Mesazhi thelbësor i analizës vizuale dhe vështrimit të afërt në ekspozitën “Hockney and Piero: A Longer Look”, është një slogan i përshtatshëm për historinë e Galerisë Kombëtare të Londrës
Ekspozita “Hockney and Piero: A Longer Look” shënon dyqindvjetorin e Galerisë Kombëtare në Londër, duke risjellë një nga pikturat e saj më të vjetra së bashku me veprat e një prej artistëve më të famshëm të gjallë të Britanisë së Madhe.
Vepra e vitit 1437-1445 e Piero della Francescas, “The Baptism of Christ”, është e rrethuar, në striptik, nga pikturat e David Hockneyt të vitit 1977, “My Parents” (Prindërit e mi) dhe “Looking At Pictures On A Screen” (Shikimi i fotografive në ekran). Bashkimi i veprave të dy artistëve tregon për rëndësinë historike dhe të vazhdueshme të muzeut në sjelljen e artit te publiku britanik dhe ndërkombëtar – dhe si një burim për artistët që punojnë, duke pohuar rolin kyç të muzeut në artin më aktual bashkëkohor.
Në katalog, Gabriele Finaldi, drejtor i muzeut të artit “The National Gallery”, citon dashurinë e kamotshme të Hockneyt dhe përdorimin e koleksionit të Galerisë Kombëtare si frymëzim për krijimtarinë e tij.
“Është një mesazh ditëlindjeje ku njerëzit mund të rikthehen sa herë të duan për një vështrim më të gjatë të veprave të ekspozuara”, ka shkruar ai.

Prezenca e Hockneyt në ekspozitë ka në plan të parë një rol tjetër të institucionit: të frymëzojë artistët. Mbishkrimet shpjegojnë se deri në vitet ’40, muzeu ishte i rezervuar për artistët dy ditë në javë dhe prej vitit 1838 deri më 1869, ndante ambientet me Akademinë Mbretërore. Një poster nga seria e ekspozitave të Hockneyt, “Artist’s Eye”, me ç’rast artistë bashkëkohorë ishin ftuar t’i përgjigjen koleksionit të përhershëm të muzeut, tregon politikën e vazhdueshme të këtij muzeu për të mbështetur krijimin e artit më të avancuar. Edhe më tej rëndësinë e theksojnë letrat nga Hockney, i cili në vitin 1979 i tha drejtorit të atëhershëm të muzeut, Michael Levey: “Më pëlqen koleksioni i Galerisë Kombëtare” si dhe kërkoi leje për të kopjuar dhe fotografuar detajet e pikturave që ruhen aty.

Hockney duhet falënderuar që zgjodhi Pieron për këtë ekspozitë, veprat fetare të Renesancës së hershme të të cilit ndoshta kanë pasur më pak ndikim në imagjinatën kolektive, sesa emrat e mëdhenj si Raphael dhe Leonardo. Megjithatë, frymëzimi artistik i përçuar nga ky bashkim i artistëve është bindës dhe imponues si dhe tregon se historia e artit është një vazhdimësi zhvillimi dhe ndikimi. Hockney jo vetëm që e nderon drejtpërdrejt pikturën e Pieros, “Baptism” (Pagëzimi), në të dyja veprat e tij, por ai gjithashtu e thekson rëndësinë dytësore të përdorimit të kartolinave dhe fotografive për studim. Ai po ashtu e deklaron pikturën vërtet të mrekullueshme në një intervistë me kritikun e artit Martin Gayford, të përfshirë në katalogun e ekspozitës. Hockney e viziton muzeun “National Gallery” rregullisht – herën e fundit në shkurt të këtij viti, për të parë veprën “Pagëzimi”.
Kuratorja e ekspozitës, Susanna Avery-Quash, vuri në dukje në një fjalim se të tria pikturat janë varur në nivel me njëra-tjetrën, për të nënvizuar paralelet perspektive. Ekspozita “Hockney and Piero: A Longer Look” vazhdon të qëndrojë e hapur në muzeun “The National Gallery” në Londër deri më 27 tetor.
Marrë nga revista “Hyperallergic”