Kur ka mbetur edhe një javë deri në hapjen e edicionit të 23-të, lajmet nga Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” nuk kanë të ndalur. Të premten, njeri prej tyre ka qenë ai për filmat me të cilët do të hapet e mbyllet. Pas ceremonisë solemne, të premten e 2 gushtit i pari do ta ndezë projektorin e “DokuFestit” do të jetë “Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb” i regjisorit ikonik, Stanley Kubrick. Është film që sivjet ka shënuar 60-vjetorin. Do të përmbyllet me “Rrugës” të Samir Karahodës, i cili s’ka të ndalur nëpër festivale pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Cannes, në majin e sivjetmë.
“Interpretimi komik i Stanley Kubrick mbi ankthin e Luftës së Ftohtë është një nga satirat më të ashpra të marrëzisë njerëzore që ka dalë ndonjëherë nga Hollywoodi”, ka shkruar “DokuFesti” në komunikatë për media të premten. “Rendi i ri” (New Order) është tema e edicionit të sivjetmë, e kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj kaosit në shumë forma. Edhe filmi i Kubrickut i përshtatet fuqishëm temës. Siç shkruhet në komunikatë, aktori i jashtëzakonshëm Peter Sellers luan tri role krejtësisht të ndryshme: Kapitenin e Forcave Ajrore Mbretërore, Lionel Mandrake, që përpiqet me çdo kusht të ndalojë një sulm bërthamor ndaj BRSS-së, të urdhëruar nga një gjeneral i krisur (Sterling Hayden), Presidentin amerikan të pafuqishëm dhe gjithmonë të hutuar, Merkin Muffley, që duhet t’i japë lajmin e keq kryeministrit sovjetik, dhe vetë Strangelovein, një këshilltar presidencial në karrocë dhe me një të kaluar naziste.
“Duke gjetur humor në pothuajse çdo situatë të paimagjinueshme, Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb është një kryevepër subversive që zyrtarisht e shpalli Kubrickun si një stilist të paarritshëm dhe ironist të zymtë”, shkruhet në komunikatë.
I zymtë e i mjegullt është edhe imazhi i filmave të Karahodës, por e shkëlqyeshme është historia e rrugëtimit të veprave të tij.
“Të frymëzuar nga ngjarje të vërteta, një regjisor dhe djali i tij, Miron (13), bashkëpunojnë për një skenar që gërsheton përvojat e tyre personale dhe elementet autobiografike me shqetësime më të mëdha për vendin e tyre.
Teksa nisen për në aeroport për të marrë një dhuratë nga kumbari i djalit, ata ndeshen me pengesa burokratike që lënë të kuptohet për stagnimin e përparimit politik dhe shoqëror në atdheun e tyre. Ky udhëtim i shkurtër evoluon në një eksplorim të thellë të lidhjes së tyre në sfondin e sfidave shoqërore dhe pasigurisë që lind mbi të ardhmen e tyre”, shkruhet në shpjegimin e “DokuFestit”, i cili sivjet ka 103 filma për tetë programe garuese. Hiç më pak se 3 mijë e 325 ia kishin mësyrë njërit prej festivaleve më të mëdha të këtij lloji jo vetëm në rajon. Gjeografia e vendeve prej nga vijnë shtrihet në 119 vende nga e gjithë bota.