Bienalja e Venecias, tani në edicionin e saj të 60-të, është zyrtarisht ekspozita ndërkombëtare e artit më jetëgjatë në botë. Përfshinë 129 vjet. Ajo u krijua në 1895, shumë kohë përpara internetit dhe dekada përpara udhëtimit me aeroplan komercial. Viti i hapjes përkoi me filmin e parë të projektuar në celuloid.
Gjatë gjithë asaj kohe, Bienalja ka tejkaluar ndryshimet sociale: ngritja dhe rënia e fashizmit evropian, fillimi dhe fundi i Luftës së Ftohtë, dhe konflikte të tjera të panumërta, si dhe ardhja e futurizmit, ekspresionizmit abstrakt dhe pop artit. Gjatë atyre momenteve të ndryshimit, vetë Bienalja e Venecias u bë një skenë botërore për trazira politike.
Më 1895 qyteti festoi përvjetorin e argjendtë të martesës së Mbretit Umberto dhe Mbretëreshës Margherita me Ekspozitën e Parë Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur më 30 prill 1895. Është përdorur kopshti publik, “Giardini di Castello”, krijuar nga Napoleoni. I konceptuar si një vitrinë e artistëve të rinj ndërkombëtarë tërhoqi më shumë se 200 mijë, sipas arkivave të Bienales së Venecias.
Deri në vitin 1907, një pavijon i vetëm qendror shfaqte art nga vende të ndryshme evropiane. Belgjika ndërtoi pavijonin e parë kombëtar të pavarur, për të ekspozuar punën e vendit të saj. Pas kësaj, pavijoni britanik, hungarez dhe bavarez, për Gjermaninë, u ndërtuan në vitin 1909; francezët dhe holandezët më 1912; dhe ai rus në vitin 1914. Pavijonet e tjera do të vinin më vonë.
Filippo Tommaso Marinetti, autor i Manifestit Futurist të vitit 1909, dhe një grup artistësh me të njëjtin mendim, hodhën manifeste nga maja e “Campanile” në sheshin “Shën Marku”. Fletëpalosjet denonconin mënyrat e vjetra të jetesës në qytet, propozonin djegien e të gjitha gondolave dhe shkatërrimin e pallateve të dëmtuara. Kjo ishte mënyra e artistëve për të bërë thirrje për një përqafim të modernitetit dhe një avangardë radikale. Aksioni u zhvillua pak para ekspozitës së veprave të artit futurist në Bienale, shpjegoi Debora Rossi, drejtuese e arkivave të organizatës, dhe ishte krijuar për të bërë publicitet për një shfaqje nga Umberto Boccioni. “Një pjesë e idesë së lëvizjes ishte të provokonte”, ka treguar ajo.
Derisa Benito Mussolini shërbeu si kryeministër i Italisë, Bienalja e Venecias u bë një “mjet politik për qeverinë fashiste” dhe “një instrument propagande”, tregoi Cecilia Alemani, drejtore artistike e Bienales së 59-të të Venecias dhe bashkëkuratore e një ekspozite të vitit 2020.
Alemani shpjegoi se me urdhër të qeverisë fashiste, sallat e ekspozitës u mbushën me art klasik dhe më në fund, në vitin 1942, me art në mënyrë eksplicite “për fuqinë ushtarake”. Rreth një vit pasi u bë kancelar gjerman, Hitleri u takua për herë të parë me Musolinin në qershor 1934, përpara se të vizitonte Bienalen e Venecias në 1934. Ata udhëtuan së bashku për në Giardini me varkë, të brohoritur nga turmat në ura dhe brigje. Hitleri u fotografua me liderë të tjerë italianë në hapësirën e Pavijonit Gjerman.
Pasi Bienalja e Artit u anulua nga viti 1943 për shkak të luftës, ekspozita e parë e madhe e pasluftës theksoi lirinë e shprehjes për artistët. Pablo Picasso shpërfaqi për herë të parë punën e tij në Bienale më 1948. Koleksionistja amerikane e artit Peggy Guggenheim u ftua të përdorte pavijonin grek (i mbyllur ndërsa vendi ishte në një luftë civile) për të treguar koleksionin e saj të kubizmit, futurizmit, abstraksionit dhe surrealizmit, forma të artit që ishin etiketuar “të degjeneruara” nga nazistët. Guggenheim debutoi gjithashtu me një formë të re arti që vinte nga skena e New Yorkut, duke përfshirë Robert Motherwell, Alexander Calder dhe Jackson Pollock.
Përpara vitit 1964, pavijoni amerikan nuk drejtohej nga Qeveria amerikane, por nga një grup artistësh dhe më pas nga Muzeu i Artit Modern i New Yorkut. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, zyrtarët e Departamentit të Shtetit filluan ta konsiderojnë Bienalen ndryshe dhe Agjencia e Informacionit e Shteteve të Bashkuara, një agjenci diplomatike qeveritare, mori kontrollin. Amei Wallach, regjisorja e “Taking Venice”, një film i ri dokumentar për atë Bienale të 32-të, shpjegoi se zyrtarët e panë ngjarjen si një platformë të mundshme mbi të cilën mund të zhvillohej një “Luftë e Ftohtë kulturore” me Bashkimin Sovjetik.
Më 1968 derisa protestat studentore u përhapën në të gjithë Evropën, Bienalja u bë një simbol i luftës politike dhe kulturore. Të rinjtë italianë vërshuan Venecian, duke marshuar në rrugë dhe duke sulmuar portat e Giardinit. Dita e hapjes përfundoi me një goditje nga policia kundër një demonstrate në sheshin “Shën Marku”. Duke mbajtur tabela që shkruanin, “Bienalja është e vdekur”, protestuesit arritën të pushtonin disa pavijone kombëtare dhe t’i kthenin veprat mbrapsht. Disa artistë tërhoqën veprat e tyre për të mbështetur protestat. Përplasja detyroi reforma institucionale, duke përfshirë një rishikim të vitit 1973 të statuteve themelore të Bienales, të cilat kishin mbetur të pandryshuara që nga sundimi i Musolinit, sipas Rossi.
Më 1974 presidenti i ri i Bienales, Carlo Ripa di Meana, një socialist, hapi të ashtuquajturën “Bienale e Re”, e krijuar për të theksuar politikën demokratike dhe ndryshimin shoqëror. Në vitin 1974, ai i mbajti pavijonet të mbyllura dhe ia kushtoi platformën e ekspozitave një ekspozite të vetme “antifashiste” në përgjigje të grusht shtetit ushtarak nga Augusto Pinochet në Kili. I titulluar “Libertà al Cile” (Liri për Kilin) ngjarja përfshinte koncerte, shfaqje teatrale dhe murale në rrugë. Ripa di Meana shkroi se kjo ishte “një akt solidariteti dhe besimi demokratik” me popullin kilian.
Më 1977 “Bienalja e Disidencës” vuri në pah artistë nga Bashkimi Sovjetik dhe nga vende të tjera të bllokut komunist, si Çekosllovakia, duke shfaqur artin, teatrin dhe filmin sovjetik të realizuar nga disidentët brenda dhe jashtë vendit. Ekspozita “Arti i ri nga Bashkimi Sovjetik një perspektivë jozyrtare” paraqiti rreth 300 vepra nga 70 artistë sovjetikë të cilët nuk u sanksionuan nga shteti, duke zemëruar autoritetet sovjetike, të cilat u tërhoqën nga Bienalja për disa vite.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, më 1993 Bienalja pasqyroi një botë të ndryshuar. Artisti konceptual gjerman Hans Haacke krijoi instilacionin “Shpresa e dështuar” duke thyer dyshemenë prej guri të pavijonit të vendit të tij, ku dikur kishte qëndruar Hitleri, dhe duke e lënë atë në fragmente. Alexander Alberro, një profesor i historisë së artit në kolegjin “Barnard” dhe Universitetin e Kolumbisë, shpjegoi se instalacioni ishte një nga disa vepra të atij viti që “trajtonin rendin e ri botëror në një sërë mënyrash. Mund ta quani Bienalen e parë në një kontekst vërtet global”.
Midis luftërash në Jugosllavi, artistja serbe Marina Abramoviq më 1977 prezantoi “Balkan Baroque”, një instalacion në të cilin ajo u ul në një grumbull kockash kafshësh me një fustan të bardhë, duke qarë dhe duke kënduar këngë popullore ballkanike ndërsa përpiqej të pastronte kockat derisa gjaku ia njolloste fustanin. Meqenëse ishte verë në Venecia, instalacioni kishte një erë të rëndë duke lënë një përshtypje të fortë te vizitorët.
Më pas në vitet 2020-2022 pandemia shtyu për një vit Bienalen Arkitekturore 2020. Ndërsa të gjitha pavijonet kombëtare në Giardini u mbyllën në vitin 2020, pavijoni qendror iu kushtua një ekspozite: “Le muses inquiete (Muzat e shqetësuara).Edicioni i vitit 2021 i Bienales së Artit u shty gjithashtu dhe u zhvillua në vitin 2022. Alemani, drejtoresha e parë artistike italiane, kuroi ekspozitën “Qumështi i ëndrrave”. Më shumë se 80 për qind e punimeve ishin nga gratë. Ajo ngjarje shënoi edhe një lloj tjetër hapjeje. Kameruni, Namibia, Nepali, Omani dhe Uganda morën pjesë për herë të parë
Sivjet, për shkak të luftës në Ukrainë pavijoni rus mbetet i zbrazët për herë të dytë, ndërsa pavijoni ukrainas i kushtohet një vepre artistike me disa autorë, “Net Making”.
Në përgjigje të luftës Izrael-Hamas, një organizatë aktiviste mblodhi më shumë se 23mijë nënshkrime në një peticion për të ndaluar që Izraeli të marrë pjesë sivjet. Në një deklaratë në shkurt, ministri i Kulturës i Italisë, Gennaro Sangiuliano, e quajti peticionin të turpshëm dhe konfirmoi pjesëmarrjen e Izraelit në këtë ngjarje. Të martën, megjithatë, kur pavijonet nisën të hapeshin për një publik mediatik, ai i Izraeli mbeti i mbyllur. Artisti dhe kuratorët që përfaqësojnë Izraelin treguan se nuk do ta hapin ekspozitën derisa “të arrihet një marrëveshje armëpushimi dhe të bëhet lirimi i pengjeve”. (The New York Times)