Një muaj e gjysmë pas, greva e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës duket se nuk ka shteg. Institucioni më i lartë teatror në vend do ta mbyllë vitin në këtë situatë, përderisa Qeveria e veçmas Ministria e Kulturës sillen sikur nuk po ndodh asgjë. Grevistët paralajmërojnë një dhuratë për ministrin e Kulturës. “Por assesi nuk do të shkojë pa turp. Duhet ta kuptojnë ai dhe të gjithë të tjerët se ministrat vijnë e shkojnë, ndërsa Teatri Kombëtar ka qenë dhe do të jetë aty bashkë me artistët. Artisti është i përjetshëm, ndërsa ministri kalimtar, i harrushëm. S’ka më keq sesa kur je me afat skadence”, ka thënë aktori Adrian Morina, anëtar i Këshillit Grevist të TKK-së
Më 5 dhjetor imazhi i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, qe paraqitur si model në shkallët e institucionit që ai udhëheq. I qe “instaluar” një monolog, në mënyrë që në këtë performancë të Këshillit Grevist të Teatrit Kombëtar të Kosovës të dukej sikur ministri Çeku po fliste. Por i pari i Ministrisë së Kulturës s’ka bërë zë sa i përket grevës, që në fund të dhjetorit shënon një muaj e gjysmë. Pos kur në një konferencë për media, pas një mbledhjeje të Qeverisë, para se të nisë greva, i pyetur për këtë rast ai kishte treguar për investimet qeveritare në teatro.
Më ministri Çeku s’ka folur për këtë çështje. Për këtë temë s’është përgjigjur as Ministria e Kulturës. Përderisa jeta teatrore në Kosovë ka mbetur pa shfaqjet e institucionit kryesor teatror, Qeveria bën sikurse çdo gjë është në gjendje normale.
Pasi Ministria e Kulturës kishte parë se aktorët po hynin në grevë në mes të muajit nëntor, ministri Çeku kishte angazhuar dikë që bota amerikane e njeh si “special envoy” e në Kosovë shpesh quhet sekser. Kishte zgjedhur bashkëshortin e një anëtareje të ansamblit rezident për të negociuar me aktorët. Por Këshilli Grevist nuk ishte zmbrapsur. Prej atëherë më aktorët e Ministria s’kanë pasur kurrfarë kontakti.
Për Këshillin Grevist kjo situatë ka qenë e pritshme.
“Kjo tregon edhe dëshmon atë çfarë ne e kemi ditur prej kohësh e muajsh se çështja për të cilën ne jemi në grevë nuk është adresuar asnjëherë. Të gjitha fjalët e mëdha se po punohet shumë për të adresuar e zgjidhur problemet kanë qenë mashtrime të pacipa, siç edhe po shihen. Ne e kemi ditur, sepse i kemi adresuar kërkesat tona prej para miratimit të Ligjit të Pagave, por është mirë të shpërfaqet fytyra e vërtetë mashtruese edhe para opinionit”, ka thënë Adrian Morina, anëtar i Këshillit Grevist të TKK-së.
Sipas tij, ky ministër do të mbahet në mend si ministri që degradoi Teatrin Kombëtar të Kosovës duke e zhvendosur në një hapësirë të improvizuar ku as ajër të mjaftueshëm nuk ka.
“Një ministër që e mbyll Teatrin për dy vjet e gjysmë pa lëvizur asgjë në renovimin e hapësirës së vjetër, ku me sa kemi kuptuar kanë dalë edhe telashe të tjera të cilat do ta shtyjnë për një kohë të gjatë renovimin. Ministër i cili i ndan miliona në tenderë e nuk gjen zgjidhje për aktorët për buxhete që nuk kalojnë as dreka e darka festivalesh. Athua pse? Besoj se e dimë. Ministër i cili mashtron se ka rritur pagat e të gjithë aktorëve të qyteteve, ndërkohe që asnjë teatër të qytetit s’e ka në obligim”, ka thënë Morina. Sipas tij, ministri Çeku e ka zyrtarizuar e barazuar amatorizmin me institucionin më të lartë kulturor në vend që prodhon sa të gjitha institucionet e kulturës lokale e qendrore bashkë. Ai e ka përshkruar ministrin Çeku si udhëheqës që “shkruan tri komunikata për një lis të prerë, ndërsa nuk mërzitet e sillet me arrogancë në raport me aktorët që janë fytyra e teatrit shqiptar”. Bëhet fjalë për një dru të prerë krahas ndërtesës së TKK-së pasi ka nisur restaurimi.
“Një përçudnim, çrregullim i organizimit të brendshëm në TKK që duket gati i pabesueshëm. Imagjinoni, paga e fytyrave kryesore të Teatrit është e njëjtë me personin që lanë gardërobën e aktorëve. Por ky nuk është vetëm degradim, por edhe poshtërim ose ndoshta ky është artisti në sytë e ministrit. Në grevë do të na gjejnë ministri dhe qeveria tjetër”, ka thënë Morina. Sipas tij, deri atëherë masat e grevistëve do të vijnë duke u përshkallëzuar. Ka thënë se beson që ministrit do t’ia bëjnë një dhuratë të mirë për Vit të Ri.
“Por assesi nuk do të shkojë pa turp. Duhet ta kuptojnë ai dhe të gjithë të tjerët se ministrat vijnë e shkojnë, ndërsa Teatri Kombëtar ka qenë dhe do të jetë aty bashkë me artistët. Artisti është i përjetshëm, ndërsa ministri kalimtar, i harrushëm. S’ka më keq sesa kur je me afat skadence. E dini se ç’kundërmim sjellin kur ju skadon afati?!”, ka thënë Morina.
Ministria e Kulturës prej kur kanë hyrë aktorët në grevë asnjëherë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.
Dramaturgu Arian Krasniqi, i cili në vitet 2008 dhe 2009 ka qenë drejtor i përgjithshëm i TKK-së, ka thënë se në parim i mbështet kërkesat e aktorëve dhe të drejtën e tyre për të hyrë në greve. Ka thënë se nuk ka informacione se si është duke u zhvilluar dhe nëse ka ndonjë përpjekje serioze për t'i plotësuar kërkesat e tyre.
“Pa adresuar fajtorë të përveçëm, mendoj se është humbje për jetën teatrore mungesa e shfaqjeve të rregullta në TKK. Mendoj se MKRS-ja dhe politika institucionale duhet ta marrin seriozisht këtë gjendje dhe t’i adresojnë kërkesat e aktorëve dhe punonjësve të tjerë në TKK, por edhe jo vetëm”, ka thënë ai.
Edhe menaxhmenti i TKK-së për një periudhë kohore kishte heshtur. Në ditën e 5-të të dhjetorit, drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, kishte thënë se kërkesat e aktorëve janë legjitime pasi edhe vetë ata më parë kishin të njëjtën kërkesë.
“Jemi shumë të palumtur për situatën. Urojmë shumë që të zgjidhet sa më parë. Nuk e dimë se si do të bëhet zgjidhja, sepse nuk e kemi në dorë. Në fund të fundit jam i sigurt që zgjidhja do të jetë në atë që menaxhmenti e ka propozuar qysh para 18 muajve edhe në raport me shpjegimet ligjore dhe me të drejtën për paga të dinjitetshme për aktorët e TKK-së, të cilët kohëve të fundit, por edhe më parë, kanë bërë një volum të madh të punës”, kishte thënë, midis të tjerash, Sheremeti.
Në fund të nëntorit aktorët grevistë, në një tjetër aksion simbolik, shpërndanë portretet e tyre në shkallët para objektit të Ministrisë së Kulturës. Ishte si thirrje për t’i shkelur ashtu siç konsiderojnë se janë në realitet.
Pos bllokimit të punës së institucionit më të lartë teatror në vend, greva ka bërë që edicioni i tretë i festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” të anulohet. Do të niste në ditën e 20-të të muajit të kaluar.
Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për Pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 19 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.
Para 20 muajsh kur ishin ngritur pagat me zbatimin e Ligjit për Paga në sektorin publik, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.
Kërkesa për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës.
Asokohe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtohen.
Paraprakisht, para 2023-s, pagat e krijuesve, performuesve dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishin rritur në nëntor të vitit 2018. Në shtatorin e atij viti fillimisht kishin hyrë në grevë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e më pas atyre u ishin bashkuar edhe punonjësit e institucioneve të tjera. Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore.
Më 1 nëntor të atij viti 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje.