Kulturë

Dialogu i violinave në hapjen e “KamerFestit” me barok e romantizëm

Tejet modeste ka qenë skena krahasuar me programin që është luajtur në hapje të “KamerFestit” e me nivelin e muzikantëve vendorë dhe të franco-rusit Vadim Tchijik

Tejet modeste ka qenë skena krahasuar me programin që është luajtur në hapje të “KamerFestit” e me nivelin e muzikantëve vendorë dhe të franco-rusit Vadim Tchijik

Kur përmendet “KamerFesti”, lidhja e parë është tradita, ka kohë që kapitujt i shpalos me emra të shquar e këtë e ka fuqizuar edhe me koncertin e hapjes së edicionit të 23-të. Violinisti Vadim Tchijik ka qenë figura qendrore, në skenë i është bashkuar edhe mjeshtrja Sihana Badivuku, por një ngjarje si kjo ka edhe tjetër mision: ta dëshmojë edhe potencialin e skenës vendore. Këtë e ka bërë orkestra harkore e festivalit “KamerFest”. Ngjyrat e barokut e të romantizmit e kanë “transformuar” sallën, e cila tash e sa vjet mbetet pika e vetme që nuk ndryshon pavarësisht evoluimit të ngjarjeve të mbahen aty

Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare i janë rikthyer ngjyrat e kryeveprave të repertorit të muzikës klasike. Kësaj radhe prej Beethovenit, me kompozitorin Sarasate dhe Bachun në përmbyllje si rrugëtim nëpër frymën e barokut e të romantizmit. Në koncertin që e ka hapur edicionin e 23-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, figura kryesore ka qenë violinisti Vadim Tchijik.

Tejet modeste ka qenë skena krahasuar me programin që është luajtur e me nivelin e muzikantëve vendorë e franco-rusit Tchijik. Posterët e festivalit dhe një ekran në skenë kanë qenë shenjat e njërës prej ngjarjeve më me traditë në skenën vendore. 

Programi është hapur me “Sonatën nr.5” të Beethovenit. E njohur ndryshe edhe si “Spring Sonata”, vepra është sjellë e plotë në katër kohët e saj. 

Ka qenë lirike dhe goxha harmonike me hapje të lehtë në secilën kohë. Ngjan në një ton që sa shkon e ngrohet, ndërsa pjesët e saj si këngë pa fjalë. Në dy lëvizjet e para temat dramatike janë pak të pranishme. Ka qenë kombinim ideal i dyshes së instrumenteve, kombinimi i të cilëve është përherë padiskutueshëm i suksesshëm. 

Tingujt harmonikë të pianos shpesh ndiqen nga ata të violinës së Vadim Tchijik. Aspak sfiduese nuk duken veprat për të. Me qetësi e lehtësi i ka nxjerrë tingujt nga instrumenti. 

Hapja harmonike e pjesës ilustrohet me tinguj përrallorë të instrumentit me taste, të cilin e ka zotëruar Nita Grubi. 

Kombinimi më i theksuar është në pjesën e dytë. E treta është harmonike, por edhe me një lloj ngjyre vajtuese shpeshherë me përsëritje të pjesëve të pianos, ndërsa violina ka të njëjtën temë me dialogët ritmikë. 

Në pjesën e dytë të koncertit, orkestra harkore e festivalit “KamerFest” ka interpretuar “Carmen Fantasy” për violinë dhe orkestër harkore të kompozitorit spanjoll Pablo Martín Melitón de Sarasate. 
Ngjan në një vals përrallor. Intron e ka pasur në dorë orkestra dhe ndiqet nga violina kryesore, ku si solist ka luajtur Tchijiku. 

Ai ka thënë se bashkëpunimi me muzikantët e rinj në Prishtinë ka qenë përvojë e mirë e dyanshme. 
“Ishte eksperiencë e mirë për mua dhe për ta. Nuk kishim shumë kohë për ta punuar këtë program të vështirë, por mendoj se ia dolëm mirë, bëmë prova dhe shpresoj se kanë mësuar diçka prej meje. Mendoj se ka qenë përvojë interesante bashkëpunimi me ta dhe ka qenë i frytshëm për të gjithë”, ka thënë violinisti me prejardhje ruse.

E ka vlerësuar mikpritjen në Prishtinë. Jo e rastësishme duket ftesa për pjesëmarrje në festival kur ai dhe drejtoresha artistike e festivalit, violinistja Sihana Badivuku kanë miqësi prej vitesh, që nga koha e studimeve. 

“Mendoj se publiku ishte shumë i mirë, i ngrohtë dhe mikpritës për mua, sidomos për muzikantët e rinj. Edhe organizimi ka qenë shumë i mirë. Me Sihanën kemi ndjekur të njëjtën shkollë gjatë studimeve për shumë kohë në Rusi, për shumë vjet dhe pak kohë më pas. Kemi të njëjtën qasje në muzikë dhe ka qenë kënaqësi i gjithë ky koncert që e kemi interpretuar nga Bachu”, ka thënë Tchijik, fitues i shumë garave prestigjioze ndërkombëtare të violinës. 

I lindur në nëntor të vitit 1975, ai filloi të studionte violinën në moshën gjashtëvjeçare dhe dha koncertin e tij të parë kur ishte vetëm tetë vjeç. Ka përfunduar shkollën e famshme të muzikës “Çajkovski” në Moskë për fëmijët e talentuar, pastaj ka përfunduar studimet pasuniversitare në Konservatorin e Lartë të Muzikës në Köln.  Ka performuar me institucione të rëndësishme në botën e muzikës klasike si Orkestra Simfonike e Moskës, me atë të Meksikës, Filharmoninë e Kharkovit, Orkestrën e Teatrit të Gjenovës, Orkestrën Simfonike të Sanremos, Orkestrën e Padovës e shumë të tjera. 

Ndërsa jep recitale në Francë, Gjermani, Itali, Belgjikë, Angli, Zvicër, Holandë, Spanjë, Portugali, Luksemburg, Suedi, Rusi, SHBA, Kanada, Meksikë, Japoni, Turqi, Bullgari, Poloni, Izrael, Liban, Malajzi, Tajlandë, Vietnam, Kamboxhia, Birmani, Republika Domenikane, Haiti dhe vende të tjera në të gjithë botën. 

Në pjesën e dytë loja me gishtërinj në harqe e formacionit me lojë konstante dhe të koordinuar sjell rrëfimin muzikor. Është vepër tejet atraktive. 

Pjesët e saj janë kryesisht të buta, melankolike dhe ritmike. Nga kjo përjashtohet e fundit, e cila duket teknikisht shumë më e vështirë me një lloj përshpejtimi virtuoz të tempit. Violina qendrore i jep kah e ngjyrë pjesës shumë atraktive dhe që kërkon koordinim maksimal të secilit pjesëtar në skenë. 

Violinisti Rron Bakalli, i cili ka qenë edhe koncert-mjeshtër i orkestrës harkore të festivalit, ka thënë se gjithçka ka shkuar mirë krahasuar me punën kërkuese të veprave në raport me kohën për përgatitje.

“Ka qenë kënaqësi të punojmë me artistë të tillë, sidomos kur organizohet nga një festival i tillë, ‘KamerFest’, që është festivali më i vjetër dhe më i madh. Ishte shumë kënaqësi. Këto vepra janë shumë të vështira teknikisht për instrumentistë. Për tri, katër prova u munduam të sjellim maksimumin tonë, besoj se ia arritën dhe publiku besoj se është ndarë i kënaqur”, ka thënë violinisti Bakalli. 
Pianistja Nita Grubi ka interpretuar të njëjtën vepër – “Spring Sonata” – edhe në “Skupi KamerFest” me 10 shtator bashkë me violinistin Vadim Tchijik. 

“Ka qenë privilegj i madh të luaj me një artist të këtij niveli. Ne para dy ditësh, më 10 shtator, e kishim recitalin në Shkup, në ‘Skupi Kamer Fest’, ku luajtëm ‘Sonatën nr.5’ të Beethovenit për violinë dhe piano. Domethënë të njëjtin program. Ishte një eksperiencë shumë e mirë pasi që ai erdhi të hënën, e bëmë një provë, kishim atje një koncert njëorësh pastaj erdhëm në Prishtinë, ku u ambientuam edhe me sallën”, ka thënë ajo. 

Grubi ka interpretuar edhe më parë si muzikante më e re në “KamerFest”, por kësaj here me një vepër më serioze. Këtë moment e ka konsideruar privilegj. 

“Ky festival po sjell çdoherë emra me renome dhe shumë të rëndësishëm të cilët publiku në Prishtinë nuk duhet t’i lëshojë. Ndoshta në vendet e huaja hyrja paguhet, ndërsa këtu është falas. Është privilegj për mua të jem pjesë e këtij festivali”, ka thënë ajo pas koncertit. 

Koncertin e radhës festivali e mban të shtunën në kishën katolike “Shën Ndou” me dyshen nga Italia –  sopranon Giusy Miriam Pompilio dhe kitaristin Luciano Pompilo. 

“Kamer Fest” është festivali i parë ndërkombëtar i muzikës së dhomës në Kosovë. Ai është themeluar në vitin 2000 nga violinistja Sihana Badivuku dhe fondacioni “ArsKosova”. Ky edicion do të ketë gjithsej njëmbëdhjetë mbrëmje kamertale deri në ditën e parë të dhjetorit.