Kulturë

“Deadline” me balet futet në redaksinë e gazetës

Baletit Kombëtar të Kosovës

Baletit Kombëtar të Kosovës i kanë mbetur edhe dy javë deri në “Deadline” me të cilën futet brenda një redaksie gazete, në një vend pa gazeta të shtypura

Në një realitet kaotik mediash, pa gazeta të shtypura e ku pakkush e njeh zanatin e gazetarit dhe peshën e lajmit, Baleti Kombëtar i Kosovës synon të futet në redaksi dhe prej aty ta shpalosë të vërtetën. “Pra një redaksi e madhe e punëtorëve. Mua më ka intriguar pikërisht energjia e tyre, kur përveç presionit të vazhdueshëm që kanë pasur në punë, ata kanë gjetur kënaqësi dhe mënyra të zbavitjes brenda profesionit”, ka thënë balerini Sead Vuniqi, koreograf i shfaqjes “Deadline”. Në gjuhën e gazetarëve “deadline” është jo vetëm koha e dorëzimit të lajmit, por edhe ai që mban tensionin

Varësia nga lajmet, tensionet e presionet brenda redaksive të gazetave, janë tema që gjejnë trajtim në fusha të ndryshme. Por kësaj radhe Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë një tjetër perspektivë: atë të pasqyrimit të këtyre temave nëpërmjet vallëzimit. 

Me koreografi të solistit të BKK-së, Sead Vuniqi, shfaqja “Deadline” do të shpalosë para publikut peripecitë e përgatitjes së lajmeve nëpërmjet artit të kërcimit e gjuhës së trupit. 

Konceptuesi i shfaqjes, balerini Sead Vuniqi ka thënë se idenë për shfaqjen e ka përpunuar pasi i ka shikuar disa filma dhe ka lexuar për histori të periudhës së viteve ’30, ‘40, dhe e ka parë se sa i rëndësishëm ka qenë lajmi në atë kohë. 

“E kam vënë re që njerëzit pavarësisht se ku kanë jetuar, kanë qenë të varur nga lajmi. Dhe njerëzit të cilët kanë punuar në redaksi të shtypit të shkruar kanë pasur presion shumë të madh që të arrijnë të sjellin një lajm sa më të mirë, dhe ndoshta edhe konkurrenca ka bërë që njerëzit që kanë punuar aty të kenë presion të vazhdueshëm për të qenë sa më afër publikut”, ka thënë ai në emisionin “Express” të KTV-së. Ka treguar se kjo i ka interesuar shumë për shkak të presionit që kanë gazetarët ose njerëzit që kanë shtypur gazeta. 

“Pra një redaksi e madhe e punëtorëve. Mua më ka intriguar pikërisht energjia e tyre, kur përveç presionit të vazhdueshëm që kanë pasur në punë, ata kanë gjetur kënaqësi dhe mënyra të zbavitjes brenda profesionit”, ka thënë ai. 

Ka treguar se për një kohë jo të shkurtër është interesuar ta shohë energjinë e njerëzve që punojnë në një redaksi dhe presionin e tyre që e kanë vazhdimisht gjatë punës. Sipas tij, tema më vete është risi dhe kërkon një numër jo të vogël balerinësh për ta vënë në skenë. 

“Fatmirësisht kemi mjaftueshëm balerinë për ta mbuluar këtë pjesë dhe kam menduar se ndoshta ky koncept dhe kjo ide do të jetë diçka e mirë për të gjithë, për mua si krijues, ashtu edhe për institucionin e Baletit Kombëtar, mirëpo edhe balerinët do të kenë hapësirë për ta shijuar shfaqjen”, ka thënë ai. 

Për këtë produksion, BKK-ja ka nisur përgatitjet qysh në shtatorin e vitit të kaluar. Tash provat janë intensive. Sipas Vuniqit, deri tash çdo gjë është brenda planifikimeve. 

“Jemi në fazën e finalizimit të ndërtimit të koreografisë, do të thotë na kanë mbetur edhe dy pjesët e fundit dhe po shpresojmë që ndoshta në fund të javës të përfundojmë gjithçka dhe pastaj mbetet faza e pastrimit, vënies së skenës, dritave, detajeve të skenografisë dhe shumë gjëra të tjera që e plotësojnë këtë shfaqje”, ka thënë ai. Shfaqja do të sjellë në skenë mesazhe për të gjithë qytetarët dhe aty bëhet e ditur se secila punë i ka vështirësitë e veta. 

“Besoj se ndoshta në bazë të kësaj ideje, këtij koncepti dhe këtyre lëvizjeve koreografike, njerëzit do të mund ta shijojnë sikur të ishin brenda një redaksie. Dhe ajo që e bën edhe më të veçantë këtë shfaqje është se ne kemi kaluar në vitet ‘30 dhe ‘40, si nga ana e kostumografisë, skenografisë apo e kompozimit të muzikës, jemi bazuar pikërisht në ato vite”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se “Deadline” është më unike dhe më klasike. Ka përmendur se tashmë në Kosovë nuk shtypen gazeta ditore. 

“Unë kam qenë adhurues i flaktë i shtypit të shkruar dhe në shkollë të mesme kur shkoja në kafe më pëlqente ta shfletoja gazetën dhe të shikoja se çfarë lajmesh ka brenda saj. Kjo më ka shtyrë të mendoj, pse të mos ia kushtojmë edhe ne një shfaqje një koncepti të tillë siç është redaksia e shtypit”, ka thënë Vuniqi. 

Kjo shfaqje do të jepet premierë në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë në ditën e 20-të të këtij muaji. 

Paraprakisht më 4 shkurt Baleti Kombëtar i Kosovës kishte dhënë premierën e shfaqjes “Hope” e para e BKK-së për këtë vit. Nën koreografi të Sead Vuniqit e me muzikë të Phil Vonit, shfaqja është luajtur po ashtu në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit. 

Simbolikat janë të fuqishme në “Hope” të BKK-së, realizuar në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Action for Health”.

Nëpërmjet tyre, koreografi kishte thënë se zbërthen rrëfimin që prek një temë ekzistenciale, por që në thelb ka mesazhe solidariteti. Edhe ajo shfaqje lëvizte në kornizat e vallëzimit modern. BKK-ja është e kufizuar edhe në eksplorim zhanresh të tjera sherri i hapësirës. Atelieja ia jep intimitetin që e kërkon, por është i dukshëm improvizimi në hapësira të tilla. Skenografia zëvendësohet me projeksione multimediale dhe efektet dramatike, pos muzikës, arrihen edhe me mjeshtërinë e ndriçimit. Ky institucion tash e dy vjet është i strukur në hapësira që s’i takojnë.