Kulturë

Dita Botërore e Poezisë dëshmon fuqinë e vargut në harmoni e homazhe

Dita e Poezisë - Biblioteka "Hivzi Sylejmani"

Dita Botërore e Poezisë u shënua të premten edhe në Prishtinë. Bashkë me frymën e pranverës, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, jehuan edhe vargjet e thurura me delikatesë nga krijuesit e kësaj gjenerate. Ata ishin po aty, për të sjellë tamam emocionet që i kanë frymëzuar për të shkruar (Foto: Biblioteka “Hivzi Sulejmani”)

Nënvizimi i fuqisë transformuese të poezisë në nxitjen e harmonisë dhe të shërbejë si një forcë unifikuese në kohë ndarjesh, duke i bashkuar njerëzit përmes emocioneve dhe përvojave të përbashkëta, ka qenë “kryefjala” për sivjet e Ditës Botërore të Poezisë. E, në realitet një imazh të tillë ka pasur festa e kësaj dite në Prishtinë. Ka bashkuar në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” poetë e adhurues të poezisë, aty është dëshmuar fuqia e saj, por njëkohësisht nëpërmjet vargut u janë bërë homazhe edhe emrave të shquar të letrave shqipe

Vargjet e poezive kanë jehuar në shënim të Ditës Botërore të Poezisë. Poetë e dashamirë të poezisë kanë rrëfyer histori nëpërmjet vargjeve të tyre. Në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë u bënë homazhe krijuesve të shquar që i janë ndarë skenës letrare kohëve të fundit. E ngjarja në thelb ka qenë një lloj feste për poezinë. 

Ka data të ndryshme për Ditën e Poezisë në vende të botës. Por që nga fundi i shekullit të kaluar festohet më 21 mars. U shënua edhe në Prishtinë. Bashkë me frymën e pranverës jehuan edhe vargjet e thurura me delikatesë nga krijuesit e kësaj gjenerate. Ata ishin po aty, për të sjellë tamam emocionet që i kanë frymëzuar për të shkruar. 

Poetja Naime Beqiraj, drejtoreshë e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në fjalën e hapjes ka thënë se ky aktivitet promovon leximin, shkrimin, botimin dhe mësimin e poezisë në mbarë botën. 

“Ngjarje që i kushtohet këtij arti poetik nazik, është njëra nga format më të çmuara të njerëzimit, të shprehjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor. UNESCO e miratoi për herë të parë 21 marsin si Ditën Botërore të Poezisë gjatë Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të në Paris më 1999, me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike moderne dhe tradicionale”, ka thënë ajo. 

Aktorja Arieta Ajeti, po ashtu edhe krijuese, ka interpretuar vargje nga “Këngët e këngëve”, një nga perlat e vjetra botërore të poezisë, shkruar tre mijë vjet më parë nga Mbreti Solomon. 

Poeti e studiuesi Sali Bashota theksin e ka vënë në veprën e autorëve që s’janë më. 

“Jam i nderuar të jem këtu. Në anën time të djathtë shoh veprën e Basri Çapriqit, në të majtën veprën ‘Lum Lumi’ të Ali Podrimjes. Ka edhe autorë të tjerë si Fishta e Homeri”, është shprehur profesori Bashota. 

Ka interpretuar poezinë “E premtja e Ujmirit” nga cikli i kujtimeve të paharruara të fëmijërisë së tij. 

Kujtime po nga ky fshat i Komunës së Klinës ka evokuar poeti Prend Buzhala. Ka kujtuar “takimin” e parë me shkrimtarin Naim Frashëri. 

“Në Ujmir ka qenë një bibliotekë, prej më të pasurave në Kosovë. Është djegur gjatë luftës, ka pasur mbi 20 mijë ekzemplarë. Aty e kam lexuar për herë të parë Naim Frashërin, në moshën 11-vjeçare. Kjo poezi e evokon atë kujtim”, është shprehur poeti Buzhala.  Më pas ka lexuar poezinë e tij me titull “Takim me Naim Frashërin”. 

Krijuesi Lulzim Tafa ka lexuar poezinë “Poezia është si toka”, ndërsa Fehmi Miftari poezinë “Kositësit e barit” dhe “Naltësimi”. Poetikën e ka sjellë edhe diplomati i Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari. 

Poezia ka qenë forma e homazhit për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili vdiq më 1 korrik të vitit të kaluar. 

Në ngjarje, njëra prej të cilave ka shënuar Ditën e Poezisë në kryeqytet, është kujtuar poetja Lindita Ahmeti, e cila vdiq më 9 prill të vitit të kaluar. 

“Në këtë ditë duam të kujtojmë poetë të shquar shqiptarë që kanë ndërruar jetë. Nderim për poeten Lindita Ahmeti, që ndërroi jetë para 11 muajsh në moshë të re. Njëra nga më të mirat prej nesh, më sublimja, dashuria e poezisë dhe e përkthimit poetik”, është shprehur Beqiraj para se të ftojë punonjësen e Bibliotekës, Arbnora Mjekiqi-Rrahmani për të interpretuar poezinë e saj. 

Poezi të poetes së ndjerë, Lindita Ahmeti, ka interpretuar edhe poetja Donika Dabishevci. Ato i kushtohen vendlindjes së saj, Prishtinës, si dhe kohërave të luftës. 

Poeti nga Shkupi, Ahmet Selmani, ka interpretuar poezitë e tij “Vetëvrasja dhe metaforat e zverdhura”, si dhe “Gjërat që kanë ikur dhe pengjet e vetmuara”. Albana Beqiri ka interpretuar poezinë  e saj me titull “Kosova”. 

“Do të lexoj një poezi për Kosovën, atdheun e stërgjyshërve, gjyshërve dhe babait tim. E kam shkruar kur kam ardhur në Kosovë para 22 vjetësh”, ka thënë ajo. Krejt poezitë janë përcjellë nga tingujt e Vesa Veselajt në piano. 

Tema për Ditën Botërore të Poezisë këtë vit ka qenë “Poezia si urë për paqe dhe gjithëpërfshirje”. Me të synohet të nënvizohet fuqia transformuese e poezisë në nxitjen e harmonisë, të shërbejë si një forcë unifikuese në kohë ndarjesh, duke bashkuar njerëzit përmes emocioneve dhe përvojave të përbashkëta.

Dita Botërore e Poezisë festohet më 21 mars dhe u shpall nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në vitin 1999 “me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike dhe për të rritur mundësinë që gjuhët e rrezikuara të dëgjohen”.  
Në përgjithësi kjo ditë festohej në tetor, në ditën e 15-të gjatë shekullit të kaluar. Kjo korrespondonte me ditëlindjen e Virgjilit, poet epik romak. Tradita për të mbajtur një datë tetori për festimet e ditës kombëtare ose ndërkombëtare të poezisë vazhdon ende në shumë vende. Mbretëria e Bashkuar përgjithësisht ka të enjten e parë të tetorit.