Dorëshkrimet e pjesa tjetër e fondit të arkivit personal të shkrimtarit shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, janë në proces të dorëzimit te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri. Kjo është bërë e ditur të enjten nga ky institucion e po ashtu nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Dorëshkrimet e veprave, si “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë” janë midis atyre që i janë dorëzuar institucionit.
“Nder dhe kënaqësi për DPA-në që tashmë është pasuruar me një fond të veçantë të Ismail Kadaresë, dorëshkrime të rralla të cilat shkrimtari ynë i madh kombëtar i ruante në shtëpinë e tij dhe e kanë shoqëruar kudo që ka shkuar në Francë, në Durrës apo në Tiranë”, ka thënë drejtori i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.
Ka falënderuar veçanërisht familjen e shkrimtarit të madh, vajzat dhe të venë e tij që vendosën t’ia besonin DPA-së ruajtjen e kësaj pasurie deri në çastin që do të vendosin se çfarë do të bëjnë me këtë arkiv.
“Të gjitha këto dorëshkrime tashmë janë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, restaurim dhe digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur asnjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare”, ka thënë ai, duke treguar se institucioni që udhëheq është edhe strehë e arkivave të shkrimtarëve të tjerë. Ka përmendur Lasgush Poradecin.
“Dokumente të cilat përndryshe do të ishin të struktura në sëndukë që ruhen me më shumë dashuri sesa këtu, por që ruhen me më pak profesionalizëm sesa këtu. Dokumente që ruhen me nostalgji, por që mbesin deri diku të panjohura për publikun dhe studiuesin”, ka thënë Bido.
Ju ka bërë thirrje të gjitha personaliteteve që kanë dokumente të paraardhësve të tyre t’i dhurojnë në DPA, pasi aty ruhen me profesionalizmin dhe garancinë që këto dokumente do të mbeten përjetë.
Kurse Gresa Kadare ka arsyetuar këtë vendim, përderisa ka bërë të ditur se edhe institucione të vendeve të tjera kanë pasur interes për dorëshkrimet e të atit të saj.
“Desha t’ju falënderoj juve personalisht për mirëkuptimin që gjetëm dhe mirëbesimin reciprok, sepse nuk është gjë e lehtë të marrësh një iniciativë të tillë. Ismailit në Paris para disa vjetëve i janë ofruar plot institucione të huaja, qofshin franceze, si Universiteti i Sorbonës, Akademia e Francës, biblioteka ‘François Miteran’. Ata donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht, një pjesë të arkivave, sigurisht me mendimin e Ismailit. Erdhi edhe një propozim shumë interesant nga Universiteti Princeton në New York”, ka thënë ajo. ka treguar se është prekur fort kur ka parë se institucioni ruan edhe Kodikët e Beratit
“Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do të jenë në shoqëri të mirë pranë Kodikëve të Beratit, e në njëfarë mënyre, ndoshta e ekzagjeroj, por më duket sikur janë këto kolonat e një tempulli tonë të përbashkët që është trashëgimia kulturore shqiptare që duhet ruajtur. Dhe jo vetëm ruajtur si një qenie e balsamosur. Unë shpresoj që në një kohë të dytë, arkivi do të lejojë aksesin e studiuesve, kritikëve letrarë, studentëve, të vijnë ta konsultojnë, ta studiojnë dhe ta mbajnë gjallë arkivin”, ka thënë ajo.
I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, shkrimtari Ismail Kadareja vdiq më 1 korrik të këtij viti. Si fëmijë e në fillim të shkollës përjetoi Luftën e Dytë Botërore. Rrëfimet e atyre ditëve që i dëgjonte nga të moshuarit e shtëpisë ia tregoi botës. Qytetin e gurtë e ka rindërtuar në veprën e tij, duke bërë që hamendësimet, shpresat e qejfet e një vendi të vogël t’ua rrëfejë afro 50 gjuhëve. Qysh si i ri do të binte në sy për letërsi. Fillimisht për poezi e më pas edhe me prozë. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe më pas studioi në institutin e letërsisë botërore “Maxim Gorky” në Moskë. Pjesa tjetër është histori.
“Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Shekulli im” 1961, “Përse mendohen këto male” (1964) kanë vëllimet e tij të para poetike. Por emancipimi kombëtar nëpërmjet letërsisë do të niste kur Kadare e mprehu penën për të shkruar prozë.
Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) vlerësohet si pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Identiteti shqiptar, heroizmi, origjina e kamotshme e mbijetesa e popullit që i takoi, gjetën vend në mjeshtërinë e tij letrare.
“Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, “Kush e solli Doruntinën”, “Kronikë në gur”, “Kështjella” “Krushqit janë të ngrirë”, “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, “Piramida” janë veç disa prej veprave të tij. “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit” e “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” po ashtu hyjnë te letërsia e tij elitare. Për veprimtarinë e tij është shpërblyer me çmimet më të njohura që ndan bota, përfshirë “Nobelin” amerikan, siç quhet alternativisht çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”, “Pak Kyongni 2019”, një nga vlerësimet më të larta letrare në Korenë e Jugut. Po ashtu, presidenti francez, Emanuel Macron, ia kishte ndarë atij titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. “Princi i Asturias për Letërsi” po ashtu u nda për të. Është përfolur si kandidat edhe për nominim për prestigjiozin “Nobel”. Krejt këto i ka arritur nëpërmjet rrëfimeve të një vendi që tek më 1912 është bërë shtet dhe pa pasur një shkrimtar model bashkëkombës që kishte depërtuar në botë.