Bashkim Haxhimusa, me ndihmën e punëtorëve, do t’i përvilej punës në ditët e para të çlirimit për t’ua kthyer sportistëve shtëpinë e tyre. Ndihma vendimtare financiare i erdhi nga USAID-i. Por, amerikanët do ta befasonin, kur në vjeshtën e vitit 1999 do ta njoftonin se do të ishte nikoqir i presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në Ferizaj. Por, nuk përfundoi me kaq. Nja tre a katër muaj më vonë një helikopter me flamur amerikan, sërish do të zbarkonte në oborrin e palestrës, për t’ia sjellë Haxhimusës dhuratën nga presidenti Clinton
Prishtinë, 20 janar – Palestra ku karateisti e profesori i edukatës fizike kishte derdhur djersë, ishte kthyer në qendër të forcave policore serbe. Salla e sporteve ende ishte e rrethuar me makineri të shkatërruar. Xhamat ishin thyer e nëpër korridore kishte gjetur edhe flokë që besonte se ishin të ndonjë gruaje të dhunuar.
Por, Bashkim Haxhimusa, me ndihmën e punëtorëve, do t’i përvilej punës në ditët e para të çlirimit për t’ua kthyer sportistëve shtëpinë e tyre.
Ndihma vendimtare financiare i erdhi nga USAID-i. Por, amerikanët do ta befasonin, kur në vjeshtën e vitit 1999 do ta njoftonin se do të ishte nikoqir i presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në Ferizaj.

Haxhimusa, drejtor i palestrës “Bill Clinton” në Ferizaj, tregon se ditën kur erdhi presidenti Clinton në Ferizaj, në hapësirën përreth objektit deri në një kilometër e gjysmë nuk kishte pasur asnjë lëvizje. Siç thotë ai, vetëm shpendët mund të lëviznin. Dhe zyrtarët amerikanë.
“Pastaj vjen momenti jonë me ardh’ në palestër, i zyrtarëve dhe qytetarëve. Në momentin kur vjen, ne e kemi pasur nga një kartelë në të cilën kemi munduar që të hyjmë te rrethi i parë e te rrethi i dytë, dhe automatikisht neve na kanë leju dhe kemi ardhur e jemi ulur në pjesën ku na ka urdhëruar stafi i organizatorëve të tubimit”, kujton Haxhimusa detaje nga organizimi i pritjes së presidentit.
Më 29 nëntor të atij viti, Clintoni, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët më të ngushtë civilë e ushtarakë, do të zbarkonte me dy helikopterë në fushat e palestrës, që sot mban emrin e tij.
I fundit në palestër kishte hyrë presidenti Clinton.
“Atë e presin te dera, përshëndetet me përgjegjësit e ambasadave, me kryetarin dhe vjen tek unë. Unë i uroj mirëseardhje dhe shprehem me këto fjalë: ‘Është dhuratë nga Zoti që unë të takoj presidentin Clinton’”, ka kujtuar Haxhimusa hollësi nga ngjarja e më shumë se dy dekadave më parë, por që në kujtesën e tij ngjan sikur të ketë ndodhur sot.
Presidenti Clinton kishte pyetur se kush ishte ai dhe përkthyesi i kishte treguar se është drejtori i sportit, sportist.
“Presidenti me fjalët e veta i thotë se po e shoh që ka trup atleti. Por, edhe presidenti Clinton kishte një trup atleti, një djalë shumë i fuqishëm”, ka thënë Haxhimusa, të mërkurën një ditë para se Joe Bideni të betohej si president i 46-të i SHBA-së.
Para mijëra nxënësve ferizajas, lideri që i priu fushatës bombarduese të NATO-s do të deklaronte bujshëm: “Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen”.
Por, ish-ushtari i UÇK-së do të befasohej disa muaj pas vizitës së Clintonit.
Pas tre-katër muajve, atë do ta thërriste Ambasada amerikane. Thirrja ishte bërë në orët e vona të natës, në telefon fiks dhe i ishte thënë se ambasadori amerikan dëshiron të takohet me të. I tregojnë datën dhe kohën. Haxhimusa ka kujtuar se kjo i kishte bërë përshtypje, por jo edhe shumë. I çuditur e kishte njoftuar edhe kryetarin e Komunës, duke e pyetur se pse jo në Komunë te kryetari, por tek ai.
“Kështu që më bëri përshtypja ajo, por ne sikur nuk e morëm shumë seriozisht”, e përmbyll me pak fjalë ai. Në ditën e caktuar, kur ora shënoi 12:00, kishte zbritur helikopteri i parë, ushtarakët dhe ishte bërë kontrolli i objektit.
“Dhe unë e njoftoj kryetarin se këtu me të vërtetë paska diçka serioze dhe ai erdhi. Diku rreth orës 13:00 vjen ambasadori amerikan dhe sjell tri-katër fotografi dhe më bën përshtypje shumë që na i solli fotografitë këtu”, ka thënë Haxhimusa. Vetë ambasadori i kishte treguar se këto fotografi shumë rrallë dalin nga Shtëpia e Bardhë.
Për ta dëshmuar edhe më shumë vlerën e tyre thekson se mbrapa tyre është edhe vula e Presidencës. I ishte thënë se ka përshëndetje nga presidenti Clinton dhe se ai e falënderon atë, por edhe Komunën e Ferizajt dhe qytetarët për mikpritjen që i ishte bërë.
Haxhimusa e përshkruan takimin me Clintonin dhe fotografinë dhuratë, si krenarinë e tij të tretë pas angazhimit për vite me radhë si truprojë e Adem Demaçit dhe rreshtimit në radhët e UÇK-së.
“Realisht jam ndier shumë krenar edhe pse e kam pas menduar se krenaria ime në jetën time ka përfunduar me angazhimin tim si turpëroje e Demaçit për katër vjet”, ka thënë ai. Ndjenja e krenarisë i ishte shtuar kur e pa vendin të lirë, e edhe marrja e dhuratës qe një krenari tjetër që e kishte emocionuar.
“Kur i kam marrë këto dokumente dhe kur e kam pranuar ftesën kam thënë se njeriu çdoherë duhet të veprojë se fundit nuk i vjen kurrë”, ka thënë ai.
Haxhimusa e ka kthyer në mision jetësor kthimin e nderit presidentit Clinton, i cili qe i pranishëm edhe në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Biden të enjten në Washington. Ëndërron që ish-lideri amerikan të kthehet edhe njëherë në Kosovë, por herën tjetër për ta shpalosur bashkë shtatoren e tij.