Kulturë

Çmimet për kinematografi në pritje të propozimeve

Kinematografi cmimet

Ministria e Kulturës të enjten ka hapur konkursin për çmimet në fushën e kinematografisë, sipas njoftimit të këtij institucioni. Sikurse vitet e kaluara, priten propozime për kandidatë laureatë të çmimit kombëtar për veprimtari jetësore “Bekim Fehmiu”, si dhe për Çmimin Vjetor për Kinematografi. 

Çmimet vjetore ndahen për krijues që me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në fushën e kinematografisë. Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për të arriturat në karrierë dhe kontributin e avancimit të kinematografisë në vend. Në konkurs shkruhet se laureatë të çmimit mund të jenë producentë, regjisorë, skenaristë, aktorë, drejtorë të fotografisë, kostumografë, skenografë, kompozitorë e krijues që i kontribuojnë kinematografisë. 

Ndërsa Çmimi Vjetor për Kinematografi i ndahet një autori për vepra filmike të realizuara gjatë vitit paraprak. Sipas konkursit, “çmimi ndahet çdo vit vetëm në njërën nga këto kategori: producenti më i mirë, regjisori më i mirë, skenaristi më i mirë, aktori/a më i/e mirë, drejtori i fotografisë më i mirë, skenografi më i mirë, kostumografi më i mirë, kompozitori më i mirë dhe animatori më i mirë”. 
Vetëm për kategorinë e dytë, të drejtë propozimi të kandidatëve kanë Akademia e Shkencave dhe e Arte e Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës, produksionet filmike dhe shoqatat e filmit të regjistruara në Kosovë. Vlerësimin e bën juria e përbërë prej pesë anëtarësh, ndërsa konkursi do të qëndrojë i hapur për 30 ditë. 

Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ka thënë shkurt se viti i kaluar ka qenë i jashtëzakonshëm sa i përket prodhimit filmik. 

“Sikurse vitet e kaluara edhe sivjet do të jetë e vështirë përzgjedhja dhe nominimi për këtë çmim. Kjo na gëzon, por në të njëjtën kohë na bën të jemi më të përgjegjshëm sikurse edhe punën na bën më të vështirë”, ka thënë Zeqiri për KOHËN. 

Vitin e kaluar çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Bekim Fehmiu” i ishte ndarë kinematografit Menduh Nushi. 

Pasi i ishte dhënë çmimi nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Nushi kishte thënë se ai ishte çmimi i parë me të cilin e nderon Kosova. 

“Pas tetë çmimeve ndërkombëtare ky është çmimi i parë nga Kosova që e marr. Posaçërisht ndjeva kënaqësinë që çmimi ka emrin e Bekim Fehmiut, i cili ka qenë një yll që ma ka ndriçuar rrugën time drejt kinematografisë”, kishte thënë shkurt Nushi.

Ndërsa atë Vjetor për Kinematografi e kishin marrë regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe montazheri Enis Saraçi.  

Regjisorja Kaltrina Krasniqi ishte nderuar për filmin e saj “Vera andrron detin”, i cili kishte marrë disa trofe, e që dy vjet më parë u shfaq premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecie. Ndërsa montazheri Enis Saraçi si student kishte punuar në filmat “Pa vend” e “Në mes” të regjisorit Samir Karahoda. Suksesi i tij më i madh ka qenë “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, që kishte qenë kandidati i Kosovës për “Oscars 2022” e më vonë fitues i trefishtë në “Sundance Film Festival” ku kishte marrë çmimin e audiencës, të jurisë dhe atë për regji.

Juria e çmimeve në kinematografi ishte në përbërje nga regjisorët Blerta Basholli e Ujkan Hysaj, producentët Valmira Hyseni dhe Gazmend Bajri, si dhe aktorja Rozafa Çelaj. 

Zakonisht çmimet në fushën e kinematografisë përkojnë me ditëlindjen e ikonës së filmit Bekim Fehmiu, më 1 qershor. Sivjet shënohet 88-vjetori i lindjes së aktorit që vdiq më 2010. Çmimi u themelua një dekadë më parë por jo rrallë, ani pse përcaktohet me rregulloren që ka hyrë në fuqi qysh më 2014, data e ndarjes së çmimit qe shkelur.