Kulturë

Dita e kujtesës së viktimave nga regjimet totalitare

Në saje të Deklaratës së Parlamentit Evropian, nga data 23 shtator 2008, dita e 23 gushtit në Evropë është shpallur Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me një datë simbolike, sepse më 23 gusht të vitit 1939 është nënshkruar Marrëveshja Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes të Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik.

Por në rrethana të reja shoqërore pas falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit (8.11.1989) dhe miratimin e pluralizmit në vendet e ish- kampit socialist, filloi rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e persekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Dhe është kjo koha e lirisë personale e shoqërore, e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e atyre vendeve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.

Ende pa përcaktimin e ditës së viktimave në Mal të Zi

Në lidhje me këtë çështje, Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006 ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Evropës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të këtyre viktimave deri më tash ende nuk është përcaktuar.

Nga një qëndrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Evropian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për t’u ballafaquar me të kaluarën, transmeton KOHA.

Po ashtu, Parlamenti Evropian ka miratuar rekomandimin, ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ua përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziston një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet e tjera nga ish- kampi socialist.