Narrativi më i thjeshtë i Qendrës për Praktika Narrative është një vit jetë, deri në 850 mijë euro investim, zotime të papërmbushura, dështim në gjetje zgjidhjeje, dhe tash shndërrim në Drejtori të Kulturës të Komunës së Prishtinës. “Po mbyllet për disa muaj gjatë pushimit të dimrit për shkak të sfidave që rrjedhin kryesisht nga mungesa e financimit...”, kishte qenë njoftimi i Qendrës në fillimvit me paralajmërimin se do të rihapet në maj. E tash ish-ndërtesa e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” është adresë e institucionit administrativ
Qendra për Praktika Narrative pos pa mjete për funksionim, tashmë ka ngelur edhe pa lokacion. Komuna e Prishtinës ka vendosur që Drejtoria e Kulturës ta shfrytëzojë ish-ndërtesën e bibliotekës së qytetit, “Hivzi Sulejmani”. Vendimi tashmë është duke u zbatuar edhe në praktikë. Ky hap ka mbyllur edhe shenjën e vetme të bienales nomade “Manifesta” në Prishtinë. Në praktikë, trashëgimia që ka lënë pas organizimi i cili Kosovës i ka kushtuar afro 4 milionë euro, tashmë është e barabartë me zero.
Ndërtesa e ish-bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani” kohë të gjatë kishte qenë temë diskutimi. Tentimet për ta shndërruar në një muze me vepra të maestros Ibrahim Kodra, hapësirë komunitare për kulturë, kishin përfunduar kur “Manifesta” kishte marrë përsipër që aty të jetë Qendra për Praktika Narrative. Komuna e Prishtinës hapësirën ia kishte dhënë në shfrytëzim “Manifestas” për pesë vjet, prej vitit 2021. Por në shkurtin e sivjetmë Qendra për Praktika Narrative ishte mbyllur në mungesë fondesh. Ishte thënë se do të hapej në maj. Por kjo nuk ka ndodhur dhe autoritetet komunale kanë marrë tjetër vendim.
Tash e dy javë aty është vendosur Drejtoria për Kulturë. KOHA ka kontaktuar me drejtoreshën Sibel Halimi. Ajo fillimisht ka kërkuar kohë. Më pas nuk është përgjigjur për këtë çështje.
Deri në 850 mijë euro kishin shkuar investimet për restaurimin dhe funksionalizimin e ish-ndërtesës së bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për ta shndërruar atë në Qendër për Praktikë Narrative. Punonjësve u kishin skaduar kontratat dhe askush nuk ka marrë kurrfarë përgjegjësie për vazhdimësinë e projektit. Se çfarë është bërë me trashëgiminë e Qendrës për Praktika Narrative – gjithnjë nëse ka trashëgimi – nuk dihet.
Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen, në përgjigjet e saj për KOHËN në shkurt të këtij viti, kishte treguar se Qendra ka marrë fonde nga një sërë burimesh gjatë viteve, duke përfshirë ambasadat e Holandës, Luksemburgut dhe Zvicrës, si dhe partnerë të tjerë publikë. Krejt investimi në ish-ndërtesën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, sipas saj, kap shifrën e 850 mijë eurove.
“Gjatë viteve 2021-2023 kostoja e programit të restaurimit dhe pagave ka qenë rreth 700 mijë euro. Shuma është siguruar nga parterët si Luksemburgu me 400 mijë euro, Komuna e Prishtinës me 200 mijë euro e Ambasada e Holandës me 100 mijë euro”, kishte thënë ajo. Komuna e Prishtinës këtë investim e kishte bërë krahas memorandumit, nëpërmjet të cilit “Manifestas” ia ka dhënë hapësirën në shfrytëzim për pesë vjet.
“Gjatë vitit 2023 shpenzimet e Qendrës qenë rreth 150 mijë euro. Kjo shumë u sigurua nga fondacioni ndërkombëtar ‘Manifesta’ në Amsterdam me 72 mijë euro dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim me 30 mijë euro dhe donatorë të tjerë”, kishte thënë Fijen.
Në bazë të të dhënave të ofruara nga “Manifesta”, 69 për qind e buxhetit për edicionin e Prishtinës është siguruar nga institucionet publike të Kosovës. Prej tyre 1 milion e 970 mijë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 1 milion e 720 mijë nga Komuna e Prishtinës. Kurse 31 për qind e buxhetit, 1 milion e 600 mijë euro, janë dhënë nga “Manifesta 14” nëpërmjet donatorëve.
Gjatë restaurimit të ngutshëm të monumentit për ta kthyer në Qendër për Praktika Narrative – ku edhe donatorët kishin mbyllur sytë krahas parregullsive, njëjtë sikurse institucionet – punët ishin mbikëqyrur nga fondacioni për trashëgimi kulturore pa kufij, “ChwB Kosova”.
Udhëheqësi i Fondacionit, Sali Shoshi, ka thënë se nuk e di se si është menduar qëndrueshmëria e asaj qendre.
“Hapësirat të cilat janë trajtuar edhe janë dizajnuar si hapësira publike si pjesë e ‘Mnifestas’, në një program më të madh të financuar nga taksat tona ishte dashur të vazhdohet të mendohen si hapësira publike. Nuk më duket se është mendimi më i mirë i duhur që në një hapësirë të menduar për publikun të vendoset administratë e Komunës”, ka thënë ai.
Sipas tij, pavarësisht qëndrueshmërisë së idesë së “Manifestas” sa i përket Qendrës, kjo nuk i pengon Komunën dhe akterët e tjerë të mendojnë se si të vazhdohet që ai ambient të jetë në shërbim si hapësirë publike.
“Nuk e di cilat janë planet e Drejtorisë së Kulturës, por nëse privohet publiku nga ajo hapësirë është vendim i gabuar”, ka thënë ai.
KOHA ka kontaktuar edhe ish-drejtorin e Kulturës në Komunë, Adrian Berisha, për të marrë një qëndrim të tijin pas zhvillimeve të reja. Në kohën sa ai ishte pjesë e Komunës hapësira i ishte dhënë në shfrytëzim “Manifestas”. Më pas Berisha kishte kaluar në koordinator të ngjarjeve të kësaj bienaleje. Pavarësisht gatishmërisë për të komentuar situatën, për dy ditë radhazi, ai nuk është përgjigjur.
“Manifesta 14 Prishtina”, që është mbajtur prej fundit të korrikut deri në fund të tetorit të vitit 2022 nëpërmjet një raporti të prezantuar në qershor të vitit të kaluar, pretendonte se shifra prej 20.2 milionë eurosh është ajo që llogariste si impakt ekonomik gjatë periudhës 100-ditore prej 22 korrikut deri më 30 tetor të vitit 2022, bazuar në rezultatet e nxjerra nga Instituti GAP. Të dhënat e publikuara nga vetë drejtoresha e bienales nomade “Manifesta”, Hedwig Fijen, tregonin për një numër të madh vizitorësh, ku numri shkon deri në 139 mijë. Për organizatorët, shifra si këto ishin dëshmi se “Manifesta 14” është ngjarja më e madhe kulturore që ka ndodhur në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë.
“Impakti total ekonomik i ‘Manifestas’ ishte 20.2 milionë euro dhe kthimi nga investimet publike ishte 4 herë më i madh, që do të thotë se për çdo 1 euro të shpenzuar nga institucionet publike, në institucione lokale ekonomike janë kthyer 4 euro”, kishte shpjeguar Fijen.
Rivitalizimi dhe rikthimi i hapësirës publike në Prishtinë përmes intervenimeve në 25 hapësira, duke përfshirë Fabrikën e Tullave, “Korridorin e Gjelbër”, hotelin “Grand” dhe Qendrën për Praktikë Narrative qe një prej qëllimeve të “Manifestas”. Fabrika e Tullave nuk ka mbetur e rivitalizuar aspak. Komuna planifikon që këtë ta bëjë me rreth dy milionë euro. “Korridori i Gjelbër” mbetet dështim më vete. E, Qendra për Praktika Narrative u “bë” Drejtori Kulture. Kurse për hotelin “Grand” e vetmja shenjë e “Manifestas” është instalacioni i Petrit Halilajt: “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin”, të cilin artisti ia ka falur shtetit.