Ekspozita “Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë” është hapur të shtunën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në bashkëpunim mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Sjell imazhe prej dorëshkrimeve të tij, që tashmë janë thesar i shtetit shqiptar. Ato shpalosin prapaskenat e lindjes së veprave të shkrimtarit të madh. Ndajnë me publikun procesin intim të të shkruarit, zbardhin një tjetër anë të gjeniut të letrave shqipe.
Bislim Bislimi, drejtor ekzekutiv i AShAK-ut, ka thënë se ekspozita që sjell dorëshkrimet e veprave më të hershme të Kadaresë, është shumë kuptimplote për të përkujtuar figurën e shkrimtarit. Ai ka thënë se sot është rasti për të thënë se Ismail Kadare ka lënë pas pasuri vlerash kombëtare, identitare, kulturore dhe artistike.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se ekspozita i jep perspektivë tjetër të veprës së Kadaresë, një perspektivë të dorëshkrimit, që, sipas saj, është pothuajse në zhdukje.
“Shohim këtu veprën, dorëshkrimin e veprës së parë ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, roman i cili ka shënuar faktikisht fillimin e prozës moderne në letërsinë shqipe apo veprën ‘Frymëzimet djaloshare’ e cila bashkë me dy veprat e tjera poetike të autorëve të tjerë ka sjellë një frymë kryesisht të re në poezinë shqipe”, ka thënë ajo.
Drejtori i përgjithshëm i arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, ka deklaruar se në arkivat e Shqipërisë ka më shumë dokumentacion për Kosovën para vitit 1945, sesa që disponon Kosova në arkivin e saj.
Sipas tij, Arkivi i Shqipërisë ka dokumentacion më shumë edhe se Shkupi për shqiptarët para periudhës së viteve ‘45 e më shumë sesa Mali i Zi.
Ai ka bërë të ditur se familja Kadare ka dhuruar dorëshkrimet e Kadaresë në Drejtorinë e Arkivave të Shqipërisë.
“Një ndër dhuratat më të mira që mund t’i bëhej Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në këtë 75-vjetor ndodhi në fund të muajit gusht, kur një telefonatë e zakonshme nga një kolege shumë e mirë, studiuese dhe mike personale e Ismail Kadaresë, Alda Bardhyli, më dha sihariqin që familja e vet dëshiron të dhurojë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, të gjitha dorëshkrimet e shkrimtarit tonë të madh. Dhe kjo bujari në pamje të parë e Gresa Kadaresë, e Besiana dhe Helena Kadaresë ishte dhurata më e mirë në këtë 75-vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, ka thënë ai. E, ky, sipas tij, ka qenë një amanet i pashprehur drejtpërdrejt nga Kadare që “dorëshkrimet të shkojnë në arkiv”.
“Por e thënë në të gjallë në mënyrë të vazhdueshme që si shkrimtar shqiptar i pastër, pavarësisht se pjesën më të madhe të jetës së tij viteve të fundit e ka kaluar në Francë nuk do të donte që dorëshkrimet të përfundonin në institute shumë serioze franceze apo amerikane që ishin afruar dhe madje kishin ofruar që të paguanin shuma monetare të konsiderueshme në mënyrë që të ruanin pas vdekjes së tij dorëshkrimet e tij”, ka thënë Dido.
Ai ka theksuar se Kadare ka pasur dëshirë që të ruhen në vendin e tij për të cilin ai shkroi.
Dido ka thënë se sasia e dokumentacionit në dorëshkrime përfshin 44 mijë faqe.
Në këto dorëshkrime, sipas tij, përvijohet i gjithë procesi mendor i shkrimtarit të madh që vdiq sivjet më 1 korrik.