Në memorialë për Holokaustin e në lista, emri i saj figuron si e vrarë. Por prapa emrit Rashella Sion, tash Rashella Altaraz, sot 90-vjeçare, fshihen një histori e trishtë dhe shembulli i shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët. U deshën 60-vjet që ajo ta thyente heshtjen. Kur foli, rrugëtimin vjehrrës së saj juristja Efrat Baruch-Altaraz e shndërroi në veprën me titull “Diell maqedonas”. Me këtë histori ajo ka ardhur të martën edhe në Prishtinë. “Ana shqiptare ka shumë rëndësi për komunitetin hebre. Është shumë unik shpëtimi i tyre te shqiptarët. Hebrenjtë në këtë rast kanë shpëtuar. Nuk ka popull si shqiptarët që u treguan miqësorë dhe njerëzorë duke shpëtuar hebrenjtë”, ka thënë avokatja Baruch-Altaraz
Zhurma e automjeteve ushtarake në orën 04:00 të mëngjesit duhet të ketë qenë tejet e rëndë në 12 marsin e vitit 1943 në Shtip, të asaj që sot është Maqedonia e Veriut. Dëshmitë flasin se pos në këtë qytet edhe në Shkup e Manastir aksioni u bë atë mëngjes.
Familja hebraike Sion jetonte në atë që mund të quhej lagjja e komunitetit hebre në Shtip. Në këtë qytet të vogël qenë më pak se një mijë veta. Ushtarë gjermanë e bullgarë do të thyenin dyert e shtëpive për të tërhequr zvarrë hebrenjtë e t’i ngarkonin në kamionë. Ulërima kafshësh ishin dëgjuar nga njerëzit pak pa zbardhur drita në Shtip. Veç një vajzë, asokohe 8-vjeçare, do të shpëtonte.
Ajo është subjekti i librit “Diell maqedonas” të autores Efrat Baruch-Altaraz.
Të hënën bota nderoi viktimat në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Pikërisht me 27 janar 1945 mori fund kontrolli i nazistëve mbi kampin Auschwitz-Birkenau në Poloni, ku u vranë rreth 1.1 milionë hebrenj duke u liruar ata që mbetën gjallë.
Një ditë pasi edhe në Prishtinë u kujtua Holokausti, një grup i vogël njerëzish mësuan për historinë e një të mbijetuare në Kosovë.
Në librin “Diell maqedonas” avokatja Efrat Baruch-Altaraz shkruan për vjehrrën e saj, dikur Rashella Sion, e tash Rashella Altaraz. Në një ligjëratë organizuar nga Ambasada e Izraelit në Kosovë, në Senatin e Universitetit të Prishtinës juristja fillimisht ka bërë të ditur se është në dijeni se shqiptarët janë treguar njerëzorë dhe kanë rrezikuar duke shpëtuar hebrenj. Pos profesionit bazik, ajo shoqëron vizitorë për në Ballkan dhe u tregon për historinë e këtyre anëve. Ka shpalosur të dhëna që tregojnë se para Luftës së Dytë Botërorë ishin rreth 85 mijë hebrenj në krejt vendet e ish-Jugosllavisë.
“85 për qind e tyre u shfarosen gjatë Holokaustit”, ka treguar ajo. Fatmirësisht vjehrra e saj do të shpëtonte.
Fëmija Rashella Sion bashkë me familjen e saj, sikurse krejt hebrenjtë në atë që sot është Maqedonia e Veriut, do të ngarkoheshin në kamionë ushtarakë për të shkuar në “Monopol”, siç quhej fabrika e duhanit në Shkup.
“Hebrenjtë në Maqedoni flisnin një spanjishte të hebraikëve pasi dikur erdhën nga Spanja e Portugalia pas inkuizicionit katolik”, ka thënë Baruch- Altaraz. Sipas saj, ata kishin marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e nacionaliteteve dhe feve të ndryshme. Megjithëse, ta zëmë, Muzeu i Holokaustit në SHBA ka të dhëna se në “Monopol” mbi 7 mijë hebrenj qëndruan deri në 11 ditë.
Baruch-Altaraz ka thënë se familja e vjehrrës së saj mbeti aty për tri javë.
“Ishin gati krejt pa ushqim e pa ujë. Vjehrrës sime nuk i kujtohet të ketë pirë ujë aty. Aty vajzat edhe janë dhunuar. Ishin të ndara gratë nga burrat. Shtretërit ishin të drunjtë”, ka thënë ajo. Pas një tmerri të madh të përjetuar në këtë lloj kampi, hebrenjtë u ngarkuan në trena dhe arritën në kampion gjerman të shfarosjes në Poloni, Trebinka. Qe kampi i dytë më i madh i shfarosjes pas Auschwitz-Birkenau. Sikurse të tjerët, hebrenjtë e Maqedonisë do t’i nënshtroheshin torturës shfarosëse nëpërmjet gazit. Sipas avokates Baruch-Altaraz, nga “Monopoli” kishin dalë veç mjekët e farmacistët. Por nga aty kishte dalë edhe Rashela Sion. Motra e saj 26-vjeçare, Bella Sion, ishte e martuar me një hebre nga Prishtina. Bashkë me bashkëshortin kishin shtetësi italiane. Bashkëshorti qe partizan. Bella Sion do të prezantonte shtetësinë e saj dhe do t’ia dilte të linte kampin e improvizuar të “Monopolit”.
“Duke dalë nga ai tmerr, në spanjisht e ëma i është drejtuar: ‘Merre edhe vajzën’. E ka marrë dhe ka dalë. Për fat gjermanët nuk qenë të vëmendshëm se çfarë po ndodhte”, ka treguar Baruch-Altaraz.
Rashella Sion figuron e vrarë në listat e nazistëve dhe emri i saj po ashtu është edhe në pllakat memoriale në Maqedoni e Trebinka.
Siç ka sqaruar, ajo edhe ka shkruar në libër sipas mbamendjes së vjehrrës. Dyshja kishte qëndruar në Prishtinë te vjehrra e Bellës. Bella Sion kishte marrë një informatë se bashkëshorti i saj partizan ishte zënë nga italianët dhe kishte vdekur në një burg matanë Adriatikut. E reja 26-vjeçare s’i kishte bërë ballë mërzisë. Do ta vriste veten duke e lënë motrën të vetmuar. Kur nazistët do të mbërrinin në Prishtinë situata do të bëhej e tmerrshme dhe vogëlushja hebraike do të përfundonte në Gjakovë. Saktësisht në një fshat afër Gjakovës, ku do të jetonte me shqiptarë në një fermë të vogël.
“Ajo familje shqiptare e ka mbajtur. Gjermanët e morën nga aty dhe përfundoi në kamp në Beograd. Ana shqiptare ka shumë rëndësi për komunitetin hebre. Është shumë unik shpëtimi i tyre te shqiptarët. Hebrenjtë në këtë rast kanë shpëtuar. Nuk ka popull si shqiptarët që u treguan miqësorë dhe njerëzorë duke shpëtuar hebrenjtë”, ka thënë avokatja Baruch Altaraz.
E, siç tregon tash Rashella Altaraz në rrëfimin e saj për qendrën memoriale të holokaustit “Yad Vashem”, gjatë periudhës sa qëndronte te familja në fshatin e Gjakovës ishte e sëmurë me tifo dhe në spitalin e kohës ishte tradhtuar duke iu bërë me dije gjermanëve se qe hebraike.
Fundi i luftës atë e gjeti në një kamp në Beograd. Më 1948 do të themelohej shteti izraelit dhe e mbijetuara do të shkonte atje. Do ta përfundonte ushtrinë e do të martohej me një të mbijetuar të Holokaustit në Bosnjë-Hercegovinë. Familja tash jeton në Jerusalem. Avokatja Efrat Baruch Altaraz ka treguar se e vjehrra tash ka mbushur 90 vjet. Ka thënë se ajo për 60 vjet nuk ka folur për këtë histori. Ka lënë të nënkuptohet se të mbijetuarit e Holokaustit deri diku në Izrael janë parë me një sy tjetër.
“Në Izrael të mbijetuarit e Holokaustit trajtoheshin pak më ndryshe, u thuhej pse nuk keni luftuar. Ajo veç ka heshtur. Unë e kam pyetur për këtë çështje dhe nuk ka treguar. Por kam insistuar dhe ajo ka ndarë rrëfimin e saj për ‘Yad Vashem’”, ka thënë ajo.
Ka treguar se kur i shoqëron vizitorët izraelitë në Ballkan dhe u tregon se sa shumë hebrenj kanë gjetur strehim te familjet shqiptare gjatë Holokaustit, ata çuditen. Historia e shpëtimit të hebrenjve në familjet shqiptare është e njohur thuajse në krejt globin. Ka familje shqiptare që mbajnë titullin “Fisnik ndër kombe” nga qendra memoriale “Yad Vashem” dhe të dhënat e Shqipërisë tregojnë se pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte më shumë hebrenj sesa para saj.