Kulturë

“DokuKinoja” i bashkohet botës në Ditën Evropiane të Kinemasë – Arthouse

Ngjarjes ndërkombëtare e cila përfshin hiç më pak se 700 kinema dhe ambiente kulturore filmi, e cila do të organizohet më 17 nëntor në më shumë se 40 shtete të ndryshme, i bashkohet edhe “DokuKinoja” e Prizrenit

Ngjarjes ndërkombëtare e cila përfshin hiç më pak se 700 kinema dhe ambiente kulturore filmi, e cila do të organizohet më 17 nëntor në më shumë se 40 shtete të ndryshme, i bashkohet edhe “DokuKinoja” e Prizrenit

Bota e artit kinematografik ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm duke funksionuar si urë lidhëse mes kulturave, ideve dhe nacionaliteteve të ndryshme, duke kapërcyer çdo kufi. Të dielën e 17 nëntorit, kinematë do të festojnë Ditën Evropiane të Kinemasë Arthouse, nismë e cila promovon: diversitetin kulturor, dialogun ndërkulturor dhe demokracinë në përgjithësi.

Kjo ngjarje ndërkombëtare do të përfshijë hiç më pak se 700 kinema dhe ambiente kulturore filmi, e cila do të organizohet në më shumë se 40 shtete të ndryshme, të cilat kanë për të ofruar programe unike për adhuruesit e kinemasë. E asaj i bashkohet edhe “DokuKinoja” e Prizrenit. 

“Për të shënuar këtë ditë, ‘DokuKino’ do të marrë pjesë duke ofruar një program special për vizitorët tanë, përfshirë filmin ‘Soundtrack to a Coup D’etat’. Ky event ka për qëllim të theksojë rëndësinë e angazhimit demokratik dhe të mbrojë idealet e një shoqërie të lirë dhe të hapur”, shkruhet në një njoftim për media të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”.  

“Soundtrack to a Coup D’etat”, sipas sinopsisit eksploron tensionet politike dhe forcat që formësojnë shoqëritë moderne. Ky dokumentar është realizuar nga regjisori Johan Grimonprez dhe trajton Luftën e Ftohtë, një pjesë e të cilit u kushtohet muzikantëve Abbey Lincoln dhe Max Roach dhe përplasen me sigurimin e Kombeve të Bashkuara si shenjë proteste për vrasjen e liderit kongolez, Patrice Lumumba.

Pjesë e këtij dokumentari janë: Louis Armstrong, Dizzy Gillespie, Abbey Lincoln, Max Roach, Nina Simone pa e anashkaluar edhe Malcolm X si një ndër aktivistët më të mëdhenj për të drejtat e njeriut në shekullin e kaluar. Ky film dhe aktivitetet e tjera do ta pasqyrojnë këtë ngjarje të rëndësishme kulturore. Synimi i organizatorëve është të synojnë dhe nxisin reflektime e ndërgjegjësime për rolin e rëndësishëm, për një shoqëri të lirë dhe të hapur.

“Dita Evropiane e Kinemasë Arthouse është aktiviteti i parë i përbashkët ndërkombëtar nga operatorët e kinemasë për promovimin e filmave evropianë dhe promovimin e përvojës së kinemasë në bashkëpunim me regjisorët, producentët dhe mbrojtësit e të drejtave autoriale. Edicioni i 9-të do të zhvillohet të dielën, më 17 nëntor 2024. Nisma organizohet nga CICAE në bashkëpunim me Europa Cinemas”, shkruhet në artcinemaday.org

Ngjarja e 17 nëntorit është vetëm një nismë. Kinematë që do të jenë pjesëmarrëse kanë për qëllim t’i përçojnë mesazhet e tyre përtej kësaj dite, duke i motivuar qytetarët të angazhohen, duke mbështetur artin dhe kulturën gjatë tërë vitit.

Dardan Mirena