Festivali ndërkombëtar i dokumentarëve dhe filmave të shkurtër merr pjesë në programin e veçantë ku përfshihen tre filma nga Kosova, si dhe një panel diskutimi. Në “Environmental Film Festival” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet “DokuFestit” do të bëhet prezantimi i kinematografisë, natyrës, programit të festivalit me nam që zhvillohet në Prizren e përdorimi i filmit në procesin edukativ, janë veç disa prej temave e qëllimeve
Rrëfime frymëzuese dhe aso për traditën e këtyre anëve do ta ndezin ekranin e “Environmental Film Festival” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet “DokuFestit”. Festivali ndërkombëtar i dokumentarëve dhe filmave të shkurtër merr pjesë në programin e veçantë ku përfshihen tre filma nga Kosova si dhe një panel diskutimi. Prezantimi i kinematografisë, natyrës, programit të festivalit me nam që zhvillohet në Prizren e përdorimi i filmit në procesin edukativ janë veç disa prej temave e qëllimeve.
Jorastësore është përfshirja e “DokuFestit” në programin e festivalit me traditë prej vitit 1993. Kategoria “Green Dox” është njëra shtyllë e programit të festivalit ku grupohen filmat që i dedikohen mjedisit. Eroll Bilibani, udhëheqës i programit edukativ të festivalit “DokuFest”, ka thënë se me atë që në shqip do të thotë Festivali i Filmit për Mjedisin kanë bashkëpunim prej një dekade.
“Festivali në Washington është një prej bashkëpunëtorëve tanë që i kemi në rrjetin e festivaleve të filmave ambientalistë, është ‘Green film network’. Është një rrjet global i festivaleve që kanë programe që kanë të bëjnë me tema ambientaliste. ‘DokuFest’ me vite të tëra e ka kategorinë garuese ‘Green Dox’ ku shfaqen filmat ambientalistë”, ka thënë Bilibani.
Por krejt jashtë kategorisë “Green Dox”, tre filma nga Kosova janë zgjedhur për t’u shfaqur në programin e quajtur “International Shorts Showcase: Curated by DokuFest”.
“Këtë vit i kemi tre filma. Është filmi ‘Ajo mal’, një film inspirues. Flet për rrugëtimin dhe aktivizmin e Uta Ibrahimit në ngjitjen e majave të botës. E kemi filmin e Baris Karamuços, që flet për jetën e barinjve në pjesën e Dragashit, pra në pjesën e Opojës, për barinjtë që merren me kope, si dhe filmi i tretë ka qenë pjesë e garës në ‘DokuFest’ para disa vjetëve. Është filmi i Visar Berishës që flet për degradimin e lumit në Kaçanik”, ka thënë Bilibani për KOHËN, derisa ka bërë të ditur se një përfaqësim i tillë qe edhe në vitin 2019.
Ekranin e festivalit që sivjet zhvillon edicionin e 32-të nga 20 deri më 29 mars e ndez edhe rrëfimi kinematografik nga Kosova në ditën e tretë të ngjarjes. Më 22 mars nga ora 16:00, me kohën lokale në SHBA, shfaqen filmat: “Ajo mal” me regji të Jonada Jasharit, “We were, however, able to see the construction” i Visar Berishës dhe “Herd” nga Baris Karamuco.
“Kemi përzgjedhur këta tre filma për të treguar pak për diversitetin, por edhe për mënyrën se si financohen filmat këtu, pra përmes disa mënyrave jokonvencionale, siç është ‘CHwB’, që kohë pas kohe financon produksione të tregimeve të ndryshme që vijnë nga Kosova”, është shprehur Eroll Bilibani.
“Ajo mal” rrëfen udhëtimin e 20 grave të reja nga Kosova, nën mentorimin e Ibrahimit, si aventurë frymëzuese e fuqizimit, guximit dhe lidhjes me malet e Kosovës. Ky film qe shfaqur premierë në “DokuKino” në Prizren më 12 dhjetor të vitit të kaluar.
“Një rrëfim frymëzues për 20 vajza, që nën mentorimin e alpinistes së njohur Uta Ibrahimi zbuluan malet e Kosovës dhe guximin brenda vetes”, ka shkruar “DokuFest” për këtë film.
Filmi “We were, however, able to see the construction” i Visar Berishës rrëfen degradimin e natyrës. Sipas përmbledhjes së shkurtër, filmi është koment mbi të bëmat e shkatërrimit të lumit Nerodime.
“Kur Komuna e Lipjanit vendosi të ribëjë lumin që përshkon fshatin Janjevë, ajo u bë pa konsultim me banorët e saj. U përpoqëm të merrnim përgjigje nga zyrtarët, por nuk mundëm të kalonim, megjithatë ishim në gjendje të shihnim ndërtimin. Në vend të një dialogu, ky është komenti ynë mbi atë që ata bënë”, shkruhet për filmin 16-minutësh.
“Një vështrim në jetën e barinjve në malet Sharr...” është prezantimi për filmin “Herd” të Baris Karamuco në uebfaqen e “Environmental Film Festival”. Aty shkruhet se filmi ofron vështrim intim në rutinën e përditshme të barinjve dhe traditave të qëndrueshme.
Paneli i diskutimit e pason shfaqjen e këtyre filmave. Pos Eroll Bilibanit, të pranishëm në këtë panel do të jenë edhe producentja e “DokuFest”, Alba Çakalli, si dhe Jeton Jagxhiu, anëtar i bordit të Festivalit.
“Është një program që është përafërsisht 50 deri 60 minuta, ku do të kemi po ashtu kohë të njëjtë për diskutim të asaj se çfarë bëjmë ne në festival, si e përdorim filmin në procesin e edukimit, cilat janë disa praktika të qëndrueshme që aplikojmë në përdorimin e filmit në procesin mësimor”, ka bërë të ditur Bilibani.
Në kuadër të këtij diskutimi gjithashtu do të prezantohet projekti i Jeton Jagxhiut, libri që flet për ushqimet e Kosovës.
“Jetoni edhe si anëtar i bordit të ‘DokuFestit’, por edhe si autor i librit për ushqimet e Kosovës. Është libri që pret të gjejë fonde për shtyp. Është një ritregim i ditarit ushqimor të cilin e ka pasur në Facebook, tash e sjell më ndryshe dhe flet mbi kërkimet e tij për ushqimet e ndryshme dhe kulturën ushqimore të regjionit të Prizrenit”, ka bërë të ditur Bilibani.
E ka vlerësuar këtë program si një lloj instalacioni në kuadër të festivalit ku prezantohet “DokuFest” e ku midis tjerash trajtohen edhe filmat të cilët Festivali i programon për edicionet e tij. E ka konsideruar nder pjesëmarrjen atje.
“Për ne është nder që ata na njohin si një festival i cili ia vlen të prezantohet atje dhe që nëpërmjet këtyre diskutimeve të arrijmë ndoshta t’i inspirojmë në mënyrën se si ne e përdorim filmin në edukim dhe në zhvillimin e mendimit kritik tek nxënësit, si dhe ta promovojnë kinematografinë tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Eroll Bilibani.
“Ky event ofron mundësi unike për t’u angazhuar me punën kulturore dhe edukative të ‘DokuFestit’ që feston trashëgiminë e pasur të Kosovës”, shkruhet nga “Environmental Film Festival” për programin si tërësi.
Në vitin 1993 themeluesja e këtij festivali, Flo Stone, e cila më parë ka qenë në jurinë e “DokuFestit” e krijoi festivalin e parë të madh të filmit për mjedisin në Shtetet e Bashkuara, duke mbuluar një sërë temash nga aktivizmi dhe konservimi deri te zbulimi dhe eksplorimi. Qëllimi i saj ishte të informonte, të bashkëpunonte dhe të frymëzonte njerëz nga të gjitha sferat e jetës për të kërkuar të vërtetën dhe për të ndërgjegjësuar çështjet themelore ekologjike.