Shumë histori njerëzore në kohët e sotme mbulohen me fasada. E bashkë me ato edhe ato të familjeve. Në shumë raste zhveshja nga mbulesat e paqena vjen si rrufe e fortë. E shfaqja “Djali” në Teatrin e qytetit në Gjilan e zbërthen pikërisht kompleksitetin e marrëdhënieve në familje. Nxjerr në pah brishtësinë e komunikimit midis anëtarëve të familjes.
Me autor francezin Florian Zeller e nën regji të Erson Zymberit, shfaqja do ta ketë premierën sonte në Teatrit e Qytetit në Gjilan. Me aktorë Kushtrim Qerimin, Yzeir Mehën, Safete Mustafa-Baftiun, Tringa Hasanin e Florent Salihun, shfaqja do të kthejë vëmendjen te familjet e kohët moderne.
Sipas përshkrimit që ia bën ekipi i shfaqjes me producent Ernest Zymberin, “Djali” është historia e një familjeje në krizë. Është produksion i pavarur.
“Është një thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne”, shkruhet në sqarim.
Aty elaborohet se kur Nikolas, një djalë adoleshent, fillon të tregohet i tërhequr dhe i shqetësuar, prindërit e tij të divorcuar përpiqen ta ndihmojnë atë, por përballen me sfidat e brendshme të familjes së re dhe dinamikat komplekse të marrëdhënieve të tyre.
“Shfaqja eksploron dhimbjen, humbjen dhe përpjekjet për të kuptuar dhe për të mbështetur ata që vuajnë në heshtje”, shkruhet në shpjegim. Regjisori Zymberi, që është edhe drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, ka thënë se bëhet fjalë për një histori mjaft intriguese.
“Me një ndërtim emocional të fuqishëm, shfaqja trajton çështjet e rëndësishme të shëndetit mendor, ndërsa thekson rolin dhe përgjegjësinë e prindërve”, ka sqaruar ai për projektin teatror të mbështetur nga Ministria e Kulturës.