ata madje do ta miratonin me një tundje koke dallimin midis 20 milionë njerëzve të vdekur kundrejt 150 milionë njerëzve të vdekur. E tëra që Kubrick dhe bashkëskenaristët e filmit, Terry Southern dhe Peter George, duhet të shtojnë, është një fjali e keqe.    

Pjesa gjeniale e filmit “Dr. Strangelove” është fakti se me sa shkathtësi kalon mes satirës dhe budallallëkut pa humbur fuqinë e tij. Ju mund ta imagjinoni treshen e regjisorëve, Zucker-Abrahams-Zucker, prapa aeroplanit duke qeshur dhe duke mbajtur shënime mbi emra qesharakë si gjenerali, Jack D. Ripper dhe kolonel “Bat” Guano, ose kur kryetari i shefave të përbashkët të shtabit pranon një telefonatë nga e dashura i tij në dhomën e luftës, dhe ai dëgjohet duke thënë: “Zemër, nuk mund të flas me ty tani. Presidenti im ka nevojë për mua”. Në të njëjtën kohë, filmi nuk ka nevojë të improvizojë aq shumë. A ka vërtet shumë dallim midis personazhit Ripper që nis një sulm bërthamor për shkak të frikës nga Rusia dhe teorive konspirative të ish-gjeneral-lejtnant Michael Flynn, i cili kishte një pozitë shumë më të lartë si këshilltar i Donald Trumpit për sigurinë kombëtare?

Megjithatë, Kubrick e di se kur duhet të tërhiqet. “Dr. Strangelove” nuk tenton të jetë film për të qeshur një sekondë me të, sepse besueshmëria është arma e tij më e rëndësishme. Asgjë nuk është më qesharake sesa bombarduesit e aeroplanit B-52, të pajisur me një arsenal bërthamor, teksa kryejnë një patrullë rutinë ajrore dy orë larg objektivave sovjetike, në pritje të kodit të zakonshëm për t’u kthyer në bazë. Në vend të kësaj, eprori i tyre, Gjenerali Ripper, jep kodin për sulm, i cili jo vetëm që i çon ata në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, por redukton komunikimet në një kod me tri shkronja të njohura vetëm nga Ripper. Në dhomën e luftës në Pentagon, presidenti i paefektshëm, Merkin Muffley (i portretizuar nga aktori Peter Sellers), thërret kryetarin e shefave të përbashkët të shtabit, gjeneralin “Buck” Turgidson (i luajtur në film nga George C. Scott) dhe pjesëtarë të tjerë ushtarakë, për t’u ballafaquar me krizën. Si mund të ndodhte kjo? Dhe çfarë, nëse diçka, mund të bëhet për ta ndaluar atë?

Premisa e drejtpërdrejtë e filmit është një mësim mbi rëndësinë e strukturës në satirë, e cila ndërtohet jo vetëm në parametrat solidë të komplotit, por edhe në fotografinë bardhezi që paraqet planin e vet rigoroz të dështuar.

Kasta e aktorëve është e jashtëzakonshme, duke filluar me Sellersin me angazhim të trefishtë në film si, Lionel Mandrake, një oficer i RAF-it që përpiqet ta bindë Ripperin të ndërrojë mendje, presidenti Muffley, i cili shkëmben shaka banale me kryeministrin sovjetik teksa butësisht e informon për situatën, dhe dr. Strangelove, një ish-nazist i cili nuk mund ta kontrollojë veten. Aktorët Sterling Hayden dhe Slim Pickens luajnë komandantin paranojak të bazës së Forcave Ajrore Burpelson dhe komandantin dhe pilotin e aeroplanit bombardues B-52, Major T. J. “King” Kong. Kurse George C. Scott, i cili do ta portretizonte George Pattonin vetëm gjashtë vjet më vonë, vjen në rolin e Gjeneralit Buck Turgidsonit, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit.

“Dr. Strangelove” në mënyrë të veçantë e përbuz nocionin e përmbajtjes, të cilin nazistët e shpjegojnë si “artin e prodhimit të frikës nga sulmi në mendjen e armikut”. Prandaj sovjetikët kanë krijuar një “makinë të ditës së gjykimit” që do të hakmerrej automatikisht ndaj një sulmi bërthamor me një forcë të tillë që do ta bënte tokën të pabanueshme për 93 vjet. Ideja është se njerëzit janë të shfajësuar nga marrja e një vendimi për t’i dhënë fund botës, por siç i vihet në dukje ambasadorit sovjetik, nuk funksionon nëse nuk i tregon askujt për këtë.

Të shikosh sot “Dr. Strangelove”, nga pikëpamja e filmit “Oppenheimer” të Christopher Nolanit, do të thotë të njohësh edhe më thellë të metat njerëzore në raport me armë të shkatërrimit në masë, duke filluar me arkitektin kryesor të bombës atomike. Disa nga pjesët më të mira në film nuk kanë pothuajse fare nevojë për ndonjë shaka. Kubrick thjesht duhet ta nxjerrë në pah marrëzinë prapa frikës më të madhe të njeriut modern. Vetëbesimi dhe arroganca mund të na vrasin të gjithëve, por mund të nxjerrim shumë të qeshura nga to.