Kulturë

“DokuFesti” kapërcen kaosin në kërkim të shpresës me “Rendin e ri”

"DokuFesti"

Festivali më i njohur i filmit dokumentar dhe të shkurtër në këtë pjesë të Evropës sivjet paralajmëron rend të ri në botë. Me luftën aktive midis Rusisë dhe Ukrainës, konfliktit tragjik në Gaza, kërcënimet e vazhdueshme midis shteteve me potencial bërthamor e para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “DokuFest” që sivjet nis më 2 gusht, nuk bën sehir sa për të mbajtur një ngjarje

Organizatorët e “DokuFestit” kishin qenë pothuajse të përcaktuar që “kaos” të jetë tema e edicionit të sivjetmë. Por nuk mjaftonte një konstatim si ky. Ose më saktë një kundërpërgjigje. U vendos për “New Order”, (Rendi i ri) për jo pak arsye. “Një lloj i New Order në ardhje e sipër. Me gjithë këtë në mendje, ne kemi vendosur të sjellim përpara temën ‘New Order’. Për ta nxjerrë në pah përmes diskutimeve në festival, për t’u zhytur në një sërë filmash që e prekin atë, për të gjetur një lidhje nga e kaluara përmes një përzgjedhjeje filmash të vitit 1974 ose për të kuptuar nëse jemi tashmë të dënuar ose kemi ende një pikë shprese, përmes filmave për mjedisin”, thuhet në shpjegim

Flaka ka kapluar gjithçka brenda ndërtesës. Ajo mund të shuhet nëpërmjet atij që njihet si ballkon francez. Ky është imazhi i parë që në “trailerin” e lansimit të temës së sivjetme të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”. Janë 37 sekonda të kaosit, por që në fund bëjnë thirrje për paqe e ngjallin një fije shprese. Imazhet e bombave e luftërave janë të pashmangshme në videon ku gjithçka është keq e më keq. “DokuFest” nuk e bën thjesht konstatimin e gjendjes. Synon më shumë: gërmon në të ardhmen. Këtë ia ka mësyrë ta bëjë sivjet – në edicionin e 23-të me radhë – me “New Order” (Rendi i ri). Temën e ka zyrtarizuar të martën dhe për të kishte dhënë shenja edhe pak ditë më parë.

Festivali më i njohur i filmit dokumentar dhe të shkurtër në këtë pjesë të Evropës sivjet paralajmëron rend të ri në botë. Me luftën aktive midis Rusisë dhe Ukrainës, konfliktit tragjik në Gaza, kërcënimet e vazhdueshme midis shteteve me potencial bërthamor e para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “DokuFest” që sivjet nis më 2 gusht, nuk bën sehir sa për të mbajtur një ngjarje. Një pjesë e filmave bashkë me debatet që do të mbahen, synojnë të deshifrojnë të ardhmen duke marrë për bazë aktualitetin global.

“Ajo që ne shohim tani është një botë në tranzicion të shpejtë. Në të gjithë planetin, të pasurit po pasurohen, ndërsa të varfrit pushtohen nga borxhet dhe fatkeqësitë. Me luftërat në Gaza dhe Ukrainë që sjellin ndarjet globale në lartësi të reja, një rikonfigurim i ri gjeopolitik – duke përfshirë një zhvendosje në një rend të ri botëror – mund të jetë në punë”, shkruhet në konceptim e sivjetmë të temës së këtij edicioni.  “Megjithatë, më shumë forca dhe tendenca – duke përfshirë ekonominë gjithnjë e më të militarizuar të Rusisë, ngecjen e rritjes së Kinës dhe peshën në rritje e sipër të ekonomisë së Jugut Global – po bëjnë ndryshime thelbësore në rendin më të mundshëm ndërkombëtar”, shkruhet në vazhdim. 

Krejt këto paraqiten edhe në “trailer”. Aty paraqiten fëmijë të tmerruar përderisa, televizorët janë jofunksionalë. E kur janë, dalin në pah bombat. “DokuFest” aludon se mund të ndodhë gjithashtu “që ne po jetojmë përmes shpërbërjes së një rendi”. 

“Një lloj i New Order në ardhje e sipër. Me gjithë këtë në mendje, ne kemi vendosur të sjellim përpara temën ‘New Order’. Për ta nxjerrë në pah përmes diskutimeve në festival, për t’u zhytur në një sërë filmash që e prekin atë, për të gjetur një lidhje nga e kaluara përmes një përzgjedhjeje filmash të vitit 1974 ose për të kuptuar nëse jemi tashmë të dënuar ose kemi ende një pikë shprese, përmes filmave për mjedisin”, shkruhet në komunikatën ku sqarohet koncepti i sivjetmë tematik. 

Organizatorët shpresojnë të gjejnë mënyra të bëjnë audiencën pjesë të bisedave, në atë që e kanë konsideruar një moment vendimtar, jo vetëm të këtij brezi.

Kjo temë do të elaborohet edhe me shumë. Do të ketë njoftime të reja ditëve në vazhdim sa i përket plotësimit të temës edhe me projekte kinematografike. 

Janë 103 filma për tetë programe garuese. Hiç më pak se 3 mijë e 325 ia kanë mësyrë njërit prej festivaleve më të mëdha të këtij lloji jo vetëm në rajon. Gjeografia e vendeve prej nga vijnë shtrihet në 119 vende nga e gjithë bota. etë programet garuese janë Gara Ballkanike, ajo ndërkombëtare, Gara e Dokumentarëve të Shkurtër, Gara e Dokumentarëve për të Drejtat e Njeriut, ato që quhen “Green Dox” e “Truth Dox” dhe Gara Kombëtare. Janë gjithsej 200 filma bashkë me kategoritë jogaruese. 
Drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, ka thënë se ideja është që të diskutohet se çfarë po ndodh e çka do të ndodhë në të ardhmen. 

“A është një e ardhme e afërt apo e lagët nuk dihet. Por gjërat po ndryshojnë shpejtë, me siguri ndryshimet do na prekin edhe ne, se si, nuk dihet. Ideja është që të debatojmë e të mundohemi të marrim ndonjë përgjigje. Ideja është që të nxisim debat”, ka thënë ai në një prononcim për KOHËN, pak orë pasi u konfirmua tema. 

Ka përmendur se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë vjeshtë do të ketë zgjedhje. Sipas tij, se e gjithë bota do të afektohet nga zgjedhjet atje, është gjë që dihet. Ka paralajmëruar edhe më shumë filma sa i përket temës për të cilën janë përcaktuar. 

“Brenda pak ditësh do të bëjmë publike dy programe që kanë të bëjnë direkt me luftën. Do të kemi një program që ka lidhje indirekte me temën që ka të bëjë me vitin 1974. Ne na intereson se çfarë po bëjnë filmbërësit përballje ‘çarjeve tektonike’ që po e ndryshojnë botën”, ka thënë Nurkollari. 

Drejtori artistik që është në mesin e themeluesve të “DokuFestit” ka treguar se para një dekade nuk e ka paramenduar se në këtë vit do të ketë një botë kësisoj. 

“Tash gjërat po duken normale por është një ndryshim rapid. Bota po ndryshon dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore. Prej ‘kaosit’ kemi ardhur te ‘New Order’. Fillimisht kemi menduar që tema të jetë ‘kaos’ Por besoj që mund të përçojmë edhe një dozë optimizmi me debate e filma. Ne duam të diskutojmë për të ardhmen që po sjellin zhvillimet aktuale”, ka thënë ai.

“DokuFest” e ka fuqinë që të përballet me tema të mëdha. 

Në fund të javës së kaluar, Alba Çakalli, producente e Festivalit, kishte treguar se në ditët në vijim “DokuFesti” do të vazhdojë të shpallë programet e tjera të festivalit, përfshirë programin e njohur ‘View from the World’, programin e një shteti në fokus si dhe programet ‘Spotlight’ bashkë me anëtarë të jurisë, si dhe një mori programesh të veçanta të kuruara për këtë edicion. Ukraina e Palestina do të jenë në fokuse e muzika me “DokuNights” do të transformohet dhe do të bëhet pjesë integrale e Festivalit. Është Festival ku 3 mijë aplikime ia kanë mësyrë, përderisa kinematografë nga e mbarë bota vijnë në qytetin jugor.

“Traileri” i temës së këtij viti përfundon me thënien: “Dhe, kur të gjitha luftërat të përfundojnë, një flutur përsëri do të jetë e bukur”. Në këtë rast në prapavijë fluturat shkrumbohen. Shkrumb janë duke u bërë qytete të tëra shkaku i luftës, përderisa pamjet nga Ukraina e Gaza janë vetë tmerri.

“DokuFesti” u bashkohet atyre që bëjnë thirrje që njerëzimi në përgjithësi t’ia vërë gishtin kokës. E kur krejt kjo bëhet nga një vend që s’ka më shumë se çerek shekulli që i janë vrarë mbi 10 mijë civilë, ky është avokim i sinqertë e i bazuar në përjetime.  Përjetime që shfaqen edhe nëpërmjet filmave në këtë edicion.