Si një platformë e fuqishme e krijuar për të bashkuar profesionistët kulturorë dhe krijues në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke nxitur një ekosistem të gjallë bashkëpunimi, rritjeje dhe dukshmërie, është përshkrimi që i është bërë “Creative Gate” e pesha e një “adrese” të tillë është dëshmuar në lansimin e platformës në “Shtëpinë e Evropës”, në Prishtinë. Ajo vepron si një portë për bashkëpunimin krijues dhe inovacionin
Me gjithë rajonin e trazuar historikisht, skena kulturore e artistike ndër vite ka dëshmuar se tejkalon barrikada dhe bëhet një në misione e kauza shoqërore. Megjithëse në rastin e Kosovës mesazhet shpeshherë jo lehtë depërtojnë. Duhen rezistencë e këmbëngulje. Për të thelluar bashkëpunimet më tej, platforma digjitale “Creative Gate” vjen si urë e dialog ndërkulturor.
Për diversitetin e llojllojshmërinë që mund të gjendet në këtë platformë, flet vetë konferenca e lansimit të platformës. Për të, në “Shtëpinë e Evropës” në kryeqytet, kanë folur përfaqësues të institucioneve nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Është vlerësuar si vendtakim dhe mbështetje për aktorët e industrisë kulturore dhe kreative në Ballkanin Perëndimor, që ofron dukshmëri më të madhe të tyre, rrjetëzim më të lehtë dhe mundësi për të avancuar veten dhe organizatat kulturore.
Katerina Cvetkovska, menaxhere e marrëdhënieve me publikun në festivalin “Taksirat” dhe “Password Production” në Maqedoninë e Veriut, në fjalën e saj në fillim të konferencës të premten në mesditë ka thënë se me këtë platformë synohet të shpërfaqet kreativiteti i të rinjve të Ballkanit Perëndimor duke bashkuar forcat e tyre.
“Ne besojmë fuqishëm, nga përvoja jonë, që bashkëpunimi është çelës. Nëpërmjet ‘Creative Gate’ të krijojmë hapësira për artistët tanë, organizatat kulturore dhe të gjithë që janë të përfshirë në skenën artistike dhe kreative. Si pjesë e skenës vibrante me plot potencial në këtë regjion duhet të krijojmë këto hapësira për të punuar së bashku, për të ndarë njohuri. Kjo platformë është për më shumë dukshmëri në këtë drejtim dhe më shumë rezultate”, ka thënë Cvetkovska.
Platforma është pjesë e projektit “Culture and Creativity for the Western Balkans” të financuar dhe Bashkimit Evropian, qëllimi i të cilit është fuqizimi i fushës së kulturës dhe kreativitetit në regjion nëpërmjet zhvillimit të dialogut dhe impaktit socio-ekonomik. Është mbështetur nga “British Council”.
Drejtoresha e këtij institucioni për Shqipëri dhe Kosovë, Majlinda Mazelliu, ka thënë se “Creative Gate” është thelbësor në krijimin e hapësirës për bashkëpunim.
“Projekti synon të punojë për të krijuar një mjedis krijues të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke njohur rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe inovacionit për bashkëpunimin rajonal. Roli i ‘Creative Gate’ si katalizator për ndryshime pozitive është thelbësor jo vetëm në rritjen e ofertës kulturore rajonale, por edhe në krijimin e hapësirës për bashkëpunim dhe forcimin e dialogut ndërkulturor”, ka thënë ajo.
Sipas Mazelliut, ky dialog kulturor nëpërmjet platformës mund të kapërcejë ndarjet sociale, të promovojë “mirëkuptim të ndërsjellë dhe të kontribuojë në zhvillimin e ekonomive të vendeve përkatëse”.
“Përmes arteve, kulturës dhe inovacionit, ‘Creative Gate’ ka potencialin të jetë një urë që bën bashkë komunitetet në industritë kreative dhe krijon një mjedis ku kultura jo vetëm festohet, por përdoret edhe si mjet për të përmirësuar kohezionin social dhe qëndrueshmërinë ekonomike”, është shprehur ajo.
Platforma veçse është promovuar në Beograd, Shkup, Podgoricë, Tiranë e Sarajevë. Por kjo kampanjë do të vazhdojë dhe synon të “shënjestrojë” si organizatat ashtu edhe individët.
Nga skena kulturore e artistike vendore, si përfaqësuese ka qenë Fjolla Çunaku nga “Rave Travel” dhe “Prishtina Music Conference”. Sipas saj, skena muzikore në Kosovë është më e lidhur dhe më e përmbushur se kurrë më parë si rrjedhojë e ngjarjeve të shumta.
“Ngjarje si Konferenca e Muzikës në Prishtinë dhe përvojat e krijuara nga ‘Rave Travel’ janë platformat e artit ku artistët nga vendi e rajoni mund të takohen, të shkëmbejnë dhe të krijojnë së bashku. Këto nuk janë thjesht ngjarje, janë lëvizje që ndihmojnë të ridefinojnë Kosovën në hartën globale kulturore. Mendoj se ‘Creative Gate’ ka rol kyç në këtë drejtim, duke lidhur artistë e institucione përreth regjionit duke hapur dyer për bashkëpunime afatgjate, për të mësuar, shpërndarje dhe shkëmbime”, ka thënë ajo në konferencë.
Sipas Çunakut, skena muzikore botërore është edhe në Kosovë dhe se për këtë, gisht kanë edhe ngjarjet në të cilat ajo është e angazhuar.
“Kur filluam, nuk e dinim nëse mund të qëndronim në skenë. Tani krijojmë ngjarje në Kosovë me artistë të mëdhenj. Vitin e kaluar qe artisti Ben Clock në Kosovë dhe ai bashkë me ekipin janë shprehur se nuk ndienin kurrfarë dallimi, se ndiheshin si në shtëpi. Akomodimi dhe mikpritja e kanë bërë të veten dhe ne duhet të njihemi për këtë. Vitin e kaluar, tema e Konferencës së Muzikës në Prishtinë ishte ‘Bashkëpunimi‘, kështu ne bashkëpunuam me sa më shumë organizata e kompani që kemi mundur dhe ne besojmë se duke ndihmuar njëri-tjetrin të lartëson më shumë sesa të jesh vetëm, sepse gjërat e mëdha ndodhin nëse i japin dorën njëri-tjetrit”, ka thënë ajo.
Vetë platforma digjitale është zhvilluar në bazë bashkëpunimi nga fondacioni “Exit” nga Serbia dhe festivali “Taksirat” nga Maqedonia e Veriut.
“’Creative Gate’ është një platformë e fuqishme e krijuar për të bashkuar profesionistët kulturorë dhe krijues në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke nxitur një ekosistem të gjallë bashkëpunimi, rritjeje dhe dukshmërie. Duke fuqizuar këto industri, ‘Creative Gate’ vepron si një portë për bashkëpunimin krijues dhe inovacionin, duke ndërtuar përfundimisht një të ardhme më të fortë për rajonin”, shkruhet në prezantimin e platformës derisa bëhet thirrje për t’u bashkuar në atë që referohet si botë mundësish për lidhje, frymëzim dhe shprehje krijuese.
Në fund të konferencës, disenjatori i platformës, maqedonasi Milosh Gjuroski ka prezantuar veçoritë dhe funksionet kryesore të platformës.
“Regjistrimi është shumë i lehtë. Duhet të plotësosh disa informacione si e-mail, pasword dhe të zgjedhësh se si do që të regjistrohesh, pra si individ apo si kompani, industrisë së cilës i takon. Pastaj rishikohet kërkesa dhe aprovohet. Sapo të regjistroheni, mund të qaseni lehtë”, ka thënë ai.
Ka inkurajuar të pranishmit ta përdorin për të zhvilluar potencialin e punës të secilit që është i përfshirë në fushën e industrisë kreative. Aty veçse kanë qenë individë e organizata të regjistruara.
“Ne veçse kemi shikuar festivale dhe ngjarje të ndryshme. Janë vlerësuar dhe janë konsideruar të rëndësishme. Moderatorët shohin potencialin dhe rëndësinë, dhe konsiderojnë nëse mund të jenë pjesë e platformës. Është e lehtë të përdoret dhe më e rëndësishmja është se kontakti dhe aktiviteti i anëtarëve do ta bëjnë këtë platformë më të fuqishme dhe më të mirë. Ky është koncepti i zhvillimit të kësaj platforme bashkëpunimi”, ka thënë Gjuroski.