Skenari që i paraprin “DokuFestit” është pothuajse i njëjtë: hapet thirrja, mbyllet, shpallet programi, kulmojnë përgatitjet, numërohet së prapthi, ndizet projektori dhe magjia fillon. Ajo që nuk shihet, është një punë e madhe për të arritur deri këtu. Kur kanë mbetur edhe 28 ditë deri te ceremonia e hapjes, është shpallur programi i filmave garues në tetë kategori. Janë 103 filma. Hiç më pak se 3 mijë e 325 kishin aplikuar nga 119 vende të botës, e për të 23-tën herë “DokuFesti” do ta sjellë botën në Prizren ku me ekranet e mëdha zbërthehet një rend i ri
“Mbi të gjitha, filma që reflektojnë botën e tronditur në të cilën jetojmë”, është cilësimi që ua bën Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”, filmave që kanë arritur në adresë të festivalit për edicionin e 23-të. Dhe nuk ka dyshime kur këtë e thotë një profesionist si ai, njashtu sikurse krejt armata prapa një ngjarjeje si kjo.
Skenari që i paraprin “DokuFestit” është pothuajse i njëjtë: hapet thirrja, mbyllet, shpallet programi, kulmojnë përgatitjet, numërohet së prapthi, ndizet projektori dhe magjia fillon. Ajo që nuk shihet, është një punë e madhe për të arritur deri këtu.
Kur kanë mbetur edhe 28 ditë deri te ceremonia e hapjes, është shpallur programi i filmave garues. Janë 103 filma për tetë programe garuese. Hiç më pak se 3 mijë e 325 ia kanë mësyrë njërit prej festivaleve më të mëdha të këtij lloji jo vetëm në rajon. Gjeografia e vendeve prej nga vijnë shtrihet në 119 vende nga e gjithë bota. Detaje si këto janë shpalosur nëpërmjet njoftimit për media të Alba Çakalli, producente e “DokuFestit”, e ftuar në “Nëpër film”, që do të transmetohet të shtunën, e cila ka dhënë edhe të tjera.
Kur përmenden statistikat – mbi 3 mijë filma nga mbi 100 vende të botës – sikurse edhe fakti që jo pak filma japin premierat e tyre botërore dhe evropiane pikërisht në “DokuFest”, organizatorët i përkthejnë këto si dëshmi se festivali është “një platformë e rëndësishme e shfaqjeve në këtë pjesë të botës, si për filmat dokumentarë ashtu edhe për filmat e shkurtër”.
“’DokuFesti’ vazhdon të sjellë më të mirën dhe më të guximshmen e kinemasë dokumentare dhe filmave të shkurtër në Prizren dhe jemi më shumë se të lumtur që mund të ndajmë me të tjerët punën e një numri në rritje të regjisorëve të rinj, si dhe krijimet e regjisorëve me të cilët publiku ynë tashmë është i njohur”, shkruhet në komunikatë. Aty citohet Nurkollari. “Ka ardhur koha për mua dhe për ekipin programues që më në fund të ndajmë filmat e përzgjedhur që do të garojnë për çmime. Filma që i kemi parë dhe me të cilët jemi mahnitur dhe emocionuar thellë. Por mbi të gjitha, filma që reflektojnë botën e tronditur në të cilën jetojmë’’, citohet të ketë thënë ai.
Tetë programet garuese janë Gara Ballkanike, ajo ndërkombëtare, Gara e Dokumentarëve të Shkurtër, Gara e Dokumentarëve për të Drejtat e Njeriut, ato që quhen “Green Dox” e “Truth Dox” dhe Gara Kombëtare.
Programi garues është vetëm një pjesë e asaj që sjell. Në tërësi, janë mbi 200 filma që do të shfaqen edhe në programe të tjera, por as kjo nuk është krejt ajo që sjell ngjarja më e madhe kulturore në vend.
“Në ditët në vijim ‘DokuFesti’ do të vazhdojë të shpallë programet e tjera të festivalit, duke përfshirë këtu edhe njoftimin e temës së festivalit, programin e njohur ‘View from the World’, programin e një shteti në fokus si dhe programet ‘Spotlight’, anëtarë të jurisë, si dhe një mori programesh të veçanta të kuruara posaçërisht, diskutime në panel, biseda, master klasa, dhe performanca muzikore që do të jenë pjesë e këtij edicioni”, shkruhet në komunikatë.
Deri te “ditët në vijim”, Alba Çakalli ka zbuluar edhe disa veçanti. Për shembull se Ukraina e Palestina do të jenë në fokuse, se muzika me “DokuNights” do të transformohet dhe do të bëhet pjesë integrale e festivalit, se do të përformojë një bend palestinez. Tërthorazi ka përmendur edhe temën e edicionit të sivjetmë, por që do të zbërthehet në fillimjavë.
“Ky do të jetë një edicion i veçantë i Festivalit”, ka thënë Çakalli dhe kur nis e zbardh atë që po përgatitet ka jo pak arsye ta konstatojë apriori këtë.
“Ka tema interesante, fokuse interesante që besoj do të jenë tërheqëse për publikun që do të jetë prezent”, ka thënë ajo.
Ka rikonfrimuar mbi tremijë aplikime e “falë ekipit seleksionues, që përbëhet nga më shumë se 30 persona të cilët punojnë gjatë gjithë vitit” janë përzgjedhur mbi 200 filma që shfaqen në këtë edicion. Qendra Historike e Prizrenit mbetet stacioni qendror.
“I kemi dy kinema te Kalaja, e kemi kinemanë te lumi, i kemi hapësirat brenda dhe jashtë të ‘Lumbardhit’, sivjet do ta kemi edhe Shtëpinë e Kulturës, e cila ishte në renovim më herët dhe tani po shpresojmë ta kthejmë në shfrytëzim. Qendra është duke u rregulluar, po shpresojmë ta marrë një pamje më të bukur dhe të re, në mënyrë që të jetë nikoqire e mysafirëve të Festivalit. Sepse qyteti mbipopullohet gjatë kohës së ‘DokuFestit’ dhe prandaj po mundohemi që t'i akomodojmë të gjithë vizitorët dhe që secili të jetë i kënaqur nga kjo përvojë”, ka thënë ajo para se të dalë te programi.
“Do të kemi edhe programe speciale. Njëri prej tyre do të jetë ‘Focus Ukraina’, ku do të kemi shfaqje të filmave nga regjisorë ukrainas. Gjithashtu do ta kemi një ekspozitë me fotografi që shpjegojnë se si dokumentohet lufta përmes fotove. Do t’i kemi dhe disa mysafirë, gazetarë që janë nga Ukraina por po qëndrojnë në Kosovë. Programi tjetër është ‘Focus Palestine’. Është program mjaft interesant sepse i ka disa filma që e shpjegojnë se si në të kaluarën, të dyja nacionalitetet kanë realizuar filma së bashku”, ka thënë ajo.
Festivali që po shkel çerekshekullin, përherë është veçuar për përmbajtjen dhe për mesazhet e fuqishme që përcjell.
“Programi do të marrë kahe të tillë që promovon paqe dhe jo vetëm atë që është duke ndodhur aktualisht në gjithë këtë situatë”, ka thënë Çakalli. Ka aq shumë detaje sa secili prej tyre është unik më vete.
Njëri prej më kryesoreve është tema. Producentja e “DokuFestit”, synon ta mbajë edhe disa ditë të pazbërthyer, megjithatë e zbulon pa dhënë shumë shpjegime. Ka kohë edhe për to.
“Temën e këtij edicioni do ta publikojmë së shpejti bashkë me mesazhin të cilin duam ta adresojmë te popullata. Por dihet tashmë se kanë ndodhur shumë gjëra gjatë vitit dhe po vazhdojnë të ndodhin, situata dinamike, tepër e ndryshme nëpër botë na ka bërë të mendojmë dhe reflektojmë se çfarë duam të adresojmë me këtë edicion. Marrë parasysh faktin se tema ndikon në ndërtimin e kampanjës, ne kemi vendosur të dalim me temën që përbëhet prej dy fjalëve”, ka thënë ajo. E ato janë: ‘New Order’ (Rendi i ri).
“Mirëpo për detaje më të hollësishme së shpejti do të dalim publikisht me temën dhe pastaj do ta lëmë publikun që ta kuptojë se çfarë kemi dashur të bartim si mesazh. Por natyrisht si në çdo edicion, festivali ia lë të hapur mundësinë çdo individi që ta kuptojë ashtu siç dëshiron vetë, pra në bazë të botëkuptimit personal”, ka thënë Çakalli.
Intriguese, domethënëse, të kohës e goditëse kanë qenë përherë temat e “DokuFestit”. “I AM AI AM I” – ose në shqip “UNË JAM IA A JAM” – qe tema e edicionit të vjetëm. E, qartë lidhej me Inteligjencën Artificiale dhe hapja qe spektakolare kur njeriu u zëvendësua me IA të provokuar paraprakisht duke e pyetur për qenien humane dhe të tjera tema.
Nëse “Rendi i ri”, do të jetë tema, atëherë është e shumëkuptimshme: Mund të jetë sistem qeverisës, por edhe teori konspirative. Edhe filozofi e Francis Beconit, empiristit anglez të shquar për utopizimin e “Atlantidës së re” por edhe emër i post-punk bendit anglez. Por derisa “DokuFesti” ta zyrtarizojë, shpjegimi mund të marrë tjetër kah.
“Karakteristikë edhe sivjet është përmbajtja e programit, sepse bëhet një punë e madhe e shumë njerëzve që kontribuojnë aty. Nëse veçojmë diçka si pjesë e strategjisë sonë të re për periudhën 2024-2028 të 'DokuFestit' është që përveç punëve organizative në fokus do ta kemi pjesën e muzikës. ‘DokuNights’ do të transformohet dhe do të bëhet pjesë integrale e festivalit”, ka thënë ajo. Program muzikor do të ketë gjatë ditës e deri në orët e vona të natës. “Sivjet do të ketë performanca interesante, një prej tyre do të jetë ajo e ’47 Souls’, që është një bend nga Palestina dhe do të performojë një natë në ‘Lumbardh’”, ka thënë ajo.
Producentja ka veçuar edhe Garën Kombëtare e cila sivjet ka më shumë filma.
“Është edicioni ku ka shumë filma që kanë konkurruar në Garën Kombëtare. Si nga numri i madh ashtu edhe për nga kualiteti, ka shumë filma interesantë që ia vlen t’i shikojmë”, ka thënë ajo. Në programin tashmë të shpallur në këtë kategori janë 14 filma. Fiks gjysma janë nga Kosova. Krejt kjo dëshmon atë që “DokuFesti” e ka dëshmuar tashmë.
“Interesimi i madh për pjesëmarrje e tregon kualitetin dhe suksesin e festivalit në botën e filmit. ‘DokuFesti’ e ka dëshmuar vendin e vet”. E sivjet – prej 2 deri më 10 gusht – do të jetë hera e 23-të që do ta bëjë këtë.