Flamujt kombëtarë janë ulur në gjysmështizë prej së martës në Shqipëri, e vazhdojnë të mbahen njashtu edhe të mërkurën, kur në Tiranë do t’i jepet lamtumira e fundit shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare. Ditë zie ka shpallur edhe Kosova të mërkurën. Me një minutë heshtje kanë nisur mbledhjet komemorative për të – si ajo krejt modeste e Institutit Albanologjik të Prishtinës – por nuk kanë heshtur nderimet e kujtimet për të. Janë rikthyer debatet për peshën e shkrimtarit, vdekja e të cilit është konsideruar si fundi i një epoke në letërsinë shqipe
Ditë zie e ka shpallur Kosova të mërkurën përderisa Shqipëria e ka bërë këtë edhe për të martën në nderim të Ismail Kadaresë, i cili vdiq mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare. Lamtumira e fundit do t’i jepet sot (e mërkurë) në Tiranë me ceremoni shtetërore. Një komision i posaçëm shtetëror i mbikëqyrur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është bërë i ditur duke shpalosur kështu dhe nderimet e fundit. Sipas shpalljes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Shqipërisë flamujt kombëtarë të martën ulen në gjysmështizë sikurse edhe të mërkurën, kur në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit, dhe Ansamblit popullor do të mbahen edhe homazhet publike prej orës 09:00 deri në 11:30 për të vazhduar me ceremoninë njëorëshe shtetërore të Lamtumirës. Kortezhi, sipas agjendës, do të niset prej orës 12:30 për në varrezat e Tufinës. Në orën 13:00 të po kësaj dite në nderim të Ismail Kadaresë do të ndërpritet çdo veprimtari duke u mbajtur një minutë heshtje, ndërsa Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror do të transmetojë muzikë funebre. Edhe të martën, kanë vazhduar komemoracionet, nderimet e kujtimet për Kadarenë. Në Prishtinë, njëri prej organizimeve ka qenë ai i Institutit Albanologjik të Prishtinës, në atë që është quajtur mbledhje komemorative.
“Sot bota flet me shqiptarët përmes gjuhës së veprave të tij”
Mes mungesës së finesave e modestisë së kushtëzuar, mbledhja komemorative në Institutin Albanologjik të Prishtinë do të shënohet si një organizim i bërë shpejt e thjesht. Vapa në dhomën ku po mbahej kjo mbledhje ishte detaji i parë që ka tërhequr vëmendjen me doemos. Nuk u panë as lule apo ndonjë fotografi me shirit të zi e të ndjerit. U mjaftua me një projektim të disa imazheve të Kadaresë dhe kopertinave të librave të tij nëpërmjet kompjuterit. Nuk ka pasur as shumë pjesëmarrës.
Megjithatë, për studiues të veprave të tij, Kadareja është i papërsëritshëm. Një minutë heshtje u ka paraprirë fjalimeve.
Lulzim Lajçi, ushtrues detyre i drejtorit të IAP-it, ka thënë se vdekja e Kadaresë është humbje edhe për letërsinë botërore.
“Ikja nga kjo botë e Ismail Kadaresë nuk është humbje e madhe vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për letërsinë botërore. Veprat e tij janë botuar në 45 gjuhë botërore, kështu Kadare e vendosi atdheun e tij të izoluar ballkanik në hartën e letërsisë botërore”, ka thënë Lajçi. Ka përmendur edhe disa nga arritjet dhe vlerësimet ndërkombëtare të shkrimtarit gjatë karrierës së tij.
“Kadare ndër të tjera, ka marrë dhe çmimin amerikan për letërsi për një kontribut të përjetshëm në shkrimet ndërkombëtare në vitin 2023. Në prezantimin e çmimit John Carey, ish-kritik britanik dhe kryetar i panelit, e quajti Kadarenë një shkrimtar universal me traditë tregimtare që shkon prapa deri te Homeri. Vitin e kaluar, presidenti francez i dha atij çmimin ‘Oficer i madh i legjionit të nderit’, ai u nominua dhe për çmimin ‘Nobel’, duke thënë me një rast se shumëkush e beson që ai vërtet e ka fituar çmimin Nobel”, ka thënë Lajçi, duke i shprehur ngushëllimet e tij edhe bashkëshortes e vajzave të shkrimtarit Ismail Kadare.
Emin Kabashi, studiues i veprës së Kadaresë, fjalën e tij për shënimin e vdekjes së Ismail Kadaresë e ka titulluar “Vdekje që i jep shpresë jetës”. Kabashi ka bërë një përvijim të veprimtarisë së Kadaresë, duke u ndalur në çdo gjini letrare me të cilën ka lënë gjurmë.
“Nuk kam çfarë të them më tepër sesa kanë thënë shqiptarët për veprën e tij, sesa kanë thënë francezet, anglezët, amerikanet, italianët, suedezët e të gjithë ato gjuhë të botës në të cilat ka folur vepra e tij madhore. Sot bota flet me shqiptarët përmes gjuhës së veprave të tij, duke i vlerësuar ndër arritjet kulmore të artit të fjalës, të mendimit, të ideve dhe të shtresimeve të jetës historike të një populli që ka përballuar gjithë rrënojat e shekujve”, kanë qenë fjalët me të cilat ka zgjedhur Kabashi ta kujtojë emrin e Ismail Kadaresë.
Ka folur edhe për lidhjen e tij me Kosovën.
“Do të thotë që nga viti 1956 e deri në vitin 1999, tema e Kosovës ishte pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij, siç ishte konstrukt i atdheut të tij historik, që e ka përjetësuar në veprën e tij gjeniale”, ka thënë Kabashi.
E ka përmbyllur me një citat nga vetë Kadareja. “Nuk ka asgjë më të saktë për portretin krijues të Ismail Kadaresë sesa ato që ka thënë vetë te ‘Pesha e kryqit’: ‘Shkrimtari është gjithmonë gjetkë. Ti e bombardon strehimin e tij, kurse ai ndodhet në tjetër strehim. Ti e shikon në bankën e të akuzuarve, në polici, në baltërat e kooperativave socialiste, kurse ai ndodhet ndërkaq në studion e tij, në labirint me faraonin, në çmendinë, ose në tempull. Ti e kujton ditën tjetër në gosti a në ceremoni solemne, kurse ai është përkundrazi, në zi e plagët i shkojnë çurg’”, ka cituar Kabashi në mbledhjen komemorative në të cilën ka marrë pjesë edhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Studiuesi Arben Hoxha, ka thënë se vdekja fizike e Kadaresë nënkupton mundësi të reja për brezat e rinj.
“Vdekja fizike e Kadaresë si vdekje e qenies së tij të ulët, është një mundësi e re për ne dhe brezat që vijnë pas për të hyrë në lidhje më të plota e më të fuqishme me mendjen e tij letrare si qenia e tij e lartë dhe e pavdekshme. Për të reflektuar mbi avantazhet që ajo ka krijuar dje dhe për ato që mund të krijojë në të ardhmen për konsolidimin dhe lartësimin e kulturës sonë letrare. Në këtë ditë të ikjes fizike të mjeshtrit shqiptar të përdorimit të fuqisë së mendjes letrare, Ismail Kadaresë, lavjerrësi i dhembjes tonë luhatet nga pika e respektit përulës te krenaria e ndërgjegjes zgjuese për gjithçka që ai i la trashëgimi shpirtit shqiptar”, ka thënë Hoxha.
“I vetmi shkrimtar shqiptar që është bërë shkrimtar botëror”
Studiuesi, poeti e profesori universitar, Agim Vinca, në një prononcim për KOHËN pas mbledhjes komemorative, ka thënë se Kadareja është në fakt i vetmi shkrimtar shqiptar që është bërë shkrimtar botëror.
“Kadareja është autor i një korpusi të madh letrar që përbëhet nga tri shtylla kryesore; poezia, romanet dhe esetë. E gjithë vepra e tij ka karakter unik, sepse ajo merret me problemet e mëdha të kohës, të vendit, të kombit dhe të njerëzimit, siç janë problemet e lirisë në përballje me robërinë, problemi i individit në përballje me pushtetin dhe problemi i popujve të vegjël në përballje me superfuqitë. Kadareja në veprën e tij i ka kapur esencat e jetës shqiptare siç janë; identiteti, gjuha, kultura, mentaliteti, dhe i ka artikuluar ato në një mënyrë që për mendimin tim, kombinon posideun tradicional me atë modern. Ai është shkrimtari që e modernizoi letërsinë shqipe, është shkrimtar i sintezave të mëdha i cili përthith, asimilon nga përvoja krijuese e gjenive të shekujve, nga Homeri, Eskili, Dante dhe sidomos Shakespearei për të ardhur edhe te gjenitë e letrave shqipe si De Rada, Naimi, Noli, Lasgushi e të tjerë”, ka thënë Vinca, duke shtuar se Kadareja mbylli ciklin e tij jetësor në moshën 88-vjeçare, por vepra e tij është e pavdekshme dhe do ta vazhdojë komunikimin e saj me lexuesin shqiptar dhe të huaj.
“Shkrimtar që ka jetuar në dy shekuj, në dy epoka, në dy sisteme...”
Agim Vinca, të martën mbrëma ka qenë i ftuar edhe në panelin e emisionit “Konfront” në Kohavision.
Vinca – në panelin bashkë me regjisorin e shkrimtarin Agim Sopi, studiuesin e letërsisë Besnik Jaha dhe historianin Durim Adullahu – ka thënë se ikja e Kadaresë është fundi i një epoke në letërsinë shqipe.
Sipas tij, Kadare i ka dhënë vulë letërsisë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20 dhe fillimit të shekullit 21.
“Trashëgimi mbesin veprat. Njerëzit janë qenie të vdekshme, përfshirë edhe shkrimtarët. Ikja e Kadaresë është fundi i një epoke në letërsinë shqipe, ndoshta edhe në kulturën shqiptare sepse i ka dhënë vulën në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI”, ka thënë ai.
Vinca e ka përshkruar Kadarenë si një shkrimtar që ka jetuar në “dy shekuj, në dy epoka, në dy sisteme, atë totalitar dhe demokratik”.
Agim Sopi ka thënë se diktatori Enver Hoxha dhe shkrimtari Ismail Kadare kanë ditur ta shfrytëzojnë njëri-tjetrin. Sipas Sopit, Kadareja në fund ka dalë fitues.
“Raportet e Kadaresë dhe Enver Hoxhës nuk e besoj që kanë qenë me respekt të madh, por konsideroj që të dy kanë ditur ta shfrytëzojnë njëri-tjetrin. Enveri me plane të sakta, ku do të mbërrijë dhe çfarë do të mbërrijë me Kadarenë, ndërsa Kadare e ka luajtur një lojë të humbësit, që ‘gjithçka ose asgjë’. Dhe mendoj që ka dalë fitues”, ka thënë Sopi. Pikërisht për këtë kapitull, ndër të tjera ka folur edhe historiani Durim Abdullahu.
Sipas tij, Kadare ishte pjesë e sistemit, pasi sipas tij, nuk mund të ishte ndryshe, meqë jetonte në një shtet totalitar. “Ai ishte deputet për 12 vjet, ishte zv.kryetar i Frontit Demokratik, që ishte organizata më e madhe e partisë. Ai ka kryer disa detyra, qoftë për të shpëtuar kokën e tij", ka thënë Abdullahu. Ai po ashtu ka thënë se pas vdekjes së kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, kishte urdhër edhe për arrestimin e shkrimtarit. “Pas vdekjes së Shehut, janë dy raste kur urdhërohet dhe kthehet mbrapsht urdhri i Hoxhës për arrestim. Ka një mori kërkesash e letrash për arrestimin e Kadaresë. Hoxha dha urdhër të arrestohet më '82 dhe '83", ka thënë Abdullahu. Me këto nuk është pajtuar Agim Vinca përderisa studiuesi Besnik Jaha, Kadareja është më i mirë si poet sesa si prozator. “Për mua Kadare është më i mirë si poet, pavarësisht se është i njohur si prozator, Kadare ka lindur për të qenë poet”, ka theksuar Jaha, i cili është edhe autor i librit “Distopia e Kadaresë”. Ka thënë se në studime Kadareja ka qenë emri i parë i cili është përmendur prej çdo profesori të letërsisë. “Ndoshta nga ligji i thjeshtë i fizikës, se trupi më i madh tërheq më shumë, ka gravitet më të madh, Karadeja ishte trupi më i madh i letërsisë, gjenerali i letërsisë shqipe”, ka thënë Jaha.
E një gjë është e sigurt: Kadareja do të jetë emër që do të përmendet gjatë. Te shqiptarët e në botën e letërsisë.